Ndërlidhjet

KFOR-i dhe EULEX-i s'përfshihen në strategji


Ftesës së qeverisë, që KFOR-i dhe EULEX-i t’i bashkohen strategjisë për veriun, këta të fundit vazhdojnë t’i përgjigjen negativisht. Detyrat që i përcaktohen EULEX-it në strategji, janë po ato për të cilat është i mandatuar ky mision.



Një përgjigje e thjeshtë e KFOR-it dhe e EULEX-it ka pasuar ftesën e Qeverisë së Kosovës që këta trupa të angazhohen në zbatimin e strategjisë për veriun.

Të dyja këto institucione thonë se nuk janë pjesë e strategjisë dhe se çdo veprim të tyre në Kosovë do ta bëjnë në përputhje me mandatin që kanë.

“Ky nuk është dokument i BE-së dhe krejt çka mund të them është se EULEX-i është konsultuar për këtë gjë. Ndaras nga kjo, EULEX-i po vazhdon të punojë në fushën e sundimit të ligjit, jo vetëm në veri, por në tërë Kosovën”
, thotë zëdhënësi i EULEX-it, Nikolas Hotën.

Strategjia, e cila ka pësuar disa ndryshime nga versioni i parë i publikuar në media, në fokus ka kthimin e sundimit të ligjit në veriun e vendit. Për këtë kërkohet ndihma e EULEX-it dhe e KFOR-it.

Në strategji thuhet se reduktimi i KFOR-it mund të krijojë hapësirë për forcimin e elementeve radikale që kontrollojnë strukturat paralele serbe në veri. Por, zëdhënësi i KFOR-it, Hans Peter Buh, hedh poshtë mundësinë e angazhimit të KFOR-it në strategji.

“Nuk ka angazhim të KFOR-it në strategji. I vetmi angazhim që do ta ketë KFOR-i, është nëse do të ketë trazira në veri, ose pjesë të tjera. Pra, nëse rrezikohet situata e sigurisë, atëherë KFOR-i do të veprojë apo reagojë. Jashtë kësaj, KFOR-i nuk është i angazhuar në të ashtuquajturën strategji për veriun”, thekson për Radion Evropa e Lirë koloneli Buh.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë qartësuar për KFOR-in dhe EULEX-in se angazhimi i tyre në përpjekjet për të kthyer kontrollin në veriun e vendit, nuk del jashtë kompetencave të tyre.

Kjo vlen sidomos për EULEX-in, nga i cili, ndër të tjera, kërkohet që t’i funksionalizojë gjykatat në veri, të kthejë kontrollin në Doganat e Kosovës dhe të forcojë Policinë e Kosovës. Janë po këto fusha, për të cilat është i mandatuar EULEX-i. Sidoqoftë, ky mision nuk pranon të jetë pjesë e strategjisë.

“Krejt ajo që mund të them është se EULEX-i do të vazhdojë të zbatojë mandatin e tij, i cili ka të bëjë me përmirësimin e sundimit të ligjit në tërë Kosovën, kryesisht në dogana, polici dhe drejtësi. Ne kemi filluar ta bëjmë këtë, do të vazhdojmë ta bëjmë dhe në të ardhmen”
, thotë Hotën.

Strategjia parasheh krijimin e një trupi të përbërë nga të gjithë akterët ndërkombëtarë në Kosovë, si ICO-ja, EULEX-i, KFOR-i, institucionet e BE-së, UNMIK-u e Qeveria e Kosovës, trup ky që do të mbante takime të rregullta.

Përfaqësues të KFOR-it nuk kanë përjashtuar mundësinë e pjesëmarrjes në një trup të tillë, por pa harruar të përsërisin se pjesëmarrja nuk i bën ata pjesë të strategjisë për veriun.

“Ne kemi bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar dhe me institucionet e Kosovës. Kështu që, nëse ata e thërrasin KFOR-in që të marrë pjesë në bisedime, takime, natyrisht që KFOR-i do të marrë pjesë. Por, kjo nuk nënkupton se KFOR-i do të ndërmarrë veprime. Mendoj se këto janë dy gjëra të ndryshme”, thotë koloneli Buh.

Ndërkohë, përfaqësues të KFOR-it kanë kritikuar një nga pikat e strategjisë, në të cilën thuhet se me reduktimin e KFOR-it, mund të forcohet prania e elementeve radikale në veri.

“Çdokush që del dhe thotë gjëra të tilla, krijon konfuzion te njerëzit. KFOR-i është shumë mobil dhe me reduktimin në 10 mijë forca, mund të dëshmojmë se mund të jemi në çdo vend në Kosovë, në periudhë shumë të shkurtër”.

“Ne po bëjmë shumë ushtrime. Në dy ditët e kaluara i kemi dislokuar dy kompani amerikane në veri. Kemi dëshmuar shpesh edhe me kombet tjera në veri, kur ishin të vendosura në kampin Noting Hill, se ne jemi kudo”
, shprehet zëdhënësi i KFOR-it, Hans Peter Buh.

Zyrtarë të KFOR-it kanë thënë se çështja e veriut duhet të zgjidhet përmes bisedimeve dhe jo dhunës.

Dokumenti për kthimin e kontrollit në veri vlerësohet si mjaft i mirë, por vështirë i zbatueshëm. Kësaj, sipas analistëve, i kontribuon mosuniteti i misioneve ndërkombëtare në Kosovë karshi dokumentit.
XS
SM
MD
LG