Ndërlidhjet

Pa ngrohje


Prishtinë
Prishtinë
Shumë shkolla në Prishtinë punojnë me orar të shkurtuar, për shkak të ftohtit që ka mbërthyer vendin dhe mungesës së ngrohjes. Këtë e konfirmon Ismet Osdautaj, zyrtar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Sipas informatave që kemi, për shkak të (mungesës së) ngrohjes, mësimi në shkolla mbahet me orar të shkurtuar”, bën të ditur ai.

Edhe Arsim Gashi, zëvendësdrejtor i shkollës fillore “Faik Konica”, pohon të njëjtën, ngase, siç thotë ai, brenda shkollës ku zhvillohet mësimi, është shumë ftohtë.

“Do të mbahen orët, por me orar të shkurtuar. Brenda shkollës është shumë ftohtë, radiatorët janë akull. Shkolla nuk ka me çka tjetër të ngrohet, vetëm me sistemin e ngrohtores, kështu që brenda objektit është shumë ftohtë
”, thotë ai.

Mësuesja Myrvete Kelmendi thotë se, përkundër përpjekjeve për të mos e ndërprerë mësimin, mungesat e nxënësve janë evidente.

“Temperaturat janë shumë të ulëta, klasat janë shumë të ftohta; sidomos në katin përdhes, ku ne mbajmë mësim, është e pamundur të punohet. Nxënësit kanë munguar, sepse prindërit nuk i kanë lëshuar të vijnë, për shkak të ftohtit të papërballueshëm”,
thotë Kelmendi.

Në anën tjetër, Zana Efendia, zëdhënëse e ngrohtores së qytetit “Termokos”, njofton se ngrohje nuk ka, meqë sezoni dimëror, këtë vit, është ndërprerë para kohe.

Sipas saj, e njëjta vlen edhe për shkolla, meqë ngrohtorja s’ka mundësi teknike për të bërë ndarje të këtilla. Sezoni dimëror është ndërprerë për shkak të mungesës së mazutit, si lëndë e parë e ngrohtores, thotë Efendia.

”Kemi shpresuar që Komuna ose Qeveria do të na ndihmojnë financiarisht... Vetëm atëherë do të mund të ndryshonte situata, përndryshe jo“,
thekson Efendia.

Ndërkaq, Sylë Tahirsylaj, drejtor i institutit hidrometeorologjik të Kosovës, thotë se gjatë gjithë javës moti do të jetë i ftohtë, me temperatura nën zero gradë celsius.

“Vendi ynë do të vazhdojë të jetë nga minus katër, ndërsa ato më të lartat do të shkojnë në plus tre gradë celsius. Do të ketë edhe reshje bore të intensitetit mesatar”, njofton Tahirsylaj.

Ndryshe, ngrohtorja “Termokos”, më 1 mars, e ka ndërprerë furnizimin me ngrohje në Prishtinë, edhe pse përfundimi i sezonit zyrtarisht do të duhej të ndodhte më 15 prill.
XS
SM
MD
LG