Ndërlidhjet

logo-print

Zgjedhje të parakohshme parlamentare më 2010?


Gjasat për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare quhen reale nga disa analistë politikë në Kosovë. Për të tjerë, kjo do të ishte humbje kohe për Kosovën, meqë duhet të fokusohet në fusha më të rëndësishme për shtetin.


Analistët politikë në Prishtinë shprehin mendime të ndryshme mbi çështjen, e cila në muajt e fundit figuronte në listën e temave kryesore të diskutimeve në skenën politike kosovare.

Pyetja se, “a do të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare në vitin 2010”, u shtrua shpeshherë përgjatë muajve të kaluar, u hesht për një kohë dhe u rifreskua përsëri.

Partia më e madhe parlamentare, Partia Demokratike e Kosovës, e cila bashkëqeverisë me partnerin e koalicionit, Lidhjen Demokratike të Kosovës, deri më tani ka dhënë sinjale kundërshtuese ndaj zbatimit të kësaj ideje.

Opozita, në anën tjetër, ka nisur kohë më parë përgatitjet paraprake, duke shpresuar në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare kah mesi i këtij viti.

Analisti Ramush Tahiri thekson se, pas zgjedhjeve, siç thotë ai, të lodhshme lokale, Kosova duhet të përqendrohet në çështje të tjera, siç është shtrirja e autoritetit në veri të vendit dhe integrimet euroatlantike.

“Unë mendoj se koalicioni është i mirë, i fuqishëm ende dhe mund ta qeverisë Kosovën deri në vitin 2011, kur parashihen të mbahen zgjedhje të rregullta”.

“Ne i kishim zgjedhjet lokale dhe dolëm nga një proces i lodhshëm, sepse zgjatën disa muaj. Tash kemi dhe strategjinë për integrimin e veriut të Kosovës dhe nuk ka nevojë që të humben 5-6 muaj kohë në zgjedhje”,
thekson Tahiri.

Mirëpo, pikërisht ecuria e zgjedhjeve lokale, të cilat pritet të përmbyllen në mars apo prill, pas përfundimit të rivotimit në komunën e Gjilanit, sipas analistit Halil Matoshi ka dëshmuar për rëndësinë e zgjedhjeve të parakohshme nacionale.

Matoshi thotë se mosfunksionimi, siç e quan ai, i shtetit të Kosovës është një arsye tjetër për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

“Është e domosdoshme që, për të dalë nga ky qorrsokak, nga kjo krizë e thellë e legjitimitetit vertikal dhe horizontal e pushtetit në Kosovë, do të duhej të shkohej në zgjedhje të përgjithshme nacionale”
, thotë Matoshi.

Matoshi shpreh bindjen se përbërja e koalicionit qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së pamundëson zhvillimin e një varg procesesh shtetërore në Kosovë.

“Nuk është fakti që është i brishtë, por ai nuk funksionon fare. I keni dëgjuar deklaratat aq kontradiktore dhe aq akuzuese nga partnerët e koalicionit qeverisës”.

“Por, si mund të menaxhojnë e të bashkëqeverisin me vendin dy parti politike, të cilat praktikisht sillen njëra me tjetrën jo vetëm si kundërshtarë politikë, por si armiq të urryer”
, thekson Matoshi.

Prishja disaorëshe e këtij koalicioni në nëntor të vitit të kaluar, e kishte vendosur Qeverinë e Kosovës në qendër të kritikave të partive opozitare, por edhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë.

Pas kësaj ngjarjeje, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pati deklaruar se përmes, siç thuhet, riformatizimit të Qeverisë të zbatuar nga ai, do të përmirësohet niveli i qeverisjes së vendit.

Hapi i parë në këtë drejtim, siç kishte thënë kreu i ekzekutivit kosovar, ishte dorëheqja e tij nga posti i deputetit të Kuvendit të Kosovës.

Mirëpo, Matoshi mendon ndryshe.

“Kjo duhet shikuar jashtë kësaj si një hap i vullnetit të mirë politik i zotit Thaçi, por kjo s’ka të bëjë absolutisht asgjë me formatizimin e Qeverisë, i cili ndonëse është paralajmëruar për këtë muaj dhe ja po vjen fundi i muajit, e duket se askush nuk e ka ndërmend të bëjë diçka të tillë”
, thotë Matoshi.

Analisti Ramush Tahiri shprehet optimist në lidhje me ndërrimin e disa ministrave dhe emërimin e ministrave të tjerë që parashihet të bëhet në kuadër të riformatizimit të Qeverisë.

“Pas ndryshimit të ministrave të caktuar, pa marrë parasysh a janë të LDK-së apo të PDK-së, normalisht se do të ketë përmirësime, sepse kemi ngecje të caktuara, ta zëmë, në njohjet për Kosovën”.

“Kemi ngecje të caktuara në punën e ministrive të ndryshme dhe raporti i progresit i Komisionit Evropian evidenton më së miri se ku ka ngecje Kosova dhe ku po vonohet në procesin e integrimeve”,
shprehet Tahiri.

Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë parashihet të mbahen në vitin 2011.
XS
SM
MD
LG