Ndërlidhjet

Folklandet acarojnë Britaninë dhe Argjentinën

  • RFE /RL

Anija britanike që pritet të bëjë shpimin në ujërat e ishujve Folkland

Anija britanike që pritet të bëjë shpimin në ujërat e ishujve Folkland

Një firmë britanike të hënën pritet të fillojë shpimin për naftë në ujërat rreth ujdhesave Folklande. Hapi i rriti tensionet ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Argjentinës, të cilat zhvilluan një luftë për këto territore në vitin 1982.


Një firmë britanike pritet të fillojë gërmimet për të kërkuar naftë afër ujdhesave të Folklandës, me gjithë kundërshtimet e rrepta nga Argjentina.

Hapi i acaroi marrëdhëniet ndërmjet Londrës dhe Buenos Airesit, të cilat luftuan për këtë territor në vitin 1982.

Ujdhesat Folklande, që ndodhen 450 km nga brigjet lindore të Argjentinës, kanë qenë nën zotërimin e Britanisë që nga viti 1833. Por, ato gjithashtu pretendohen nga Argjentina, ku njihen me emrin Ujdhesat Malvine.

Argjentina pa sukses i pushtoi ujdhesat në vitin 1982, gjë që çoi në një luftë të shkurtër, por të përgjakshme, që la më shumë se 900 të vdekur.

Përderisa Argjentina e përjashtoi mundësinë e një invazioni tjetër, ajo tash po punon kundër sipërmarrjes britanike.

Javën e kaluar, presidentja e Argjentinës, Kristina Kihner, e nënshkroi dekretin, me të cilin urdhëron që çdo anije që kalon nëpër ujërat territoriale të Argjentinës, të kërkojë leje përpara se të shkojë në ujdhesat, me shpresë se kjo do ta ngadalësojë eksploatimin e naftës.

Kihner të hënën pritet të flasë në samitin e liderëve të 25 vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve, i njohur si Grupi Rio. Ajo pritet t’u bëjë thirrje udhëheqësve rajonalë që ta dënojnë eksploatimin britanik të naftës në Folklande.

Në të kaluarën, Grupi Rio i mbështeste pretendimet e Argjentinës.

Venezuela tashmë ofroi përkrahjen e saj. Presidenti Hugo Çavez i bëri këto komente duke iu drejtuar Mbretëreshës Elisabeth gjatë një programi javor televiziv.

“Tash anglezët vazhdojnë të kërcënojnë Argjentinën. Gjërat kanë ndryshuar zonja Mbretëreshë. Nuk jemi më në vitin 1982. Në rast të agresionit kundër Argjentinës, jini të sigurt se atdheu i Argjentinës nuk është i vetëm, sepse ai është edhe atdheu ynë”,
tha Hugo Çavez.

Argjentina tha se Britania po u bishtnon rezolutave të Kombeve të Bashkuara, të cilat bëjnë thirrje për dialog mbi mosmarrëveshjen.

Ministri i Jashtëm, Horge Taiana, tha se Britania "duhet të ulet dhe të të bisedojë për sovranitetin, për ta kapërcyer këtë situatë anakronike kolonialiste”.

Taiana pritet të takohet me kreun e OKB-së, Ban Ki-Mun, më 24 shkurt për t’i inkurajuar bisedimet.

Firma britanike “Desire Petroleum” synon të eksploatojë rreth 60 milionë fuçi naftë të papërpunuar, për të cilën ekspertët thanë se mund të gjendet afër ujdhesave.

Sasia është e njëjtë me rezervat e naftës nga Deti i Veriut, të cilat 25 vjet kontribuuan për prosperitetin e Britanisë.

“Desire është një kompani nafte që eksploaton naftën dhe nuk ndërhyn në atë që Argjentina thotë që të shkohet në Kombet e Bashkuara”
, tha Dejvid Uilli, zëdhënës i kompanisë.

Presidenti i Venezuelës, Hugo Çavez, tha se diplomacia ka mbetur pas ngjarjeve.

“Anglia nuk e kupton se po e cenon ligjin ndërkombëtar, po i cenon parimet themelore të gjeografisë dhe historisë, kohën dhe hapësirën. Ikni që këtej dhe kthejani Malvinet popullit të Argjentinës”
, tha Çavez. (V.P)
XS
SM
MD
LG