Ndërlidhjet

Korrupsioni - shqetësim për kosovarët?


Përhapja e korrupsionit, mungesa e besimit në sistemin gjyqësor dhe zbatimi i dobët i ligjit në Kosovë minojnë qeverisjen në vend, vlerësoi në fund të vizitës së tij në Kosovë, raportuesi i Këshillit të Evropës, Bjorn von Sydou.



Raportuesi i Komitetit për Marrëdhënie Politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bjorn von Sydou, tha se populli i Kosovës, pa marrë parasysh se cilit komunitet i takon, ka nevojë për sundimin e ligjit.

Vlerësimin e tij, raportuesi suedez e dha në fund të qëndrimit pesëditor në Kosovë, gjatë të cilit zhvilloi një varg takimesh me përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, por edhe me banorët lokalë të pjesëve të ndryshme të Kosovës.

Krahasuar me vitin e kaluar, kur Von Sydou hartoi raportin e fundit për Kosovën, tani, siç tha ai, shqetësimi më i madh i njerëzve që jetojnë në Kosovë është korrupsioni.

“Të gjithë ata u ankuan për korrupsionin e përhapur, mungesën e besimit në sistemin gjyqësor dhe zbatimin e dobët të ligjit”.

“Kjo gjendje minon qeverisjen, ndikon në besimin e njerëzve të Kosovës dhe të autoriteteve ndërkombëtare dhe rrezikon të ardhmen e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Investitorët, sikurse vendorë ashtu dhe ndërkombëtarë, hezitojnë t'i sjellin mjetet e tyre financiare këtu”
, tha Von Sydou.

Ai theksoi se ka vërejtur një përmirësim në raportet ndërmjet komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Pjesëmarrja e serbëve, të cilët jetojnë në pjesën qendrore të Kosovës, në zgjedhjet e fundit lokale, sipas tij, e ka dëshmuar këtë gjë.

Një faktor tjetër në këtë rrafsh, siç tha ai, është dhe rritja e lirisë së lëvizjes dhe e shkallës së sigurisë në vend.

“Mendoj se gjëja pozitive është se janë përmirësuar marrëdhëniet ndëretnike, marrë parasysh sigurinë dhe lirinë e lëvizjes”
, u shpreh Von Sydou.

Ai theksoi nevojën e zhvillimit të institucioneve demokratike të Kosovës dhe tha se në raportin e tij, i cili në qershor pritet të diskutohet në Këshillin për Marrëdhënie Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, do të paraqesë nevojën për themelimin e dialogut në mes të këtij institucioni dhe Kuvendit të Kosovës.

Në lidhje me këtë, Von Sydou tha se është e nevojshme përfshirja e të gjitha komuniteteve.

“Një Kosovë vërtet evropiane është e paparamenduar pa përfshirjen e të gjitha komuniteteve të saj”
, u shpreh Von Sydou.

Takimet me përfaqësues të banorëve të pjesës veriore të Kosovës, po ashtu figuronin në agjendën e takimeve të raportuesit të Këshillit të Evropës.

I pyetur për ndikimin e strategjisë së institucioneve vendore e ndërkombëtare për shtrirjen e autoritetit në veri, Von Sydou dha përshtypjet që ka pasur nga takimet me shqiptarët dhe me përfaqësues të partisë serbe, DSS, në veri.

“Mendoj se ata nuk ndihen të kërcënuar nga ndërhyrjet sot”
, tha raportuesi suedez.

Këshilli i Evropës ka një qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës, meqë 14 nga 47 vendet anëtare të tij nuk e kanë njohur ende Kosovën.
XS
SM
MD
LG