Ndërlidhjet

Përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës kërkojnë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit që deri në muajin tjetër të fillojë shpërndarjen e 20 përqindëshit të punëtorëve, në të kundërtën, sipas tyre, do të pasojnë protestat. Në anën tjetër, zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit shpresojnë se deri në muajin mars, një kërkesë e tillë do të realizohet.


Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës kërkon nga institucionet përgjegjëse që të fillojë përshpejtimin e shpërndarjes së mjeteve të 20 përqindëshit, që, sipas një rregulloreje të administratës ndërkombëtare, 20 për qind nga shuma e përgjithshme e shitjes së ndërmarrjeve, u takon punëtorëve.

Haxhi Arifaj, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se në rast se nuk merren parasysh kërkesat e punëtorëve kosovarë, nuk përjashtohet mundësia e shprehjes së pakënaqësive të punëtorëve në forma të ndryshme.

“Pakënaqësitë kanë qenë dhe janë evidente, sepse është e drejta e tyre në 20 përqindësh. Sipas rregullores 2003/13, e ka pasur të përcaktuar edhe afatin kohor se kur duhet t’u shpërndahet. Megjithatë, ajo nuk ka ndodhur”
, thotë Arifaj.

Haxhi Arifaj thekson se zvarritja e procesit të shpërndarjes së 20 përqindëshit, është bllokuar për vite me fajin e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit.

“Në të kaluarën, AKM-ja, në këtë drejtim, është marrë pak dhe ka punuar pak për shpërndarjen e 20 përqindëshit. Ka qenë një procedurë e koklavitur që është dashur ta kryejnë. Nuk e kanë kryer dhe janë grumbulluar, pastaj, me kalimin e kompetencave tek AKP-ja. Këta, deri më tani, në njëfarë mënyre e kanë arsyetuar punën e vet”,
shpjegon Arifaj.

Në anën tjetër, zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit pajtohen se kjo agjenci është ballafaquar me zvarritjen e shpërndarjes së 20 përqindëshit. Ylli Kaloshi, nga kjo agjenci shpreson se deri në fillim të muajit mars të fillojë shpërndarja e mjeteve për një pjesë të punëtorëve.

“Bordi i AKP-së, në mbledhjen e fundit aprovoi ndryshimin e procedurave për shpërndarjen e 20 përqindëshit për punëtorët, në mënyrë që të dilet nga situata e bllokimit të 20 përqindëshit të punëtorëve”.

“Kjo shpërndarje do të bëhet nga pjesa prej 75 për qind e 20 përqindëshit, pa pritur vendimin final të Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme. Kjo do të bëhet për të gjithë punëtorët, që janë në listën përfundimtare dhe ndaj të cilëve nuk është ushtruar ndonjë ankesë, apo mos përfshirje në atë listë”,
deklaron Kaloshi.

Nga procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, janë grumbulluar mbi 85 milionë euro, ndërkaq deri tani për punëtorët janë shpërndarë mbi 30 milionë euro.

Ndryshe, pikërisht për këtë çështje në Prishtinë, janë organizuar protesta të kohëpaskohshme të punëtorëve të ndërmarrjeve të privatizuara, të cilët kanë kërkuar ndarjen e 20 përqindëshit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG