Ndërlidhjet

Holandë: Rënie e qeverisë për shkak të Afganistanit

  • RFE /RL

Flamuri holandez në Afganistan,shkurt 2010

Flamuri holandez në Afganistan,shkurt 2010

Qeveria e Holandës ka rënë për shkak të dështimit të dy partive më të mëdha për të arritur pajtueshmëri për misionin e këtij vendi në Afganistan. NATO-ja ka kërkuar që Holanda t’i mbajë ushtarët e saj në provincën Uruzgan, edhe pas gushtit të këtij viti, kur planifikohej tërheqja e trupave holandeze.


Koalicioni qeverisës në Holandë është shkatërruar, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me qëndrimin e mëtejshëm të trupave holandeze në Afganistan.

Pas 16 orë bisedimesh, mes partive të koalicionit qeverisës, kryeministri Jan Peter Balkenende ka bërë të ditur që Partia Punëtore ka vendosur të japë dorëheqjen nga qeveria.

NATO-ja i ka kërkuar Holandës të shtyjë afatin e qëndrimit të trupave të saj ushtarake në Afganistan, përtej gushtit të këtij viti, kur ishte planifikuar tërheqja.

Aleanca Demokristiane e kryesuar nga Balkenende, e ka mbështetur idenë e mbajtjes së një numri të reduktuar të trupave përtej 2010-ës.

Por, Partia Punëtore, grupimi i dytë më i madh në koalicionin qeverisës, ka kundërshtuar vijimin e misionit të trupave holandeze në Afganistan dhe ka kërkuar që misioni i tyre të përfundojë në gusht, sipas planit.

Dy mijë trupa holandeze janë stacionuar në pjesën jugore të provincës së Uruzganit, që prej 2006-ës.

Deri më tash në Afganistan janë vrarë 21 ushtarë holandezë dhe misioni paqeruajtës në Afganistan nuk mbështetet nga pjesa më e madhe e popullit holandez.

Sipas planeve të mëparshme, trupat duhej të ktheheshin në shtëpi në 2008-ën, por Qeveria holandeze e ka shtyrë qëndrimin e tyre, pasi asnjë vend i NATO-s nuk ka pranuar t’i zëvendësojë.

Në fillim të këtij muaji, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, i ka kërkuar Holandës që të marrë një rol të ri dhe të qëndrojë në Uruzgan deri në gusht të vitit 2011.

Demokristianët në Holandë kanë pohuar se e ardhmja e misionit në Afganistan tashmë varet nga formimi i Qeverisë së re. Pritet që gjatë këtij viti të zhvillohen zgjedhje të parakohshme.

Ekspertët kanë thënë se vendimi i Holandës për të mos e zgjatur misionin e saj në Afganistan, mund të ketë efektin domino te vendet e tjera anëtare të NATO-s, që kanë trupat e tyre atje.

Sondazhet në opinionet e shumicës së vendeve të NATO-s kanë treguar se pjesa më e madhe e njerëzve nuk e mbështesin praninë e ushtarëve të tyre në Afganistan.

Analisti për çështjet politike në Kabul, Ahmad Saedi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nëse trupat holandeze tërhiqen nga Uruzgani, ka mundësi që edhe vendet e tjera të NATO-s të bëjnë të njëjtën gjë.

“Tërheqja e trupave holandeze mund të jetë një goditje serioze si për Afganistanin, ashtu dhe për forcat e NATO-s. Holanda është një vend i rëndësishëm në Evropë dhe NATO, dhe nëse ajo tërhiqet nga misioni në Afganistan, atëherë edhe vendet e tjera evropiane njëra pas tjetrës mund të konsiderojnë largimin nga Afganistani”,
ka thënë analisti për çështje politike, Ahmad Saedi.

Forca Ndihmëse Ndërkombëtare e Sigurisë e NATO-s është vendosur në Afganistan në vitin 2001.

Dhe, që prej korrikut të 2009-ës kjo forcë ka më shumë se 61 mijë trupa nga 42 vende, përfshirë dhe 26 vendet anëtare të NATO-s, si dhe 10 partnerë që s’janë pjesë e NATO-s. (A. Ç)
XS
SM
MD
LG