Ndërlidhjet


Grupi punues për liberalizimin e vizave vlerëson se është shënuar përparim në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

Përparime, sipas zyrtarëve, janë arritur në hartimin e Ligjit për ripranim, fillimin e integrimit të personave të riatdhesuar dhe funksionalizimin e mekanizmit për sigurinë e dokumenteve të qytetarëve.

Koordinatori i këtij grupi, Besnik Vasolli, sqaron rëndësinë e këtyre kritereve, të cilat, sipas tij, i hapin rrugën dhënies së udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave nga ana e Komisionit Evropian.

“Hartimi i Ligjit për ripranim, me ç’rast brenda tri javëve është hartuar drafti i parë, i cili javën e ardhshme shkon në Qeveri për aprovim; kriteri tjetër është ai për rishikimin e mekanizmit për riintegrimin e personave të riatdhesuar, që ata persona të kenë një trajtim adekuat”.

“Kriteri i tretë që ka dalë nga ai takim, është edhe siguria e dokumenteve, që është edhe kapitulli i parë i liberalizimit të vizave dhe si i tillë është shumë i rëndësishëm”,
deklaron Vasolli.

Megjithatë, zoti Vasolli konsideron se ky proces kërkon më shumë punë dhe për këtë institucionet e vendit, sipas tij, do të përballen me sfida, ndër të cilat do të jenë edhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Sfida ka shumë. Ky është një proces i rëndësishëm edhe kërkohen shumë kritere. Unë mendoj se sfidat që janë përmendur deri më tash, janë sfida me të cilat duhet të merremi; ndër to është edhe luftimi i krimit të organizuar”.

“Faktikisht, morëm edhe një raport nga Policia e Kosovës, ku u prezantuan të arriturat e saj gjatë këtij muaji. Gjithashtu, sfidë do të jetë edhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Ju e dini se për shkaqe politike, Kosova nganjëherë pengohet të jetë pjesë e forumeve ndërkombëtare. Sfidë tjetër është regjimi i vizave me vendet e treta”
, shpjegon Vasolli.

Ndërkaq, Bahri Shala, udhëheqës i njësitit anti-drogë në Policinë e Kosovës, prezanton një raport të shkurtër mbi përparimin e arritur në zbatimin e strategjisë kombëtare kundër drogave.

“Brenda muajit ka pasur operacione dhe raste të suksesshme. Është arritur që të luftohen krimet e organizuara dhe të hetohen rastet që kanë të bëjnë me drogën; është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e drogës dhe është arrestuar një numër i madh i personave”.

“Parashihet rritja e numrit të personelit në Policinë e Kosovës, i cili do të merret me luftimin dhe hetimin e narkotikëve”
, thekson Shala.

Edhe Doganat e Kosovës po punojnë për zbatimin e obligimeve të tyre për planin e punës për liberalizimin e vizave.

Zana Batusha, zyrtare në Doganat e Kosovës, thotë se, aktualisht, në agjendën e tyre është nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe vendeve rajonale dhe evropiane.

“Aktiviteti që Dogana e Kosovës është dashur të ndërmarrë në zbatimin e planit të liberalizimit të vizave, është nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe me vendet rajonale dhe evropiane”.

“Gjatë kësaj periudhe është nënshkruar marrëveshja me Shqipërinë. Gjithashtu, në janar është nënshkruar marrëveshja me Doganën e Turqisë”.

“Ndërsa, në javën tjetër, më 3 mars, do të nënshkruhet marrëveshje me Doganën e Malit të Zi”
, shprehet zonja Batusha.

Ndryshe, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës janë zotuar se janë të angazhuar maksimalisht në intensifikimin e dinamikës së procesit të integrimit, si dhe shtimit e thellimit të dialogut politik dhe teknik me Komisionin Evropian.

Kosova është e vetmja nga vendet e rajonit, e cila nuk është e përfshirë zyrtarisht në procesin e liberalizimit të vizave. Ndërsa, tri vendet fqinje të saj, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, ka dy muaj që mund të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së.

Premtime për heqjen e vizave në qershor të këtij viti u janë dhënë edhe Shqipërisë dhe Bosnjës. Kjo bën që Kosova të mbetet i vetmi vend në rajon me regjim vizash për në vendet e zonës Shengen.

* * * * * * * * * *

Radhët e gjata të qytetarëve para ambasadave të vendeve evropiane në Prishtinë, bëjnë me dije interesimin e madh për të udhëtuar jashtë vendit.

Shumica prej atyre që presin me ditë për të marrë një vizë, thonë se janë të detyruar të kërkojnë rrugëdalje, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike në të cilën jetojnë. Njëri prej tyre është edhe Ilir Sejdiu, i cili synon të marrë vizë për në Gjermani.

“Interesimi shumë i madh për viza, radhët e gjata... Për shkak të kushteve të vështira në Kosovë, të rinjtë aplikojnë për turistë dhe shkojnë punojnë për 3-4 muaj, pastaj kthehen prapë për ta vazhduar vizën. Viza të punës nuk po lëshojnë dhe po hasim në vështirësi”, shprehet ky qytetar.

Mimoza Syla, një nga pronaret e agjencisë “Ardona Travel”, thotë se bazuar në aplikacionet e qytetarëve që kërkojnë ndihmë nga agjencitë për të marrë një vizë, interesimi i tyre për të dalë jashtë është çdo ditë e më shumë në rritje.

“Interesimi për të aplikuar në ambasadën gjermane është shumë i madh, edhe pse jo gjithmonë jepen vizat. Për më të moshuarit jepen vizat, përderisa për rini është pak më vështirë. Sidomos vizat e punës janë shumë të rralla dhe jepen nëse dokumentacioni është shumë i rregullt, ndërsa ato turistike varësisht nga personi”, shpjegon Syla.

Megjithatë, ka edhe të tillë që presin në këto radhë të gjata për të shkuar si turistë. Njëri ndër ta është edhe Arben Morina.

Unë kam pushim dhe po shkoj si turist, nuk kam qenë asnjëherë. Më kanë refuzuar dhe tash po aplikoj prapë”, thotë ai.

Fisnik Rexhepi, zyrtar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thotë se në bazë të raporteve që kjo ministri merr nga Policia e Kosovës, përkatësisht autoritetet e kufirit, nuk ka ndonjë trend të rritjes së numrit të shtetasve të Republikës së Kosovës për ta lëshuar vendin.

“Janë statistika përafërsisht të njëjta me vitet paraprake”, thekson ai.

Ndërkaq, eksperti për çështje të migracionit, Rifat Blakaj, thotë se arsyeja pse të rinjtë kërkojnë të dalin jashtë vendit është kryesisht papunësia e lartë në vend.

“Problemi i daljes jashtë vendit të qytetarëve të Kosovës është në manifestim, sepse papunësia është problem madhor në vend, për çfarë duhet bërë përpjekje shtesë që kjo energji të shfrytëzohet, qoftë edhe me projekte të huaja për hapje të vendeve të reja të punës”
, thotë Blakaj.

Vendet më atraktive për qytetarët që synojnë ta lëshojnë Kosovën, janë vendet e Bashkimit Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG