Ndërlidhjet

Dy realitetet e pavarësisë


Dy vjet të pavarësisë së Kosovës për komunitetin serb kanë kaluar në dy realitete të ndryshme. Serbët e pjesës veriore thonë se nuk kanë kontakte me institucionet shtetërore të Kosovës, por ata të pjesëve tjera flasin për integrimin e tyre në këto institucione.


Përfaqësues politikë dhe banorë të komunitetit serb prezantojnë dy realitete të jetës në Kosovë.

Përderisa në pjesën veriore dy vjet të shtetësisë së Kosovës nuk ishin të mjaftueshme për institucionet vendase që të shtrijnë pushtetin atje, në pjesët tjera ku jeton ky komunitet tashmë flitet për integrim dhe bashkëpunim me institucionet e shtetërore të Kosovës.

Sidoqoftë, gjendja faktike në veri, ndryshon shumë me realitetin në pjesët tjera të shtetit më të ri.

Nënkryetari i Bashkësisë së komunave serbe, Marko Jakshiq, thotë se në veri nuk vërehet ndikimi i shtetit të Kosovës, por, sipas tij, shqetësuese mbetet shtrirja e EULEX-it, mision ky që synon të zbatojë Pakon e Ahtisarit, dokument të cilin serbët nuk e pranojnë.

“Mendoj se presioni do të jetë më i madh nga dita në ditë. EULEX-i e ka marrë këtë detyrë dhe bashkësia serbe do të ndodhet para një trysnie gjithnjë e më të madhe në veri”
, thotë Jakshiq.

Dy vjet të Kosovës së pavarur, sipas banorëve serbë të pjesës veriore, kanë kaluar pa u vërejtur fare. Ata thonë se nuk kanë kontakte me institucionet e shtetit të Kosovës, andaj edhe nuk shohin ndonjë ndryshim me gjendjen e mëparshme.

“Jetoj në pjesën veriore të Kosovës dhe kam fare pak kontakte që ndërlidhen me institucionet e Kosovës”
, thotë kjo banore, sipas së cilës pavarësia e Kosovës nuk ka ndikuar me asgjë në jetën e saj.

“Askush nuk e pranon këtë pavarësi dhe jetojmë njësoj si edhe nëntë vitet e kaluara”, thotë një tjetër qytetar, duke shtuar se qëndrimi i serbëve në këtë pjesë mbetet i pandryshuar kur është fjala për Kosovën e pavarur. Mendoj se nuk ekziston pavarësia e Kosovës. Ne nuk e pranojmë këtë pavarësi, kjo është çështje e shqiptarëve, por ne nuk e pranojmë atë”
, shprehet ky banor i Mitrovicës.

Por, rrethanat ndryshojnë në pjesët tjera të Kosovës, ku serbët kanë filluar të bëhen pjesë e institucioneve dhe e shtetit të Kosovës. Në zgjedhjet e fundit komunale, në pjesën qendrore të Kosovës kishte edhe një pjesëmarrje solide të serbëve.

Kryetari i Partisë së Pavarur Liberale, Sllobodan Petroviq, deputet dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, thotë se angazhohet në vazhdimësi që përmes rrugës institucionale të ndikojë në përmirësimin e jetës së komunitetit serb.

“Mendoj se për këto dy vitet e fundit i kemi realizuar pritjet e qytetarëve, edhe pse ka vend edhe për më shumë punë”.

“Është e domosdoshme që jo vetëm t’u sigurohet kulmi mbi kokë, por edhe të punësohen njerëzit. Gjatë kësaj periudhe kemi punësuar rreth 300 veta, që do të thotë se kemi siguruar ekzistencën e 300 familjeve serbe”
, thekson Petroviq.

Sidoqoftë, integrimi i komunitetit serb, sidomos në pjesën veriore, mbetet ende një proces më i gjatë.

Gjatë viteve të fundit, Beogradi ka investuar në fuqizimin e strukturave paralele, duke i izoluar serbët nëpër enklava në përpjekje të pengimit të integrimit të tyre në institucionet e Kosovës.

Së fundit, përpjekjeve për integrimin e këtij komuniteti tash u është bashkuar edhe faktori ndërkombëtar, i cili në disa raste i ka cilësuar strukturat paralele të rrezikshme dhe të panevojshme për realitetin e ri në Kosovë.
XS
SM
MD
LG