Ndërlidhjet

“Beogradi nuk ka guxim ta thotë atë që është reale. Kjo është mungesë e guximit dhe jo mungesë e perceptimit se çka po ndodh në të vërtetë”, thotë politikania serbe, Rada Trajkoviq. Këto komente vijnë pasi që Beogradi zyrtar kundërshtoi strategjinë, duke thënë se "zbatimi i saj është i papranueshëm jo vetëm për veriun, por për gjithë Kosovën".



Integrimi i veriut të Kosovës është i pranueshëm, por për këtë çështje duhet të ketë konsultime me serbët e Kosovës, si dhe të ketë bashkërenditje të veprimeve në këtë drejtim, vlerësojnë politikanët serbë të Kosovës qendrore, Rada Trajkoviq dhe Sllavisha Petkoviq, duke reaguar ndaj deklaratave të ministrit serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq.

Ky i fundit ka kundërshtuar strategjinë e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe të Qeverisë së Kosovës për integrimi e veriut. Ai ka thënë se zbatimi i strategjisë është i papranueshëm jo vetëm për veriun, por për gjithë Kosovën.

Rada Trajkoviq thotë se duhet pasur parasysh faktin se në mesin e serbëve, madje edhe në Beograd dhe në Kuvendin e Serbisë, nuk ekziston totalitarizmi sa i përket mënyrës së të menduarit.

“Nuk mund të pritet që të gjithë serbët të mendojnë në mënyrë identike. Nëse guxoj t’ia lejoj vetes këtë të drejtë, atëherë unë them se nuk mendoj në atë mënyrë. Unë nuk do ta pranoja orientimin decidiv se integrimi i veriut të Kosovës është i papranueshëm”, thotë Trajkoviq.

Sipas saj, integrimi i veriut është i pranueshëm, siç tha, jo për hir të shqiptarëve, por për hir të serbëve në jug të lumit Ibër, nëse modalitetet do të nënkuptonin lidhjet institucionale edhe me Prishtinën, para së gjithash, në fushën e institucioneve për zbatimin e ligjit.

Ndërsa, Sllavisha Petkoviq e quan të vonuar strategjinë për integrimin e veriut. Sipas tij, aty ku ka nevojë që të vendoset rendi dhe ligji, kjo duhet të bëhet pa kompromis.

“Ligji duhet të jetë ligj dhe për vendosjen e tij nuk duhet bërë kompromise se a ka të bëjë kjo me veriun, jugun apo lindjen. Kjo është e parëndësishme. Ligji duhet të vendoset në tërë territorin e Kosovës dhe ai duhet të jetë i njëjtë për të gjithë”.

“Por, çdo çështje të vonuar ose lëshimi, çfarë është rasti me veriun e Kosovës, duhet zgjidhur me shumë kujdes dhe me konsultime”
, thotë Petkoviq, për të shtuar se lidhur me këtë strategji nuk janë konsultuar serbët e Kosovës dhe kjo i bën ata që ta shikojnë me skepticizëm realizimin e saj.

Ndryshe, lidhur me deklaratën e ministrit serb, Bogdanoviq, se nuk duhet pranuar insistimet për shuarjen e institucioneve të Serbisë në Kosovë, zonja Trajkoviq thotë se këto institucione janë rezultat i mospranimit të shqiptarëve, menjëherë pas luftës, që të punojnë bashkërisht me serbët.

Sipas saj, te serbët tash ekziston mosbesimi ndaj institucioneve, në të cilat shqiptarët janë shumicë. Por, siç thotë Trajkoviq, duhet kërkuar një zgjidhje lidhur me këtë problem.

Unë mendoj se veriu i Kosovës duhet ta ketë një status special, që unë e quaj distrikt, i cili në fakt do të ishte një hapësirë, e cila, në një mënyrë, do të pajtonte shtetin e Serbisë dhe institucionet në Prishtinë. Kjo hapësirë do të ishte urë e bashkëpunimit, e jo urë që nxit kundërshtime dhe shkatërrime”, thotë Trajkoviq.

Por, Sllavisha Petkoviq vlerëson se të ashtuquajturat institucione serbe në Kosovë, ndryshe nga më parë, tani janë më tepër burim i problemeve sesa i zgjidhjeve për serbët e Kosovës.

Aktualisht, të ashtuquajturat institucione të Serbisë në Kosovë më shumë i krijojnë probleme bashkësisë serbe, sesa që i bëjnë diçka të mirë. Ato nuk janë funksionale, por shërbejnë që një numër i njerëzve të ketë ndoshta disa privilegje dhe disa paga. Por, numri i këtyre njerëzve është shumë i vogël në krahasim me numrin e përgjithshëm të serbëve që jetojnë në Kosovë”, shprehet Petkoviq.

Sipas tij, as Prishtina nuk ka qenë mjaft aktive që t’i zëvendësojë institucionet e Serbisë dhe nuk u ka ofruar serbëve ndonjë zgjidhje lidhur me këtë situatë.

Sidoqoftë, zyrtarët e Qeverisë në Serbi kanë deklaruar se nuk kanë ndonjë kundër- strategji përballë strategjisë së Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe të Qeverisë së Kosovës për veriun.

Rada Trajkoviq thotë se veprimi i tillë i Beogradit mund të nxisë dyshime se ai është i orientuar kah ndarja e Kosovës.

“Dikush do të mund të thoshte se Beogradi po shkon në drejtim të ndarjes së Kosovës, gjë të cilën unë nuk e besoj. Thjesht, Beogradi nuk ka guxim që ta thotë atë që është reale”.

“Kjo është mungesë e guximit dhe jo mungesë e perceptimit se çka po ndodh në të vërtetë dhe çfarë duhet të jetë zgjidhja normale, e cila do të udhëhiqte drejt stabilitetit të rajonit”
, përfundon Trajkoviq.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG