Ndërlidhjet

logo-print

Në mungesë të vizave – humbin bizneset


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në Kosovë kërkojnë nga ekzekutivi kosovar që të bëhen marrëveshje me shtetet, të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës, për krijimin e lehtësive në marrjen e vizave për bizneset kosovare. Ata thonë se në mungesë të vizave, bizneset kanë pësuar humbje të mëdha.


Nëse një biznesmen kosovar do të bëjë biznes me dikë nga shtetet evropiane dhe vendet e rajonit, përveç mungesës së njohjes së dokumenteve të udhëtimit që mbajnë vulën e Republikës së Kosovës, problem të madh paraqet edhe viza hyrëse, vlerësojnë përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë të çështjeve ekonomike.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se në mungesë të vizave, nuk mund të realizohen takime të rëndësishme të përfaqësuesve të bizneseve kosovare me afaristë ndërkombëtarë.

“Problem i pazgjidhur mbetet liberalizmi i vizave për sektorin e eksportit dhe për importin e produkteve të ndryshme. Po ashtu, edhe aktivitetet e ndryshme në vendet e tjera të Bashkimit Evropian, por edhe në vendet rajonale, që nuk e njohin dokumentacionin e Kosovës, vizat janë vështirësuar dhe janë të shtrenjta, e gjithë kjo e vështirëson aktivitetin e bizneseve në Kosovë”
, thotë Shahini.

Këto barriera, sipas Shahinit, e detyrojnë biznesin kosovar të orientohet nga tregjet më të shtrenjta, po ku komunikimi është më i lehtë.

Një përfaqësues i biznesit, thotë Shahini, brenda vitit shpenzon deri në 500 euro për pajisjen e vizave, të cilat janë mujore.

“Për të udhëtar deri në Slloveni, duhet të marrësh një vizë prej Kosovës në Bosnje, prej Bosnjës në Kroaci dhe në Slloveni. Duhen tri viza kaluese për të shkuar në Slloveni dhe duhen së paku dy muaj për të pritur”
, tregon Shahini.

Ndërsa, kryetari i Institutit për Hulumtime dhe Zhvillime të Politikave Ekonomike, Isa Mulaj, thekson se lehtësimi për marrjen e vizave nga shtetet, të cilat kanë njohur Kosovën, do të ishte një mundësi e mirë për komunitetin e biznesit.

“Liberalizimi i vizave nga ato shtete që e kanë njohur Kosovën, do t’i ndihmonte bizneset, sepse do të mundësonte qarkullim më të mirë dhe më të shpejtë. Nuk do të kishte shpenzim të mjeteve nëpër ambasada dhe kjo ndikon pozitivisht në shkëmbimet tregtare”,
thotë Mulaj.

Megjithatë, gjykuar nga efektet në fushën e zhvillimit të kapaciteteve ekonomike dhe përgjithësisht të ekonomisë në Kosovë, madje me gjithë ndihmën që e ofrojnë përfaqësuesit e komuniteti të bizneseve për sigurimin e vizave për biznese, rezultatet janë gati të papërfillshme.

Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se pa njohjen për së afërmi me partnerët e mundshëm dhe teknologjitë e reja, nuk mund të ketë as zhvillim në nivelin lokal.

Eksperti për çështje ekonomike, Lumir Abdigjiku, thotë se qarkullimi i lirë i përfaqësuesve të biznesit është një problem i pazgjidhur dhe shumë delikat, sidomos për bizneset që merren me eksportin dhe importin e produkteve të ndryshme në vendet e Bashkimit Evropian, por edhe në vendet e rajonit e që nuk njohin dokumentacionit e Kosovës.

“Gjithmonë bizneset janë të shkelura për faktin se nuk mund të udhëtojnë në vendet e regjionit. Përveç njerëzve, edhe mallrat nuk mund të qarkullojnë në këto vende. Bizneset tona nuk mund të jenë të barabarta me vendet tjera”
, thekson Abdigjiku.

Ndryshe, derisa teknikisht Kosova zotohet se deri në fund të vitit do t’i plotësojë kriteret e parapara për liberalizmin e vizave, përfshirë edhe pasaportat biometrike, marrëveshjet për migrimin e deri te menaxhimi i kufijve, mbeten ende pengesat politike që shkaktohen nga mosnjohja e Kosovës prej të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG