Ndërlidhjet

Afatet (s’)ndihmojnë jetësimin e strategjisë


Mitrovicë
Mitrovicë

Versioni i dytë i strategjisë, që synon kthimin e kontrollit të Prishtinës në veri, heq disa nga afatet kohore, të përcaktuara në versionin e parë. Analistët thonë se vënia e afateve do të rriste përgjegjshmërinë e institucioneve përballë qytetarëve.



Versioni i parë i strategjisë për veriun parashihte që zgjedhjet për komunën e re të Mitrovicës të mbaheshin më 16 maj. Ky afat është shtyrë për në vjeshtë të këtij viti, por pa përcaktuar ndonjë datë.

Qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare në versionin e fundit të strategjisë nuk kanë vënë afate kohore për zgjedhjet në tri komunat veriore të Kosovës, për të cilat më herët qe thënë se do mbaheshin në fund të vitit.

Analistët politikë konsiderojnë se përcaktimi i afateve është i rëndësishëm, por veriu bën përjashtime. Krenar Gashi nga Instituti KIPRED, shpreh mendimin se afatet e vëna në versionin e parë të strategjisë ishin shumë optimiste dhe joreale.

“Aty është bërë fjalë që në Mitrovicë të organizohen zgjedhjet gjatë muajit maj, gjë që në mënyrë teknike ka qenë e pamundshme, e lëre më në mënyrë politike, kur kemi parasysh një refuzim absolut që e kanë serbët e veriut të Mitrovicës për procesin e decentralizimit dhe të pjesëmarrjes në zgjedhje”.

“Kësisoj, konsideroj se nuk duhet të ketë ndonjë afat të caktuar për implementimin e kësaj strategjie, megjithatë ekipi koordinues i strategjisë i Qeverisë dhe i ICO-së, duhet ta ketë të paktën një ide se deri kur duhet të shkojë faza e parë e implementimit të strategjisë”,
thotë Gashi.

Vetë shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, ka thënë se zbatimi i strategjisë nuk do të marrë javë e muaj, por muaj dhe vjet.

Analisti politik, Muhamet Mavraj, ka një shpjegim për mosvënien e afateve precize në versionin e ri të strategjisë.

“Futja e një afati për strategjinë për veriun e Kosovës, do të nënkuptonte përgjegjësi shumëfish më të madhe për Kosovën dhe për institucionet ndërkombëtare”.

“Unë, personalisht, e kuptoj se pse nuk është futur ky afat dhe natyrisht që si qytetar i Kosovës, do të doja të ishte një afat. Por, duke pasur parasysh rrethanat, nuk pres që ai afat të precizohet dhe pres që dalëngadalë, hap pas hapi, strategjia për veriun të ecë përpara, por jo aq sa i kemi shpresat
”, shprehet Mavraj.

Strategjia për veriun është quajtur vështirë e zbatueshme nga analistët politikë për disa arsye.

Ndër to është atmosfera armiqësore e serbëve të veriut ndaj institucioneve kosovare, mospërkrahja e strategjisë, të paktën publikisht, nga ana e EULEX-it, që është përgjegjës për sundimin e ligjit, dhe qasja e Beogradit ndaj Kosovës.

Duke marrë parasysh problemet e grumbulluara për më tepër se 10 vjet, kohë kjo gjatë së cilës gjendej tërësisht jashtë kontrollit të institucioneve, Krenar Gashi thotë se Qeveria dhe ICO-ja, si hartuese të strategjisë, nuk duhet të ndërmarrin hapa të ngutshëm.

“Mirëpo, kjo strategji nuk guxon të lihet përjetësisht e paimplementuar, apo të implementohet vetëm përgjysmë. Thjesht, pikat e strategjisë kanë efekt nëse zbatohen në tërësi”.

“Kushtimisht, duhet të ketë një limit kohor, shembull që të kemi zgjedhje sivjet, ose që të kemi zgjedhje deri në mesin e vitit të ardhshëm, pa marrë parasysh se sa gjatë shtrihen në kalendar këto afate kohore. Qeveria e Kosovës dhe ICO-ja duhet ta kenë parasysh kur është njëfarë vije e kuqe përtej së cilës nuk duhet të shkohet”,
thekson Gashi.

Strategjia për veriun ka marrë mbështetjen e Grupit Ndërkombëtar Drejtues, por jo edhe të Brukselit zyrtar.

Megjithëse janë dhënë shumë rekomandime për EULEX-in në strategji, kjo ka bërë që ky mision të mbajë një qëndrim neutral.

Ndërkohë, 22 shtetet anëtare të BE-së, që e njohin Kosovën, tashmë e mbështesin këtë plan që ka për synim, kthimin e autoritetit të Prishtinës në veri.

Liderët kosovarë fillimisht qenë shprehur se veriu duhej futur nën kontroll, edhe nëse për këtë do të duhej të përdorej forca. Por, përdorimi i forcës nuk është fare pjesë e strategjisë.

Muhamet Mavraj thotë se për këtë arsye, procesi do të jetë më i ngadaltë.

“Strategjia është vështirë e zbatueshme, por me vendosmëri, mund të ecet hap pas hapi përpara. Evitimi i forcës nënkupton kohë më të gjatë për realizimin e një suksesi. Këtu është evituar forca dhe duhet shumë durim”
, vlerëson Mavraj.

Zyrtarë të ICO-së, suksesin e strategjisë e kanë mbështetur shumë edhe në mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që do të duhej të jepej në verën e këtij viti.

Vendimi mendohet se do të ndryshojë qasjen e Beogradit ndaj Kosovës, duke pritur, që në rastin e decentralizimit në veri, Beogradi të mbajë të paktën një qasje neutrale.
XS
SM
MD
LG