Ndërlidhjet

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për privatizimin e kompanisë së re të shpërndarjes dhe të furnizimit me energji elektrike, të dalë nga Korporata Energjetike e Kosovës, nga ekspertë të çështjeve të energjetikës vlerësohet si një veprim i ngutshëm i Qeverisë dhe i pamenduar mirë. Sipas tyre, para se të fillohet me këtë proces, duhet të analizohen pasojat që ai mund t’i sjellë.


Për të pasur një privatizim të suksesshëm të divizioneve të Korporatës Energjetike të Kosovës, ekspertët e energjetikës kërkojnë nga autoritetet kosovare që të formojnë një grup ekspertësh vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët do të punonin një studim të fizibilitetit për këtë çështje.

Fëllanza Hoxha, ish-drejtoreshë e divizionit të furnizimit në KEK, thotë se ky studim do të dilte me të dhëna konkrete se a duhet të bëhet privatizimi, në çfarë mënyre duhet të bëhet dhe cili prej këtyre divizioneve të privatizohet më herët - rrjeti apo furnizimi.

“Furnizues mund të kemi më shumë, ndërsa rrjeti është një. Prandaj, mu te rrejti duhet të jemi të përkushtuar, sepse janë asetet që nuk janë të vogla. Rrjeti është i shpërndarë në tërë Kosovën, janë linjat, janë trafo-stacionet, prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, thekson Hoxha.

Ristrukturimi i KEK-ut do të bëhet në përputhje me Traktatin e Komitetit të Energjisë për Evropën Juglindore. Drejtuesit e Qeverisë, kohë më parë, patën deklaruar se shitja e distribucionit dhe furnizimit do t’i sjellë përfitime të mëdha Kosovës, pasi buxheti i Kosovës do të lirohet nga obligimi që e ka bartur deri tash, që është pagesa e granteve në KEK për importimin e energjisë elektrike.

Inxhinieri i elektroteknikës, Sami Ahmeti, sqaron mangësitë dhe përparësitë e privatizimit të divizioneve të Korporatës Energjetike të Kosovës.

“Ana pozitive e privatizimit është se do të përmirësohet rrjeti, do të ketë investime të mëdha, do të rritet inkasimi, prej të cilit do të përfitonte edhe buxheti i Kosovës. Ndërsa, anë negative është se një element shumë i rëndësishëm i infrastrukturës së Kosovës po i jepet dikujt tjetër”
, thotë ai.

Se a mund të ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike dhe largim të punëtorëve nga puna pas privatizimit, Ahmeti shprehet:

“Sigurisht se do të ketë dhe ajo do të jetë evidente, porse çfarë mundësish do të kenë qeveritarët në korrigjimin apo pengimin e rritjeve të faturave, ato besoj se janë menduar nga Qeveria. Ne momentin e privatizimit, shumë punëtorë do të largohen. Qeveria duhet të mendojë për sistemim të këtyre punëtorëve”.

Një çështje tjetër që nuk është definuar ende, është përgjegjësia për t’i furnizuar qytetarët. Ekspertja e energjetikës, Fëllanza Hoxha, jep më shumë sqarime në lidhje me atë se kush duhet ta marrë përsipër këtë përgjegjësi, investitori privat apo ndërmarrja publike KEK.

“Sa i përket furnizimit, unë do të thosha se furnizimi do të ishte mirë të jetë privat. Unë nuk jam kundër privatizimit, por jo privatizim të egër, por privatizim kur është koha dhe kur prej privatizimit nuk do të pësojmë, por do të kenë benefite si konsumatorët, ashtu edhe shteti i Kosovës”, thotë Hoxha.

Kundër privatizimit të divizioneve të KEK-ut janë pozicionuar punëtorët e kësaj kompanie. Udhëheqësi i Sindikatës së KEK-ut, Izet Mustafa, shfaq shqetësimin për mungesë transparence gjatë procesit të privatizimit dhe për shkurtimin e vendeve të punës, pasi dy divizionet do të bashkohen në një kompani.

“Në këtë aspekt duhet të jemi të kujdesshëm se ne nuk jemi kundër krijimit të kësaj kompanie, por jemi kundër privatizimit apo shitjes”, thotë ai.

Ndryshe, sipas një raporti të bërë kohë më parë nga Instituti “Riinvest”, faktori që do të ndikojë për një proces jo dhe aq të përkryer të privatizimit, është korrupsioni brenda ndërmarrjeve publike, sidomos në Korporatën Energjetike të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG