Ndërlidhjet

Presidenti i shtetit thotë Evropa, kurse ministri i Jashtëm thotë Kosova. Politika e jashtme e Serbisë sot nuk mund të sillet vetëm rreth një teme - statusit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë Vladimir Paviçeviq, anëtar i Forumit për Marrëdhënie të Jashtme.



Një intervistë e presidentit të ri të Kroacisë, Ivo Josipoviq, shkaktoi reagimin e ambasadës serbe në Zagreb.

“Konsiderojmë se fyerjet nuk janë model i zakonshëm për komunikimin ndërmjet shteteve”, thuhej mes tjerash në reagimin e ambasadës së Serbisë.

Po, çfarë kishte thënë Josipoviqi? Në një intervistë për të përditshmen “Jutarnji List”, më 20 shkurt, presidenti kroat e kishte quajtur iracionale arsyen për të cilën presidenti serb, Boris Tadiq, nuk kishte ardhur në inaugurimin e tij. Tadiq nuk mori pjesë për shkak të pranisë së presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Analisti Vladimir Paviçeviq, nga Forumi për Marrëdhënie të Jashtme në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se në deklaratën e Josipoviqit nuk ka asgjë kontestuese.

“Ky rast me ambasadën tonë flet për konfuzionin në politikën tonë të jashtme. Serbia është lider i vetëshpallur në rajon, ndërsa nuk dëshiron të marrë pjesë në tubimet rajonale”.

“Presidenti i shtetit thotë Evropa, kurse ministri i Jashtëm thotë Kosova. Serbia e definon Evropën si prioritet të politikës së jashtme, por shumë pak punon për harmonizimin e marrëdhënieve në rajon”
, thotë Paviçeviq.

Sipas tij, deklarata e Josipoviqit vetëm i ka nxjerrë në pah mangësitë e politikës së jashtme të Beogradit.

“Konsideroj se në atë intervistë që e kam lexuar, nuk ka kurrfarë fyerjeje apo smire, por presidenti Josipoviq na ballafaqon me atë që po ndodh në politikën e jashtme të Serbisë, sidomos sa i përket rajonit”, pohon Paviçeviq.

Por, çfarë mendon analisti nga Beogradi për ndarjen e roleve në politikën e jashtme ndërmjet presidentit Tadiq dhe shefit të diplomacisë, Vuk Jeremiq?

Duket qartë se ne në Serbi, në njëfarë mënyre, jemi të dënuar me teket e ministrit të Jashtëm. Ai gjithmonë po bën ndonjë gafë. Të kujtojmë vetëm rastin me presidentin e Maqedonisë, pas të cilit presidenti i Serbisë duhej të intervenojë për ta zbutur dëmin që e shkaktoi ministri i Jashtëm i tij”.

“Mendoj se pyetje themelore është se si krijohet politika e jashtme e Serbisë, përse qeveria nuk e diskuton politikën e jashtme në tërësi, përse ministri i Jashtëm nuk paraqet ekspoze, që ta dimë se cilat janë shtyllat dhe prioritetet. Dhe jo kështu, që me frikë t’i presim komentet e tij në vizitat që i bën në botë”.

“Politika e jashtme e Serbisë sot nuk mund të sillet vetëm rreth një teme - statusit të Kosovës”
, thotë Paviçeviq për Radion Evropa e Lirë.

Shefi i diplomacisë së Sllovenisë, Samuel Zhbogar, ka paralajmëruar mundësinë e takimit të presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, në tubimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe liderëve të Ballkanit perëndimor në muajin mars.

Analisti Vladimir Paviçeviq konsideron se takimi i tillë do të ishte diçka e shkëlqyeshme.

“Mendoj se kjo do të ishte diçka e shkëlqyeshme, sepse në qoftë se është e vërtetë se Serbia ka zgjedhur që këtë çështje ta zgjidhë vetëm me rrugë diplomatike, atëherë takimi si ky i Sllovenisë nuk do të duhej të anashkalohej”, deklaron Paviçeviq për Radion Evropa e Lirë.

Agjencia sllovene e lajmeve ka njoftuar se më 20 mars, në Bërdo afër Kranjit, do të mbahet konferenca për Ballkanin Perëndimor, në të cilën pritet të jenë të pranishëm udhëheqësit e të gjitha vendeve të rajonit, për herë të parë pas 18 vjetësh.

Kryeministri slloven, Borut Pahor, pati deklaruar se do të ftohet edhe presidenti i Kosovës, i cili, sipas tij, do të “përfaqësohet në mënyrë të denjë”.

Iniciativën për konferencën e kanë dhënë kryeministrat e Sllovenisë dhe Kroacisë, Pahor dhe Jadranka Kosor, ndërsa në mesin e organizatorëve të takimit janë Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian. (V.P.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG