Ndërlidhjet

Në Kosovë ka filluar absorbimi i mjeteve të fituara në konferencën e donatorëve. Zyrtarë qeveritarë pohojnë se një pjesë e donacioneve tashmë është investuar në sektorë të ndryshëm publikë në Kosovë. Por, njohës të çështjeve ekonomike janë skeptikë në menaxhimin e duhur të këtyre mjeteve.


Mjetet e fituara nga konferenca e donatorëve, sidomos ato të donatorëve më të mëdhenj, që ishin Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania, janë në proces të zbatimit në Kosovë, thonë zyrtarë qeveritarë.

Edon Cana, kryeshef i Agjencisë për Koordinim të Donacioneve, Zhvillim dhe Integrime Evropiane, thotë se alokimi i mjeteve është duke shkuar sipas dinamikës së paraparë.

“Komisioni Evropian, deri më tani, mbi 350 milionë euro i ka nënshkruar me Qeverinë e Kosovës, me qëllim të përmbushjes së kritereve politike dhe ekonomike, si dhe përmbushjes së legjislacionit sa u përket kritereve të Kopenhagës”, thotë Cana.

Shuma e përgjithshme e mjeteve të fituara në Konferencën e Donatorëve është 1.2 miliard euro. Vetëm Komisioni Evropian ka dhënë 500 milionë euro, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës - 400 milionë dollarë. Por, edhe një pjesë e mjeteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës tashmë është në dispozicion të qeverisë, thotë Cana.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë mjetet në dispozicion; gati 200 milionë euro sa i përket borxhit të jashtëm që Kosova e ka trashëguar nga ish-Jugosllavia. Ndërsa, me mbi 50 milionë euro (qeveria) është duke investuar në fusha të ndryshme, si në forcimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, apo në zhvillimin ekonomik”, shpjegon Cana.

Ai thotë se, vitin e kaluar, edhe Gjermania ka alokuar 50 milionë euro për të investuar në ngrohtoren “Termokos”, në ngritjen e kapacitetit të ujësjellësit rajonal “Prishtina”, ndërkohë që një pjesë e tyre, sipas tij, do të shpenzohet për energji elektrike.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike vlerësojnë se efektet e shpenzimeve të këtyre mjeteve nuk po vërehen, për shkak të mungesës së kapaciteteve për absorbimin e tyre.

Berat Rukiqi, sekretar i përgjithshëm në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se shpeshherë kanë munguar edhe projekte për financim nga donacionet.

“Efekti i tyre nuk shihet praktikisht në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Kryesisht, efekti i tyre shihet në ngritjen e kapaciteteve institucionale, mirëpo edhe këtu kemi hapa të ngadalshëm, për shkak se nuk janë identifikuar prioritetet”, shprehet Rukiqi.

Ai thotë se që nga fillimi, autoritetet vendore nuk i kanë identifikuar sektorët, të cilët ndikojnë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës. Sipas Rukiqit, donacionet duhet të orientohen në fushat, të cilat e përkrahin sektorin privat.

“Fushat që e përkrahin sektorin privat, infrastruktura, implementimi i rendit dhe ligjit, projektet që kanë karakter publik, edukimi - të gjitha këto janë prioritete, të cilat janë edhe parakushte për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Pra, këtu duhet të orientohen të gjitha energjitë”.

“Prandaj, unë mendoj se ngritja e kapaciteteve dhe alokimi i donacioneve do të duhej të bëheshin në këto fusha që i përmenda”
, thekson Rukiqi.

Ndryshe, konferenca e donatorëve është mbajtur më 11 korrik të vitit 2008, në Bruksel, vetëm pesë muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Shfrytëzimi i donacioneve të fituara në këtë konferencë monitorohet nga vetë donatorët.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG