Ndërlidhjet

Mbështetja politike për strategjinë


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Ndonëse e ndiejnë veten të anashkaluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës thonë se do ta përkrahnin Qeverinë dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë, nëse me të vërtetë do të ketë një angazhim serioz për integrimin e veriut të vendit. Kryeministri Thaçi ka emëruar tashmë Ylber Hysën në postin e koordinatorit të zbatimit të strategjisë për veriun.



Kuvendi i Kosovës nuk është i njoftuar me përmbajtjen e strategjisë për integrimin e veriut.

Mirëpo, ndonëse e ndiejnë veten të anashkaluar, deputetët thonë se do ta përkrahnin Qeverinë dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë, nëse me të vërtetë do të ketë një angazhim serioz për integrimin e kësaj pjese.

Kryeministri Hashim Thaçi e ka emëruar tashmë Ylber Hysën në postin e koordinatorit të zbatimit të kësaj strategjie.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi beson se Hysa është njeriu i duhur për koordinimin e zbatimit të saj. Ndërkaq, deklaratat e KFOR-it dhe të EULEX-it se nuk janë pjesë e strategjisë, Kuçi i sheh si normale, pasi që këto dy struktura nuk parashihen si mekanizma për zbatimin e saj.

“Strategjia për integrimin e veriut nuk parasheh kompetenca shtesë për EULEX-in dhe KFOR-in. Mjafton që ata ta kryejnë mandatin që kanë. Strategjia nuk është asgjë më shumë sesa ajo që parashihet me Kushtetutë, Pakon e presidentit Ahtisari dhe me mandatin që e kanë KFOR-i dhe EULEX-i në Kosovë”.

“Besoj se zoti Hysa do të fillojë ta kryejë punën e vet si i ngarkuari i kryeministrit për këtë çështje”,
thotë Kuçi.

Ndërkohë, nënkryetari dhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, thotë se strategjia e prezantuar ka mangësi, të cilat do të reflektohen në zbatueshmërinë e saj.

Ai pret që ky dokument të vazhdojë të plotësohet deri në finalizimin e plotë, pasi që me përmbajtjen aktuale nuk e sheh atë si dokument përfundimtar.

“Tani e dimë se ka shumë pikëpyetje në këtë dokument që po qarkullon. Si subjekt politik do të jemi konstruktivë në sensin që të mbështesim, të paktën nga pozicioni i Parlamentit, çfarëdo zgjidhjeje, e cila mund të vijë për veriun e Kosovës. Kemi dilemat tona dhe mendojmë se ka shumë të panjohura në këtë strategji”
, thekson Gjini.

Në anën tjetër, nënkryetari i Aleancës Kosova e Re dhe shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Ibrahim Makolli, thotë se deputetët dinë për këtë strategji vetëm aq sa është prezantuar në media.

Ai thotë se Qeveria nuk e ka njoftuar me përmbajtjen e saj Kuvendin e Kosovës.

“Suksesi i implementimit të kësaj strategjie do të varet nga mekanizmat dhe bashkëpunimi ndërmjet akterëve, të cilët parashihen brenda strategjisë. Për fat të keq, ne nuk e kemi parë këtë strategji dhe nuk e dimë se cilët mekanizma, cilat institucione do të jenë të involvuara”.

“Megjithatë, ne do të dëshironim që strategjia, edhe pse me vonesë, të implementohet në mënyrë që edhe ajo pjesë e vendit të jetë nën autoritetin e institucioneve të Kosovës”
, thotë Makolli.

Lidhur me dilemat e shprehura nga opozita, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se strategjia ka bazë implementuese që mbështetet në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe do ta ketë edhe mbështetjen e nevojshme financiare.

“Strategjia nuk do të mbetet pa u realizuar për shkak të mungesës së vullnetit politik apo mungesës së mjeteve financiare”.

“Nuk është logjika jonë e parë përdorimi i forcës apo i dhunës, por, në çdo rast, për arsye të veprimeve demokratike për zbatimin e ligjit dhe të Kushtetutës, do të përdoren mjetet kushtetuese që ka në dispozicion Kosova në koordinim me faktorin ndërkombëtar”,
thotë Kuçi.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka thirrur një seancë për datën 4 mars, ku do të ftohet Qeveria për të diskutuar çështjen e zbatueshmërisë së Kushtetutës në pjesën veriore.

Deputetët opozitarë thonë se kanë pritur nga Qeveria të mos nxitojë me emërimin e koordinatorit, pa përfunduar kjo seancë, por, sidoqoftë, ai tashmë është emëruar, kurse Kuvendit i mbetet që më 4 mars, eventualisht t’i bëjë disa rekomandime Qeverisë për formën e shtrirjes së zbatimit të Kushtetutës në veri të Kosovës.
XS
SM
MD
LG