Ndërlidhjet

logo-print

Strategjia për veriun konsiderohet nga ambasadori amerikan, Kristofer Dell, si një pikë kthese në historinë e Kosovës. Por, zbatimi i saj ngjall dilema. Shefi i ICO-së, Piter Feith, thotë se për këtë gjë do të shkojnë muaj e vite. Qeveria kërkon ndihmën e EULEX-it e të KFOR-it. Për analistët është i papranueshëm distancimi i këtyre dy trupave nga strategjia.



Strategjia për integrimin e veriut vlerësohet si një dokument shumë i mirë, por zbatimi në terren thuhet se do të jetë i vështirë. Për këtë thuhet se kontribuon distancomi i EULEX-it dhe KFOR-it nga strategjia, e cila ka për qëllim kthimin e kontrollit të autoriteteve të Prishtinës në veri.

Ndërkohë, përfshirja e këtyre dy organizmave është edhe kërkesa që po e potencon tash sa kohë Qeveria, e cila hartoi strategjinë në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare.

“Nga faktorët ndërkombëtarë, që veprojnë në Kosovë, në veçanti nga EULEX-i dhe KFOR-i, kërkojmë angazhim për zbatueshmërinë e kësaj strategjie, ngase kjo strategji në asnjë pikë nuk tejkalon kompetencat e tyre apo nuk parasheh angazhime shtesë”, tha zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Ndërkohë, në konferencën për këtë strategji, të organizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme, shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, sqaroi se zbatimi i strategjisë nuk është çështje e javëve, por e muajve dhe viteve.

“Situata e krijuar atje, nuk do të jetë lehtë e ndryshueshme. Me shkopin magjik nuk mund të ndryshojmë diçka që ka zgjatur për kaq shumë kohë. Integriteti territorial është parimi kryesor që duhet mbrojtur dhe ICO-ja i ndihmon qeverisë ta mbrojë atë”, tha Feith.

Ai numëroi një sërë gjërash, që nuk duhet të ndodhin gjatë zbatimit të strategjisë.

“Një nga to është se ne nuk duam konflikt të armatosur në veri të Kosovës, por, në të njëjtën kohë, nuk duam një konflikt të ngrirë, sikur që nuk e favorizojmë edhe ndarjen”.

“Të gjitha shtetet janë pajtuar se nuk duhet të ketë ndarje
”, tha Feith, i cili shfaqi shpresën se mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do t’i lehtësojë gjërat edhe kur është në pyetje veriu.

Ai vlerësoi se pas këtij vendimi, Serbia do të jetë me bashkëpunuese, ndërkohë që Beogradi shihet si një nga faktorët kryesorë në zbatimin e strategjisë.

Beogradi, që nga viti 1999, financon strukturat paralele, të cilat kanë nën kontroll pothuaj tërë pjesën veriore të vendit.

Një mbështetje e fuqishme për strategjinë erdhi nga ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Kristofer Dell. Ai është optimist se plani do të ketë sukses, pasi, siç tha, ai është i bazuar në dy dokumente që pranohen në masë të madhe nga të gjithë - Rezoluta 12 44 dhe Plani i Ahtisarit.

“Në një formë, mendoj se kjo qasje gjithëpërfshirëse është nënvlerësuar, sepse, në fakt, ajo paraqet një pikë kthese në historinë e Kosovës, sepse paradigmat e 10 apo 20 vjetëve të fundit janë lënë pas, për të nisur diçka të re. Qasja gjithëpërfshirëse hap perspektivë për bashkëpunim rajonal”.

“Ndërsa, reagimet fillestare të Beogradit kanë qenë negative dhe në disa raste pothuajse histerike. Unë mendoj se me planin po i bëjmë një favor të madh Serbisë, sikurse edhe Kosovës, në zgjidhjen e këtyre çështjeve dhe hapjen e një rruge për një të ardhme të re dhe bashkëpunuese”
, tha ambasadori Dell.

Por, ajo që nuk shihet me sy të mirë nga analistët politikë, është, siç e vlerësojnë ata, distancimi i BE-së nga plani në fjalë. I deleguari i BE-së për veriun, ambasadori italian, Majkëll Gjifoni, ka përsëritur disa herë se dokumenti nuk është i BE-së.

“Të përgjigjesh për qëndrimin e BE-së ndaj strategjisë, është lehtë dhe vështirë. Por, duhet të fillojmë nga fakti se ky nuk është dokument i BE-së”.

“Kur ekziston mundësia për të punuar për objektivat që janë të njëjta me të BE-së, atëherë natyrisht se nuk do të kishte pengesa për BE-në, për 27 vendet anëtare që ta lejojnë punën e misionit të BE-së dhe të institucioneve të BE-së, që janë përmendur në qasjen gjithëpërfshirëse”.

“Por, puna nuk do të jetë me automatizëm. Do të jetë e vështirë, sepse gjithçka në Bruksel është e vështirë dhe problematike, por nuk do të jetë e pamundur, sepse Kosova ka perspektivë evropiane”,
u shpreh Gjifoni.

Në anën tjetër, duke folur në cilësinë e analistit politik, Blerim Shala, shprehu skepticizmin e tij për zbatimin e strategjisë, pasi, siç tha ai, autoritetet që do të duhej ta kthenin sundimin e ligjit në veri, nuk po tregohen të gatshme ta bëjnë këtë.

“Si mund të pritet se do të zbatohet ky dokument, nëse EULEX-i dhe KFOR-i, e për më tepër BE-ja, këtë na e vërtetoi zoti Feith dhe ambasadori Gjifoni, nuk mbështet parimisht këtë dokument”, tha Shala.

Analistët po ashtu kanë kërkuar një unitet nga i tërë spektri kosovar, në mënyrë që të arrihet një konsensus kombëtar për çështjen e veriut. Në debat është kërkuar nga Uashingtoni dhe Brukseli që t’i bëjnë trysni Beogradit në lidhje me veriun e Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG