Ndërlidhjet

Jo përfaqësim të Kosovës përmes UNMIK-ut


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Përfaqësimi i Kosovës përmes UNMIK-ut ka marrë fund që nga shpallja e pavarësisë, thonë autoritetet në Prishtinë, duke iu përgjigjur thirrjeve të Beogradit që Kosova të prezantohet në konferenca rajonale si pjesë e UNMIK-ut.



Kosova do të përfaqësohet në konferenca ndërkombëtare vetëm nga institucionet e saj, thonë përfaqësuesit politikë në Prishtinë.

Ndërsa po afrohet mbajtja e takimit të liderëve të rajonit në Slloveni, Beogradi ka propozuar që atje, delegacioni i Kosovës të jetë pjesë e UNMIK-ut.

Një zgjidhje e tillë hidhet kategorikisht poshtë nga kosovarët. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se përfaqësimi i Kosovës jashtë, duhet të bëhet në harmoni me Kushtetutën, edhe atë si Republika e Kosovës.

“Kosova e ka Kushtetutën, institucionet e veta dhe çdo përfaqësim do të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe pozitën juridike e politike që e ka Kosova. Jemi duke pritur ftesën dhe besoj që do të marrim pjesë në mënyrë aktive”
, thotë Kuçi.

Ndërkohë, deputeti opozitar, Ibrahim Makolli, thotë se çdo përfaqësim i Kosovës në arenën ndërkombëtare në emër të UNMIK-ut do të nënkuptonte kthim prapa.

Duke e parë krejtësisht si të papranueshme një përfaqësim të tillë, Makolli thotë se e vetmja mënyrë e përfaqësimit të shtetit të Kosovës jashtë duhet të bëhet përmes institucioneve dhe përfaqësuesve të saj të zgjedhur.

“Pjesëmarrja e Kosovës në konferenca dhe aktivitete të ndryshme ndërkombëtare, duhet të jetë nën emblemën e institucioneve të Kosovës dhe jo nën emblemën e UNMIK-ut”.


“Administrata e UNMIK-ut në Kosovë nuk ka mandat në bazë të Kushtetutës që ne e kemi, prandaj çdo pjesëmarrje nën ombrellën e UNMIK-ut, për ne është e patolerueshme dhe e palejueshme”
, thekson Makolli.

Që nga shpallja e pavarësisë, pjesëmarrja e Kosovës në konferencat rajonale kryesisht është sfiduar nga Serbia, e cila ka kërkuar që ky përfaqësim të bëhet sipas Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, çka nënkuptonte që delegacionet e Kosovës të jenë pjesë e UNMIK-ut.

Po ashtu, fushata e Serbisë shtrihet edhe në rrafshin diplomatik për t’i penguar njohjet e reja të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Këtë javë, ministri Skënder Hyseni është zotuar para Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme se diplomacia kosovare do t’i tejkalojë barrierat e krijuara nga Serbia dhe se, sipas tij, njohjet do të vazhdojnë, si edhe anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar.

“Ju siguroj që në rrafshin diplomatik e ardhmja e Kosovës ka arsye të shihet me optimizëm, ka arsye të shihet me një dozë të theksuar të pritjeve pozitive dhe Kosova gjatë këtij viti, pavarësisht sfidave të rëndësishme para saj, mund të presë zhvillime shumë të rëndësishme
”, deklaron Hyseni.

Në konferencën ndërkombëtare për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet në muajin mars në Slloveni, delegacioni kosovar pritet që të udhëhiqet nga presidenti Fatmir Sejdiu.

Mediat në Kosovë e kanë cilësuar këtë edhe si mundësi për realizimin e takimit të parë ndërmjet dy presidentëve, atij të Kosovës dhe Serbisë, në një konferencë ndërkombëtare që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG