Ndërlidhjet

Shkup: Drejt kompromisit


Metju Nimic
Metju Nimic

Analistët në Maqedoni e vlerësojnë si inkurajuese vizitën e ndërmjetësit Metju Nimic të mërkurën në Shkup me kreun shtetëror, lidhur me njoftimet se janë paraqitur ide të reja për zgjidhjen e kontestit. Sipas analistëve, Maqedonia nuk ka kohë për të humbur dhe nuk duhet të lëshojë shansin që deri në qershor ta zgjidhë problemin e emrit me Greqinë.


Bashkësia ndërkombëtare kërkon përshpejtimin e zgjidhjes së shpejtë të kontestit rreth emrit me Greqinë, vlerësojnë analistët politikë, duke komentuar deklaratat e ndërmjetësit të OKB-së për çështjen e emrit, Mejtu Nimic, gjatë qëndrimit të tij në Shkup.

Analisti Ismet Ramadani këtë e bazon edhe në sqarimin që u bëri Nimic negociatave që po zhvillohen, duke thënë se në to bisedohet vetëm për emrin, e jo edhe për gjuhën dhe identitetin maqedonas, siç deklaron vazhdimisht kryeministri Nikolla Gruevski.

Kjo, sipas Ramadanit, flet qartë për kompromisin e madh që ka bërë Greqia për dallim nga pozicioni shumë i fortë që mbronte në të kaluarën.

“Po shihet se nuk është e vërtetë për faktin se të gjithë ndërkombëtarët, duke filluar nga ambasadorët, diplomatët, të gjithë na e bëjnë me dije se problemi qëndron tek emri, respektivisht ajo që kërkohet nga Greqia është emri gjeografik dhe nuk qëndron ajo se Greqia nuk ka bërë kompromis”.

“Prandaj, mendoj se është kompromis shumë i madh për opinionin, për popullin grek, që zyrtarët e tyre kanë pranuar të ekzistojë emri Maqedoni në përcaktimin e emrit gjeografik”,
vlerëson Ismet Ramadani.

Ai shton se Maqedonia nuk ka më kohë për të humbur dhe se duhet të bëjë gjithçka që është e mundur që brenda këtij gjashtëmujori ta mbyllë përfundimisht këtë problem shumëvjeçar.

Ramadani, gjithashtu, e vlerëson si shumë të rëndësishme nevojën për mbajtjen e një takimi të gjerë mes partive politike për dalje me një qëndrim të prerë për zgjidhjen e kontestit.

“Është gabim që para takimeve të këtilla kryeministri nuk i thërret përfaqësuesit e partive kryesore politike për të ndërtuar platformën e bisedimeve dhe një qëndrim që jep shenjën e kompromisit”, deklaron Ramadani.

Analisti Zdravko Savevski shpreh mendimin se palët janë pranë arritjes së një kompromisi, ndërsa meritat për këtë do t’i takonin bashkësisë ndërkombëtare.

“Mendoj se pozicionet e palës greke dhe asaj maqedonase janë shumë pranë njëra-tjetrës mbi nevojën e arritjes së kompromisit”.

“Por, me siguri se kjo do të bëhet me shtyrjen para të këtij procesi nga bashkësia ndërkombëtare, e cila edhe do ta vazhdojë presionin ndaj të dyja palëve - ndaj palës maqedonase për shkak të dëshirës së saj për të filluar bisedimet për anëtarësim në BE, kurse ndaj palës greke për shkak të varësisë së saj ekonomike nga Bashkimi Evropian. Kështu që, të dyja shtetet i kanë të hapura dritaret e mundësive”,
deklaron Savevski.

Greqia tashmë një kohë të gjatë ka bllokuar procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE dhe zhbllokimin e këtij procesi e kushtëzon me ndryshimin e emrit të Maqedonisë.

Në rast të zgjidhjes së këtyre dilemave, Bashkimi Evropian gjatë kryesimit të Spanjës me Unionin do të caktonte datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE.
XS
SM
MD
LG