Ndërlidhjet

Riformatizimi i skenës politike


Ligjvënësit kosovarë

Ligjvënësit kosovarë

Analistët në Prishtinë i shohin si pozitive lëvizjet e fundit brenda spektrit politik kosovar dhe paralajmërimet për formimin e partive të reja. Çdo dinamizim i skenës politike, sipas tyre, paraqet hap pozitiv në zhvillimin e demokracisë.


Skena politike në Kosovë ka nevojë për parti dhe konfiguracione të reja, thonë analistët në Prishtinë. Por, sipas tyre, ende ka mungesë serioze të kapaciteteve për krijimin e partive serioze, andaj skena më shumë po i nënshtrohet një lloj rikonfigurimi.

Analisti Shkëlzen Maliqi thotë se Kosova ka nevojë për një profilizim të spektrit politik, edhe pse ai e sheh si të vështirë këtë synim.

Po ashtu, ai e sheh si mjaft të vështirë krijimin e një partie serioze të qendrës, e cila do të vihej mes bllokut të partive që do të rreshtoheshin kah Partia Demokratike e Kosovës dhe atyre që do të rreshtoheshin kah Lidhja Demokratike e Kosovës.

E vetmja parti më serioze që mund të freskojë skenën politike, sipas Maliqit, mund të jetë Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.

“Kemi paralajmërimin e ‘Vetëvendosjes’ se ndoshta do të bëhet parti politike. Kjo mund të jetë një alternativë, por as kjo nuk është ajo qendra që paralajmërohet”.

“Mund të jetë një opozitë e tipit të ndryshëm, pak më radikale në kërkesa, e ndoshta rikthehet një retorikë edhe më e fortë patriotike, edhe kërkesa për bashkim me Shqipërinë, por kjo është një prej politikave që e kemi në skenë tash”
, thotë Maliqi.

Një dobësi tjetër e këtij spektri politik, sipas analistit Shkelzen Maliqi, është se të gjitha partitë politike kanë vetëm politika djathtiste dhe nuk ka një të majtë politike.

Andaj, për krijimin e qendrës, ai thotë se fillimisht duhet të dihet se kush në të vërtetë e përfaqëson sot të majtën, përderisa për të djathtën ekziston një proklamim i LDK-së, AAK-së dhe LDD-së bashkë me disa parti më të vogla.

“Mendoj se i tërë spektri tash është praktikisht i djathtë ose në shërbim të së djathtës dhe nuk kemi të majtë. Edhe PDK-ja momentalisht është në krye të privatizimit të gjithçkaje në Kosovë dhe nuk tregon ndonjë shenjë se mërzitet për politikat sociale ose për ndonjë program të majtë”.

“Ky profilizim tash i pret të gjitha partitë, por të shohim, nuk po paragjykoj”
, shprehet Maliqi.

Ndërkohë, sipas analistit Halil Matoshi, skena politike në Kosovë po dinamizohet dhe po bëhet më interesante. Ai e sheh si një alternativë shumë serioze Lëvizjen Vetëvendosje, duke besuar se përfshirja e saj në politikë do të ishte pozitive për zhvillimet politike në Kosovë.

“Në skenë mbase po hyn edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila, në kontinuitet, tash edhe nga pushteti vendor, por edhe nga EULEX-i dhe ndërkombëtarët, është duke u martirizuar dhe ky martirizim sigurisht që do ta fuqizojë tek elektorati kosovar këtë lëvizje, e cila mund të hyjë fuqishëm në Kuvendin e Kosovës”.

“Konsideroj se po dinamizohet skena politike dhe po vijnë kohëra më të mira”
, vlerëson Matoshi.

Ndërkohë, si pjesë të ridizajnimit interesant të spektrit politik, Matoshi e sheh edhe grupimin e partive të ndryshme rreth LDK-së.

Sipas Matoshit, këto lëvizje janë pjesë e planeve politike të Isa Mustafës, i cili në zgjedhjet e fundit lokale doli si një prej figurave kryesore politike të LDK-së, pas fitores bindëse për kryetar të Prishtinës.

“Rreth orbitës së LDK-së po afrohen subjekte më të vogla, siç ndodhi me Partinë Reformiste Ora. Mund të ndodhë edhe rikthimi në shtëpi i LDD-së dhe animi i PSDK-së së Agim Çekut”.

“Pra, projekti Isa Mustafa ka filluar t’i japë frytet e tij, të realizohet, sepse ai po dëshiron që ta fuqizojë partinë për zgjedhjet e ardhshme, që, në mos t’i fitojë zgjedhjet, të paktën të jetë partner serioz i një koalicioni të ri qeverisës në vend”
, thotë Matoshi.

Të gjitha këto lëvizje politike shihen si parapërgatitje për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat, sipas agjendës zyrtare, pritet të mbahen në fund të vitit 2011.

Kurse, nevoja për ndryshime dhe freskime në kuadër të spektrit politik, besohet se ka rrjedhur edhe nga ngjashmëria e madhe ndërmjet partive ekzistuese.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG