Ndërlidhjet

FP: “Premtimet boshe të Evropës”



Hezitimi për veprime ushtarake nga ana e forcave evropiane ka rritur dyshimet tek amerikanët.

Sipas sekretarit amerikan të mbrojtjes, Robert Gejts, ky pakësim krijon vështirësi në arritjen e sigurisë dhe të një paqeje të qëndrueshme në shekullin 21, thuhet në “Foreign Policy”.

Por, udhëheqësit evropianë, kundrejt kësaj frike, japin argumentin se duhet kontributi i ekspertëve civilë në sfidat e sigurisë dhe të luftës.

Sipas Gejtsit, rritja e numrit të specialistëve në ndihmë të çështjeve të qeverisjes apo trajnimit të policëve, mund të jetë më e lehtë për evropianët, sesa rritja e numrit të trupave ushtarake.

Ndihma e punonjësve civilë është e njohur kudo në botë, për sa u përket çështjeve të sigurisë apo krijimit të shtetit në një vend të sapodalë nga lufta, ku kaosi është i pranishëm. Dhe, evropianët duken më se të përshtatshëm për ta bërë këtë lloj pune.

Por, fatkeqësisht, Bashkimi Evropian është i dështuar në potencialin e tij, thuhet në “Foreign Policy”.

Në vitin e parë të ekzistencës, BE-ja dërgoi ekspertë civilë në 13 vende të shkatërruara nga lufta.

Por, sipas “Foreign Policy”, pjesa më e madhe e këtyre misioneve kishte më pak se 80 veta në staf dhe nuk e zgjatën më shumë se një vit. Madje, disa kishin pak ose aspak ndikim në terren.

Forcat policore janë kritikuesit kryesorë të operacioneve civile.

Në teori, shtetet evropiane kanë angazhuar 6 mijë policë me mision në zonat e konfliktit. Ndërsa, në realitet më pak se 1,800 janë tashmë të vendosur dhe BE-ja po këmbëngul të reduktojë në 400 stafin për trajnimin e policëve në Afganistan, një dështim ky i njohur masivisht.

BE-ja ende duhet t’i marrë përsipër më me ambicie detyrat e veta dhe të jetë më skrupuloze në kryerjen e angazhimeve të saj.

Duhet të fillohet me krijimin e një grupi ekspertësh civilë si një trup i vetëm, të cilët duhet të qëndrojnë së bashku në bazat e përhershme.

Në një kohë afatshkurtër, Evropa duhet t’i shpërndajë më mirë kontraktorët e saj, me qëllim shmangien e problemeve në Afganistan.

Suksesi i misioneve evropiane në Kosovë jep një rreze shprese rreth potencialit të misioneve civile evropiane dhe ndikimit të saj në Afganistan dhe vendet e tjera.

Me 1,700 forca të vendosura atje, ky mision ka arritur të menaxhojë me efektivitet vendosjen e ligjit dhe funksionimin e administratës atje.

Por, fuqizimi i strukturave civile evropiane nuk duhet të zëvendësojë angazhimin evropian ushtarak, që do të ndihmonte miliona njerëz për t’u rimëkëmbur nga kaosi i luftës.

Vetëm kështu, ëndrra e vjetër për Evropën si forcë civile do të bëhej realitet, konkludon “Foreign Policy”. (A.Ç.)
XS
SM
MD
LG