Ndërlidhjet

Lufta kundër krimit dhe korrupsionit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Në kuadër të përpjekjeve për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Qeveria e Kosovës ka formuar një “task-forcë” speciale, në përbërje të së cilës do të jenë pesë prokurorë kosovarë dhe tre të EULEX-it. Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit paraqet një prej prioriteteve dhe sfidave të Qeverisë së Kosovës, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.




Qeveria e Kosovës ka vendosur të formojë një departament special për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky departament do të funksionojë në kuadër të Zyrës së Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Task-forca anti-korrupsion do të përbëhet nga pesë prokurorë vendas dhe tre të tjerë të EULEX-it. Kryeministri Hashim Thaçi tha se luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet një prej prioriteteve, por edhe sfidave të Qeverisë së tij.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të vë në dispozicion të këtij departamenti special anti-korrupsion apo task-force të gjitha resurset e nevojshme, me qëllim të arritjes së rezultateve konkrete në luftë kundër kësaj dukurie negative për institucionet dhe shoqërinë kosovare”, tha Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha se task-forca do të mbështetet edhe nga oficerët hetues të Policisë së Kosovës dhe struktura të tjera logjistike.

“Qeveria e Kosovës merr përsipër përzgjedhjen dhe rekrutimin e 30 oficerëve hetues të Policisë së Kosovës, të cilët do të angazhohen drejtpërdrejt në hetimin e rasteve, të cilat do të hetohen nga departamenti special anti-korrupsion”.

“Po ashtu, Qeveria do të përzgjedhë edhe pesë ekspertë në fushën e tatimeve, shpëlarjes dhe transfereve të paligjshme të parave, tjetërsimit të pasurisë dhe çështjeve të tjera negative
”, theksoi kryeministri i Kosovës.

Hapat e ndërmarrë nga Qeveria si përpjekje për inicimin e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar cilësohen si të vonuar nga ana e opozitës.

Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se shpreson që misioni i EULEX-it do të ketë një rol më të madh në këtë task-forcë, pasi që dyshon në kapacitetet vendore.

“Definitivisht është tepër i vonuar, sepse korrupsioni dhe krimi i organizuar në Kosovë janë duke bashkëjetuar me Qeverinë dhe kanë arritur nivelin më të lartë të mundshëm ose të zaptimit të shtetit. Ne, megjithatë, mund të themi se shpresojmë që kjo nuk është një fushatë ose propagandë e re e Qeverisë, por të jetë vërtet reale
”, tha Ramadani.

Vendimi i Qeverisë besohet se është i bazuar edhe në dy raportet e fundit të progresit, të hartuara nga Komisioni Evropian, ku shprehen shqetësime në lidhje me mungesën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Një ngecje tjetër që këto raporte nxjerrin në shesh është edhe sistemi i drejtësisë, i cili cilësohet ende si jo i pavarur.
XS
SM
MD
LG