Ndërlidhjet

Sërish shtyhet


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Seanca gjyqësore kundër Albin Kurtit, liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, është shtyrë për 2 mars të këtij viti. Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka arrestuar dy aktivistë të kësaj lëvizjeje. Ndërsa, nga vetë “Vetëvendosja” njoftohet për arrestimin e tre aktivistëve të saj.



Seanca gjyqësore kundër Albin Kurtit, liderit të lëvizjes “Vetëvendosje”, është shtyrë për 2 mars të këtij viti. Këtë e bëri të ditur gjyqtari ndërkombëtar, Ferdinando De Mongoto.

Ai tha se seanca shtyhet pasi që në panelin e gjyqtarëve nuk ishte prezente gjyqtarja vendore, Fëllanza Kadiu, si dhe i akuzuari Albin Kurti. Zëdhënësja e EUELX-it, Kristina Herodes, lidhur me këtë çështje, u shpreh:

“Seanca për rastin ‘Kurti’ shtyhet deri më 2 mars, sepse njëra nga panelistët e trupit gjykues është ende e sëmurë. Gjithashtu, për momentin, i akuzuari nuk është prezent”.

Nga ana tjetër, avokati i përzgjedhur nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë për rastin “Kurti”, Ramiz Krasniqi, ripërsëriti për të tretën herë se nuk dëshiron të jetë avokat mbrojtës i Albin Kurtit.

“Pavarësisht konsekuencave që mund t’i kem, më 2 mars nuk do të paraqitem në gjykatë. Të gjitha konsekuencat e mundshme ligjore unë i bart. Pasojat ligjore janë të pakufishme, mund të dënohem me të holla, mund të iniciohet procedurë disiplinore, por mund të merret edhe licenca e avokaturës”.

“Sigurisht që do të ketë procedurë disiplinore, por ajo mua nuk me frikëson dhe është hera e fundit që unë paraqitem në këtë rast. Gjyqtari më tha se nuk pranohet dorëheqja juaj”,
deklaroi Krasniqi.

Zoti Kurti as ditën e sotme nuk është paraqitur në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, me gjithë urdhër-arrestin që gjykatësi kryesues i panelit ka lëshuar për ta sjellë atë në gjykatë.

Gjykatësi Ferdinando De Mongoto tha se Policia e Kosovës duhet të zbatojë fletarrestimin për sjelljen e Kurtit para panelit të gjyqtarëve.

Para fillimit të seancës së sotme, Policia e Kosovës ka arrestuar dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufcën dhe Zgjim Hysenin, të cilët ndodheshin në Gjykatën e Qarkut.

Brahim Sadriu, nga Policia e Kosovës, tha se arrestimi i tyre është bërë në bazë të një urdhër-arresti nga Gjykata Komunale në Prishtinë.

“Ne kemi marrë urdhëresën për t’i arrestuar këta dy persona dhe për t’i dërguar në gjykatë. Vetëm kemi ekzekutuar një urdhëresë të gjykatës, që është edhe detyrë e jona”, deklaroi Sadriu.

Kryetari i Gjykatës Komunale, Nuhi Uka, tha se urdhër-arresti ndaj Konjufcës dhe Hysenit është lëshuar meqë "ata nuk i janë përgjigjur ftesës për të konfirmuar akuzën për dëmtimin e automjeteve të EULEX-it, verën e vitit të kaluar".

“Arsyeja është se ata nuk i janë përgjigjur ftesës në mënyrë të rregullt, për shkakun e dëmtimit të automjeteve të EULEX-it”, theksoi Uka.

Nga ana tjetër, Visar Ymeri, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se janë arrestuar tre aktivistë të kësaj lëvizjeje: Glauk Konjufca, Zgjim Hyseni dhe Blerim Maqastena. Ky i fundit - aktivist në Podujevë.

Ymeri tha se veprimet e fundit dëshmojnë për ndjekje sistematike të të gjithë aktivistëve të “Vetëvendosjes”.

“Ky arrestim i sotëm tregon qartazi se EULEX-i ka vendosur në bashkëpunim me institucionet vendore të sigurisë, siç janë: policia dhe gjykatat. Kanë vendosur të bëjnë një përndjekje sistematike kundër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje”.

“Me këtë synojnë atë që ne e kemi paralajmëruar shumë më herët, që EULEX-i ka për qëllim të kriminalizojë çfarëdo rezistence paqësore kundër misioneve dhe kundër sundimit ndërkombëtar mbi Kosovë”
, u shpreh Ymeri.

Ndryshe, EULEX-i ka rinisur procesin e lënë në gjysmë nga UNMIK-u kundër Albin Kurtit, i cili akuzohet për “pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale, pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës, në të cilat u vranë dy protestues”.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje e ka cilësuar procesin gjyqësor kundër tij të motivuar politikisht.
XS
SM
MD
LG