Ndërlidhjet

logo-print

Kosova nuk figuron në tekstet shkollore


Shkupi

Shkupi



“Maqedonia në pjesën veriore të saj kufizohet vetëm me Serbinë”,
kështu shkruan në tekstin e lëndës së Shoqërisë për klasën e katërt të shkollës fillore. Në këtë tekst shkollor të botuar në vitin 2009, Kosova nuk figuron si fqinj i Maqedonisë, edhe pse ajo është pranuar nga Maqedonia si shtet në vitin 2008. Nga Byroja për zhvillim të arsimit, e pranojnë gabimin e bërë, por thonë se faji për këtë është i shërbimit pedagogjik të Ministrisë.

“Nuk jam kompetente për botimin e librave, pasi ato bëhen në shërbimin pedagogjik, që është pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, pra është institucion tjetër që merret me botimin e librave”.

“Unë nuk mund ta di nëse është harruar me qëllim ose jo, megjithatë mendoj se duhet të kihet kujdes i veçantë, pasi ne nuk mund ta anashkalojmë Kosovën si shtet fqinj të Maqedonisë”
, thotë Ajshe Selmani, zëvendësdrejtore e Byrosë për zhvillimin e arsimit.

Por, e pyetur se cilat janë kompetencat e Byrosë në këtë sferë, Selmani pranon se programet e teksteve shkollore përgatiten nga Byroja për zhvillimin e arsimit.

“Byroja për zhvillimin e arsimit përgatit programet dhe në bazë të atyre programeve, botohen librat. Por, sipas të gjitha gjasave, ai libër ka mbetur i pandryshuar, ka mbetur me po atë program para se Kosova të pranohet shtet, pra mund të jetë një lëshim
”, shprehet zonja Selmani dhe shton se në programet e reja do të evitohen të gjitha lëshimet që janë bërë në tekstet shkollore.

Mirëpo, ky lëshim ka shkaktuar reagime të shumta në opinion. Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë thotë se bëhet fjalë për një gabim të madh, që duhet të përmirësohet patjetër.

“Patjetër duhet të përmirësohen gabimet, apo lëshimet në tekstet shkollore. Dikush do të thotë se ndoshta një lëshim në një faqe, apo dy, është një lëshim i vogël, por ne vlerësojmë se janë lëshime shumë të mëdha dhe patjetër se duhet të përmirësohen”.

“Ne, edhe në tribuna kemi kërkuar që të gjitha tekstet shkollore që janë në gjuhën shqipe, të kenë autorë recensentë shqiptarë. T’i kontrollojnë ata dhe pastaj të lejohen për shtyp”
, vlerëson Nuhi Dardhishta, kryetar i LASH-it.

Profesoresha në Fakultetin Pedagogjik në Shkup, Gjylymsere Kasapi, njëherësh drejtuese e Komisionit për arsim të partisë Demokracia e Re, vlerëson se gabimi është katastrofal.

Sipas saj, ky gabim, jo vetëm që tenton ta fshehë të vërtetën, por edhe krijon huti të panevojshme në mesin e nxënësve. Zonja Kasapi thotë se ky tekst, urgjentisht duhet të tërhiqet nga përdorimi.

“Këtu është bërë një gabim katastrofal. Ai tekst, urgjentisht duhet të tërhiqet, për arsye se është botuar në vitin 2009, kurse Kosova është pranuar nga Maqedonia në vitin 2008”.

“Është keq, nuk është e natyrshme, nuk është e arsyeshme që fëmijët, qofshin ata maqedonas, apo shqiptarë, të mos e dinë se një nga shtetet fqinje më të afërta është edhe Republika e Kosovës. Mendoj se kjo është bërë me qëllim, por nëse është bërë ndonjë gabim, libri duhet të tërhiqet menjëherë”
, thotë Kasapi.

Lëshime në tekstet shkollore nuk janë bërë vetëm në raport me Kosovën, por ka edhe shumë gabime tjera, përfshirë ato me toponimet shqiptare brenda Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG