Ndërlidhjet

logo-print

SHBA: Kalon koha dhe durimi për Iranin

  • RFE /RL

Iran

Iran

Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar Iranin se “po kalon koha dhe durimi” rreth programit kundërthënës bërthamor.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, i ripërsëriti paralajmërimet amerikane për “pasoja”, nëse Irani vazhdon t’i zhvillojë kapacitetet për pasurimin e uraniumit.

“Është e qartë se njoftimet e vazhdueshme që po bëhen në Iran, demonstrojnë se ata nuk kanë interes në ndërtimin e mirëbesimit ndërkombëtar, se programi bërthamor i tyre është për qëllime paqësore. Vazhdimi i këtyre hapave, siç ka thënë presidenti Obama dhe aleatët tanë, do të çojë në pasoja”, tha Gibs.

Dje, Teherani i ka dorëzuar një letër Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, që është përgjigjja e parë zyrtare ndaj planit të OKB-së.

Në letër, Irani i ka paraqitur kushtet e veta që të heqë dorë nga pjesa më e madhe e uraniumit të pasuruar.

Por, Teherani ka përcaktuar kushte, që nuk plotësojnë atë që kërkohet nga SHBA-të dhe fuqitë tjera botërore.

Dokumenti thotë se Teherani është i gatshëm ta dorëzojë pjesën më të madhe të stoqeve, por kërkon të pranojë karburant për reaktorin e tij bërthamor dhe që shkëmbimi i tillë të bëhet në territorin e Iranit.

Fuqitë perëndimore kanë ofruar që shkëmbimi të bëhet jashtë territorit të Iranit.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Filip Krouli, gjithashtu e quajti propozimin të “papranueshëm”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se Uashingtoni nuk është i vetëm në qëndrimet e tij ndaj Teheranit.

Ju me siguri i keni parë komentet tona, i keni parë komentet e rusëve dhe të tjerëve rreth faktit se koha po kalon dhe durimit po i vjen fundi”, tha Gibs.

Të hënën, Teherani tha se po e konsideron ndërtimin e dy uzinave të tjera për pasurimin e uraniumit në brendi të maleve për t’i mbrojtur nga sulmet ajrore.

Irani këmbëngul se aktivitetet bërthamore të tij janë paqësore.

Por, në një raport të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore thuhet se agjencia është e shqetësuar se Irani aktualisht mund të punojë për prodhimin e kokave bërthamore, duke lënë të kuptohet se Teherani ose i ka vazhduar punimet e tilla, ose asnjëherë nuk i ka ndalur, siç kanë menduar shërbimet informative amerikane. (V.P.)

XS
SM
MD
LG