Ndërlidhjet

Procesi kundër Kurtit


Lideri i Lëvizjes "Vetëvendosje"
Lideri i Lëvizjes "Vetëvendosje"


Me gjithë urdhër-arrestin e lëshuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, për ta sjellë Albin Kurtin në Gjykatë, autoritetet e rendit nuk kanë arritur ta gjejnë atë. Paneli i gjykatësve ka vendosur që seancën ta shtyjë për ditën e martë.

Gjyqtari Ferdinando De Mongot, ka thënë se mosprania e të akuzuarit dhe mungesa e gjykatëses vendëse të panelit, ka bërë që seanca të shtyhet.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar dhe zëdhënësja e komponentës së drejtësisë në EULEX, Kristina Herodes.

“Të hënën paneli i gjyqtarëve në Gjykatën e Qarkut ka kërkuar nga Policia e Kosovës që ta sjellë zotin Kurti në gjykatë, por Policia e Kosovës nuk ka gjetur atë”.

“Gjithashtu, njëra nga panelistet e gjykatësve ka pasur problem dhe nuk ka qenë e pranishme dhe kështu gjykimi është shtyrë për nesër në mëngjes”
, ka thënë Kristina Herodes.

Ndërsa, avokati mbrojtës i caktuar nga EULEX-i, Ramiz Krasniqi, i cili më herët kishte ofruar dorëheqje, është detyruar të paraqitet sërish në seancën kundër Kurtit.

Krasniqi ka përsëritur se procesi gjyqësor ndaj Kurtit është i motivuar politikisht.

“Kam deklaruar se ky gjykim është politik dhe nuk kam pranuar që të jem mbrojtës i Albinit. Këtë mospranim e kam bërë edhe pas deklarimit të Albinit në media, kur ka thënë, sikurse dhe herëve të tjera, se ai nuk do avokat”.

“Unë qëndroj pas mendimit, pas dëshirës së Albinit. Prandaj, unë nuk do të jem mbrojtës i Albin Kurtit. Nëse gjykata, sikurse sot, që edhe mua me urdhëresë më ka detyruar të vij në këtë seancë - kjo është diçka tjetër. Gjyqi është gjyq dhe i ka rregullat e veta”
, ka thënë Ramiz Krasniqi.

EULEX-i ka rinisur procesin e lënë në gjysmë nga UNMIK-u, kundër Albin Kurtit, i cili akuzohet për “pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale, pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës, në të cilat u vranë dy protestues”.

Por, aktivisti i “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, ka thënë se procesi ndaj Albin Kurtit është krejtësisht politik. Ai, madje, e ka quajtur seancën e së hënës një seancë policore.

“Lëvizja ‘Vetëvendosje’ mendon që kemi të bëjmë me një proces të motivuar politikish, tash edhe me praktika tërësisht policore. Mund të them se ndërtesa prapa meje, kjo ndërtese e gjykatës, e cila është e kontrolluar nga EULEX-i, është vendi ku më së paku ka drejtësi në Kosovë”,
ka thënë Konjufca.

Konjufca ka mohuar deklaratat, që Albin Kurti është duke u fshehur diku.

“Albin Kurti është në Prishtinë duke i zhvilluar aktivitetet e tij, si gjithmonë. Ai ka shumë takime. Lëvizja ‘Vetëvendosje’ nuk do të ndalet”.

“Albini nuk është fshehur asnjëherë. As sot nuk është paraqitur në Gjykatën e Qarkut, ku ka nisur seanca gjyqësore kundër tij”,
ka thënë Konjufca.

Në anën tjetër, Këshilli kundër procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit, ka bërë të ditur se për gjashtë ditë ka mbledhur 76 mijë nënshkrime të qytetarëve, të cilët kërkojnë mbylljen e procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit.

Në protestën e 10 shkurtit të 2007-ës, nga të shtënat e policëve të UNMIK-ut me plumba gome qenë vrarë Arben Xheladini dhe Mon Balaj. Ndërsa, dhjetëra të tjerë qenë lënduar.

Misioni i UNMIK-ut nuk ka dhënë përgjegjësi për vrasjet, me gjithë hetimet e kryera nga prokurorët ndërkombëtarë, të cilat sqaruan se Xheladini dhe Balaj qenë vrarë me plumba gome nga ana e policisë së UNMIK-ut.

Ndërkohë, tani, administrata e OKB-së po shqyrton kompensimin material për familjet e të vrarëve dhe të atyre që pësuan lëndime në protestat e 10 shkurtit.

Por, familjarët e viktimave dhe aktivistë të “Vetëvendosjes” e akuzojnë këtë mision dhe autoritetet rumune për prolongimin e rastit Balaj – Xheladini.
XS
SM
MD
LG