Ndërlidhjet

Bosnja dhe Serbia luftojnë për ekstradimin e Ganiqit



Lufta mes Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës në lidhje me të drejtën e arrestimit të ish-liderit boshnjak, Ejup Ganiq, shihet si një dilemë e paprecendentë ligjore në Lodër.

Ganiq, një mysliman i Bosnjës, kërkohet nga Serbia për një incident të ndodhur menjëherë pas fillimit të luftës në Bosnjë, në vitin 1992, ku dyshohet se një numër ushtarësh të plagosur jugosllavë janë vrarë nga luftëtarët boshnjakë në Sarajevë.

Në bazë të një fletarrestimi serb, Ganiq u arrestua nga policia britanike në aeroportin “Hithrou” të Londrës, më 1 mars.

Në Beograd, Ministria e Drejtësisë, Snezhana Maloviq, tha se do të kërkojë ekstradimin e tij sa më shpejt të jetë e mundur.

“Ministria e Drejtësisë po përgatit shpejt gjithçka që duhet për këtë rast dhe unë do të paraqes një kërkesë për ekstradimin e tij brenda kësaj jave, bashkë me dokumentet e nevojshme”.

“Ejup Ganiq kërkohet nga Serbia për tri vepra kriminale. Natyrisht, më e njohura është ngjarja në rrugën Dobrovolaçka në Sarajevë, ku u godit kolona ushtarake”
, tha Maloviq.

Ejup Ganiq
Zyrtarë të drejtësisë në Bosnjë plotësuan kërkesën ndaj Britanisë për ekstradimin e tij dhe gjithashtu edhe kërkesën ndaj Beogradit për transferimin e rastit juridik në Sarajevë.

Këtë e konfirmoi ministri i Drejtësisë në Bosnjë, Barisha Colak, i cili tha:

“Mund t’ju them se, gjatë ditës, një kërkesë e re për dorëzimin e kësaj procedure penale do t’i dërgohet Ministrisë së Drejtësisë serbe”.

“Ne, gjithashtu, përmes Interpolit, do t’ia paraqesim gjykatës kompetente marrëveshjen, që kemi nënshkruar me Serbinë më 26 shkurt, në të cilën deklarohet qartë se rastet e krimeve kundër njerëzimit, në bazë të ligjit ndërkombëtar, të gjykohen në vendin e shtetësisë së personit, i cili dyshohet të jetë i implikuar”
, tha Colak.

Një gjykatë në Londër refuzoi lirimin e tij me kusht deri javën e ardhshme. Burimet në Londër thonë se si Bosnja, edhe Serbia, po luftojnë për të drejtën e ekstradimit, gjë që duhet të bëhet para një gjykate të qarkut.

Por, profesori i ligjeve ndërkombëtare në Universitetin e Beogradit, Vojin Dimitrijeviq, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo procedurë do të marrë kohë.

“Ne po flasim për procedurat e ekstradimit, që duhet të kryhen në përputhje me konventat e Gjenevës, por edhe sipas Ligjit britanik të ekstradimeve”.

“Tashmë kjo procedurë mund të zgjasë dhe kjo u krijon mundësi avokatëve, që, përmes ankimeve, ta sjellin këtë proces në një gjykatë më të lartë”
, tha Dimitrijeviq.

Disa boshnjakë besojnë se veprimi i papritur serb kundrejt Ganiqit lidhet me rifillimin e gjyqit në Hagë ndaj ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq.

Ndërsa, anëtari i presidencës boshnjake, myslimani Haris Slajxhiq, tha se këto aksione kundër Ganiqit duhet t’i ndërgjegjësojnë boshnjakët, që të luftojnë me të gjitha mjetet për t’i mbrojtur të drejtat e qytetarëve të tyre kundër agresionit, që është kryer ndaj Bosnjës.(A.Ç.)

XS
SM
MD
LG