Ndërlidhjet

Vdekja e heshtur e gjuhëve

  • RFE /RL

Ivan Skoblin duke dëgjuar regjistrimet

Ivan Skoblin duke dëgjuar regjistrimet

UNESKO-ja e ka shpallur 21 shkurtin Ditë Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, për të promovuar diversitetin gjuhësor. Nevoja për këtë ndoshta kurrë nuk ka qenë më e madhe. Nga më shumë se 6.700 gjuhët që fliten në botë, gjysma rrezikojnë të zhduken para përfundimit të këtij shekulli.




Një gjuhë që ndoshta asnjëherë nuk është dëgjuar është gjuha kete.

Tingujt janë të huaj dhe të panjohur për shumicën e njerëzve. Kjo gjuhë që po vdes, flitet vetëm nga 200 folës.

Sot gjuha kete mund të dëgjohet vetëm nga një grusht fshatarësh në luginën e epërme të lumit Jenisej në Siberinë qendrore. Ajo flitet nga aq pak njerëz, sa që zhdukja e saj mund të duket e papërfillshme.

Por, si çdo gjuhë tjetër, edhe gjuha kete është e veçantë.

Gramatika e saj është ndër më komplekset që ndonjëherë e kanë hasur gjuhëtarët. Ndërkaq, sa u përket folësve të kësaj gjuhe, ajo është e mbushur me lidhjet e gjalla me paraardhësit e tyre, me të kaluarën dhe traditat e tyre.

Kësisoj, humbja e kësaj gjuhe do të kalonte në heshtje të thellë.
Dr. Gregori Anderson (majtas), gjuhëtar nga Harvardi

Por, si e sheh këtë heshtje Gregori Anderson, gjuhëtar nga Harvardi dhe drejtor i Institutit për Gjuhët Amtare të Gjalla dhe Gjuhët e Rrezikuara?

“Të parëve tuaj, po t’u flisni në ëndrrat tuaja, nuk flasin anglisht. Atëherë, në çfarë gjuhe u flisni atyre”.


“Ka një shkëputje nga historia juaj, e cila është shumë reale dhe e prekshme për njerëzit, që përballen me atë që nuk përballet shumica e folësve të anglishtes, spanjishtes apo rusishtes”,
thotë Anderson.

Pikëpamja e Andersonit është shumë me peshë kur bëhet fjalë për gjuhën kete.

Për folësit e saj kjo gjuhë nuk është vetëm urë për t’u lidhur me të parët, por mund të jetë pjesë e një historie më të madhe të njerëzimit.

Studimet e fundit kanë treguar se gjuha kete mund ketë lidhje të largëta farefisnore me gjuhën e amerikanëve të lashtë, si Navaho.

Nëse është ashtu, atëherë kjo lidhje mund të japë një kuptim më të gjerë antropologjik, duke ndihmuar që të kuptohet teoria e migrimit parahistorik nëpër urën e akullt nga Azia në kontinentin e Amerikës.

Dhe, meqë gjuha kete flitet mijëra kilometra nga brigjet lindore të Rusisë, atëherë lidhja mund t’i zgjerojë vlerësimet për shkallën e migrimit.

Për të gjitha këto arsye, gjuhëtarët po shohin të lemerisur se gjuhët, si ajo kete, po shkojnë drejt zhdukjes në këtë botë të globalizuar. Sipas ‘National Geografic Society’, për çdo 14 ditë vdes nga një gjuhë.

Me këtë shpejtësi, në vitin 2100 në botë do të mbeten të fliten pothuaj 3.500 gjuhë.

Pjesët më të goditura do të jenë ato që kanë laramaninë më të madhe të gjuhëve në planet, si Guineja e Re, Kaukazi dhe Siberia.(V.P)
XS
SM
MD
LG