Ndërlidhjet

Klinton sheh konsensusin për sanksione kundër Iranit


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, deklaroi se një paketë sanksionesh kundër Iranit do të dalë brenda një muaji nga votimi i Këshillit të Sigurisë së OKB-së.

Klinton tha se pas një viti angazhimi intensiv dhe të duruar të diplomatëve, po vjen dhe shpërblimi, aq sa vendet që kundërshtuan fort vendosjen e sanksioneve, tashmë po ndryshojnë mendje.

Irani insiston në atë që programi i tij bërthamor ka si qëllim prodhimin e karburanteve për qëllime paqësore, por Klinton tha se kjo gjuhë teknike nuk është më bindëse për botën.

Angazhimi ynë i qartë ka krijuar një hapësirë për shumë vende që tashmë ta konsiderojnë mbështetjen e sanksioneve, pasi ne kemi treguar durim në përpjekjet e palodhura të ndërkombëtarëve, për të bindur Iranin që të bëjë gjënë e duhur, pa sanksione”, tha Klinton.

Më tej, Klinton pohoi se Uashingtoni është inkurajuar nga një përgjigje pozitive e Rusisë në vendosjen e sanksioneve Iranit.

Po ashtu, Klinton deklaroi se SHBA-të dhe partnerët perëndimorë kanë bërë “shumë progres” në marrjen e mbështetjes së Kinës për vendosjen e sanksioneve Iranit.

“Ne, gjithashtu, po bëjmë publik argumentin se varësia e Kinës nga nafta e Gjirit, e detyron të bëjë llogaritje strategjike në mbështetje të sanksioneve, sepse mungesa e presionit që mund të ndryshojë përpjekjen e Iranit në mbajtjen e armëve bërthamore, do të çojë në një garë armësh në Gjir”.

“Dhe, kjo do të çojë në destabilitetin e këtij gjiri. Madje, mund të çojë në konflikte, të cilat mund të dëmtojnë dramatikisht shpërndarjen e naftës nga Gjiri
”, tha Hillari Klinton.

Po ashtu, Klinton bëri të qartë se si do të zbatohen sanksionet ndaj Iranit.

“Ne dhe aleatët tanë e kemi bërë të qartë se, pavarësisht nga vendimet në Nju Jork, do të zbatojmë sanksione bilaterale dhe multilaterale. Ky është një prioritet i lartë i administratës së Obamës”, konkludoi Hillari Klinton. (A.Ç.)
XS
SM
MD
LG