Ndërlidhjet

A do ta deklarojnë zyrtarët pasurinë?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Drejtues të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe anëtarë të Komisionit parlamentar për legjislacion në Kuvendin e Kosovës, thonë se në mars pritet të hyjë në fuqi Ligji për deklarimin e pasurisë së personave zyrtarë të lartë.


Të gjithë zyrtarët e lartë të Kosovës që nga marsi e tutje do të jenë të obliguar edhe me ligj ta deklarojnë pasurinë e tyre.

Kryetari i Komisionit parlamentar për legjislacion dhe gjyqësi, Bahri Hyseni, thotë se Ligji për deklarimin e pasurisë, kontrollin, prejardhjen dhe dhuratat e zyrtarëve të lartë publikë, pasi është miratuar, do të jetë në fuqi në muajin mars.

Sipas tij, ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës është i standardeve evropiane.

“Ligji është miratuar nga Kuvendi. Ka qenë një ligj që e kemi bërë prej fillimit, i ka mbi 30 amendamente. E kemi punuar në mënyrë shumë rigoroze dhe është punuar sipas standardeve”.

“Madje, ne i kemi tejkaluar ato, sepse një pjesë e shteteve të Bashkimit Evropian nuk e deklarojnë pasurinë ashtu siç e kemi paraparë ne me këtë ligj. Projektligji duhet të kalojë nëpër katër komisione”
, thotë Hyseni.

Kërkesë që ligji të hyjë në fuqi, sa më parë, ka bërë edhe Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit.

Zyrtarët e kësaj agjencie thonë se ligji duhet të jetë në fuqi para 31 marsit, datë kjo që njëherësh është përcaktuar si afati i fundit për deklarimin e pasurisë.

Drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë:

“Jam shumë i bindur që pas aprovimit nga Kuvendi i Kosovës, ligji do të hyjë në fuqi shumë shpejt. Afati që presidenti i shtetit ta dekretojë këtë ligj është tetë ditë dhe mendoj që gjithçka do të jetë në rregull dhe se ligji do të hyjë në fuqi nga mesi i muajit të ardhshëm”.


“Afati për deklarimin e pasurisë mbetet 31 marsi. Agjencia tashmë i ka ndërmarrë të gjitha masat përgatitore, teknike, që deklarimi i pasurisë të realizohet me kohë dhe në formën e duhur”.

“Gjatë prillit do të përfundojë pjesa teknike, kurse nga 1 maji shpresoj që qytetarët do të kenë qasje në të gjitha deklarimet e personave zyrtarë të lartë për pasurinë që posedojnë”,
sqaron Preteni.

Preteni konsideron se hyrja në fuqi e Ligjit për deklarimin e pasurisë do të jetë një hap tjetër në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në vend.

“Ky është një aktivitet që ka të bëjë me parandalimin e korrupsionit. Agjencisë i shtohet një punë ‘shtesë’ në pjesën teknike. Mirëpo, në anën tjetër fitohet një transparencë e kërkuar edhe nga mediat, nga shoqëria civile dhe praktika e shteteve që këto deklarime i bëjnë publike. Mendoj që në drejtim të transparencës do të ketë shumë progres”
, thekson Preteni.

Ligji për deklarimin dhe prejardhjen e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, rregullon kontrollin publik të pasurisë, të hyrat dhe përfitimet e tjera materiale, detyrimet financiare nga zyrtarët publikë, familjarët e tyre dhe personat e lidhur me ta, duke përfshirë sanksionet e përcaktuara me këtë ligj.
XS
SM
MD
LG