Ndërlidhjet

Albin Kurti as të hënën në gjykatë


Fotografi nga arkivi

Fotografi nga arkivi

Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, nuk do të paraqitet as të hënën në Gjykatën e Qarkut, ku pritet të rifillojë seanca gjyqësore kundër tij, meqë e konsideron atë të motivuar politikisht. Ndërkohë, Këshilli kundër procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit, njofton se ka mbledhur 76 mijë nënshkrime të qytetarëve që e kundërshtojnë këtë proces.


Albin Kurti paralajmëron se nuk do të paraqitet as nesër, por as në ndonjë seancë tjetër gjyqësore kundër tij, që ka ndërlidhje me protestat e 10 shkurtit të 2007-ës.

EULEX-i ka rinisur procesin e lënë në gjysmë nga UNMIK-u kundër Albin Kurtit, i cili akuzohet për “pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale, pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës, në të cilat u vranë dy protestues”.

Aktivisti i “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, thotë se Kurti, sikurse më 15 shkurt, nuk do të paraqitet as në seancën e së hënës. Ai e quan procesin si të motivuar politikisht.

“Kemi të bëjmë me një proces gjyqësor, rasti i të cilit është i padrejtë dhe si rrjedhim nuk mund të ketë aty asgjë të drejtë, nuk mund të ketë gjykim të paanshëm për Albinin”.

“Kemi të bëjmë me një rast, i cili është politikisht i motivuar. E kanë riaktualizuar këtë proces, për ta izoluar, për ta përndjekur, vetëm pse Lëvizja ‘Vetëvendosje’, që ai e udhëheq, është kritike ndaj misionit të EULEX-it dhe punës që ky mision bën në Kosovë”
, thekson Konjufca.

Një panel i përbërë prej gjykatësve të EULEX-it dhe gjykatësve të Kosovës, pas mosparaqitjes së Kurtit në Gjykatën e Qarkut më 15 shkurt, vendosi ta shtyjë seancën për një javë, nën arsyetimin që “t’i jepej kohë të pandehurit për të përgatitur mbrojtjen e tij”.

EULEX-i i ka caktuar Kurtit si avokat zyrtar Ramiz Krasniqin. Ky i fundit ka paraqitur dorëheqjen, por ajo nuk i është pranuar nga paneli gjyqësor.

Krasniqi thotë për Radion Evropa e Lirë se nesër do të marrë vendimin përfundimtar se çfarë do të bëjë.

“Siç e kam dëgjuar z. Kurti, ai ka thënë se nuk dëshiron avokat mbrojtës, prandaj nesër do të vendosi nëse do të paraqitem në gjykatë, ose jo
”, thotë Krasniqi.

Në anën tjetër, Këshilli kundër procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit, bën të ditur se për gjashtë ditë ka mbledhur 76 mijë nënshkrime të qytetarëve, të cilët kërkojnë mbylljen e procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit.

Valon Murati nga ky këshill, thotë se aksioni për mbledhjen e nënshkrimeve do të vazhdojë edhe javën e ardhshme.

“Këtë peticion ne do t’ua dërgojmë të gjitha institucioneve relevante ndërkombëtare dhe vendore. Brenda në Kosovë do ta fillojmë me Kuvendin e Kosovës dhe do të kërkojmë një takim me kryetarin e Kuvendit z. Jakup Krasniqin, të cilit do t’ia dërgojmë peticionin”.

“Nga Krasniqi do të kërkojmë që në emër të atyre qytetarëve që e kanë nënshkruar, të zhvillohet një seancë e jashtëzakonshme, ku do të debatohej për dy kërkesat tona; e para mbyllja e procesit gjyqësor ndaj z Kurti dhe e dyta, bërja presion mbi institucionet ndërkombëtare për të filluar një hetim për vrasjet e 10 shkurtit të 2007-ës”
, shprehet Murati.

Në protestën e 10 shkurtit të 2007-ës, nga shkrepja e plumbave të gomës nga ana e policëve të UNMIK-ut qenë vrarë Arben Xheladini dhe Mon Balaj. Ndërsa, dhjetëra të tjerë qenë lënduar.

Misioni i UNMIK-ut nuk ka dhënë përgjegjësi për vrasjet, me gjithë hetimet e kryera nga prokurorët ndërkombëtarë, të cilat sqaruan se Xheladini dhe Balaj qenë vrarë me plumba gome nga ana e policisë së UNMIK-ut.

Ndërkohë, tani, administrata e OKB-së po shqyrton kompensimin material për familjet e të vrarëve dhe të atyre që pësuan lëndime në protestat e 10 shkurtit.

Por, familjarët e viktimave dhe aktivistë të “Vetëvendosjes”, akuzojnë këtë mision dhe autoritetet rumune për prolongimin e rastit Balaj - Xheladini.
XS
SM
MD
LG