Ndërlidhjet


Trafikimi me qenie njerëzore vazhdon të mbetet një ndër problemet kryesore, me të cilin ballafaqohet shoqëria kosovare.

Për dallim nga vitet e pasluftës, kur viktima të trafikimit kanë qenë kryesisht femrat nga Moldavia, Rumania, Bullgaria, Ukraina, në tre vjetët e fundit është rritur numri i femrave kosovare që trafikohen, thotë Arben Paçarizi, shef i sektorit të hetimit të trafikimit të qenieve njerëzore në Policinë e Kosovës.

Nga viti 2006 e deri më tash, numri i viktimave kosovare, të identifikuara nga policia, është në rritje. Nga analizat tona rezulton se pas zgjerimit të Bashkimit Evropian, ka rënë numri i femrave të huaja të trafikuara në Kosovë”, thotë Paçarizi.

Ai pohon se autoritetet e rendit tashmë kanë hartuar një strategji nacionale kundër trafikimit 2008-2011.

“Është krijuar sekretariati, grupi ndërministror, procedura standarde e intervistimit të viktimave trafikimit, si dhe kujdesi minimal i viktimave”.

“Në momentin që identifikohet viktima, ajo strehohet në strehimore të ndryshme derisa të kryhet faza e parë në gjykatë. Nga ana e policisë është e siguruar. Pastaj kyçen Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Drejtësisë, për socializmin e tyre”
, shpjegon Paçarizi.

Në anën tjetër, Linda Gusia, sociologe, thotë se shumica e vajzave, viktima të trafikimit, janë të mitura. Sipas saj, shkaku kryesor është gjendja e rëndë ekonomike. Edhe zonja Gusia pohon rritjen e numrit të vajzave kosovare, të cilat janë viktima të trafikimit.

“Trafikimi te ne ka qenë një temë e përfolur pas luftës. Kemi pasur një fluks të madh të vajzave të trafikuara nga vendet fqinje. Ky trend ka ndërruar shumë në tre vjetët e fundit. Tash, kryesisht, janë vajza të Kosovës, të vendeve rurale të Kosovës”.

“Problemi është se këto vajza janë shumë shpesh të mitura; 16-vjeçare, të mashtruara nga njerëz që u premtojnë se do të dalin të gjejnë punë në qytet”
, thotë Gusia.

Problem në këtë aspekt ajo e sheh mungesën e strehimoreve, ku viktimat do të mund të rehabilitoheshin për të shpëtuar nga rrjeti i trafikantëve.

“Strehimoret kanë qenë të dizajnuara për riatdhesim, për akomodim të vajzave që nuk janë nga Kosova, ndërsa nuk ka strehimore që merren me vajza të trafikuara të Kosovës, edhe pse gjithmonë kanë qenë dyert e hapura edhe për vajzat tona”, shprehet Gusia.

Ndërkaq, Organizata për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, që vepron në Kosovë, ka për qëllim që t’i ndihmojë viktimat e trafikimit, pastaj parandalimin e kushteve që nxisin trafikimin e tyre dhe rehabilitimin e viktimave.

Teuta Abrashi, zyrtare në këtë organizatë, thotë se që nga viti 2005 organizata është koncentruar për t’i ndihmuar veçanërisht vajzat kosovare të trafikuara, meqë numri i tyre çdo ditë është në rritje.

“Në fushën e rehabilitimit kemi ndihmuar rreth 600 viktima potenciale të trafikimit”, thotë ajo.

Zonja Abrashi përmend si sfidë vetëdijesimin e vajzave për t’iu shmangur rrjetit të trafikimit. Për autoritetet kjo ka qenë sfidë më vete që prej fillimit, posaçërisht te viktimat potenciale nga mosha 12 deri në 18-vjeçare.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG