Ndërlidhjet

11 vjet nga masakra e Qyshkut, kërkohet drejtësi


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Prokuroria për krime lufte në Serbi njofton se policia arrestoi 9 ish-paraushtarakë të akuzuar për vrasjen e rreth 200 shqiptarëve në Qyshk të Pejës, në maj të 1999-ës. Të mbijetuarit e masakrës dhe familjarë të viktimave kërkojnë drejtësi.


Një ndër të vrarët në masakrën e Qyshkut të komunës së Pejës, në vitin 1999, është edhe i ati i ish-kryeministrit Agim Çeku.

Zoti Çeku, megjithëse ndjen një lehtësim për arrestimet e bëra, sërish është skeptik se në Serbi ekziston një vullnet për t’i dënuar ata që kryen masakra në Kosovë.

“Në mesin e të masakruarve ka qenë edhe babai im, 69 vjeç, gjithashtu edhe xhaxhai im, Kadriu, i cili ka qenë një vit më i vjetër, por edhe shumë bashkëfshatarë të mi”.

“Normalisht, edhe nga ky aspekt, si i prekur drejtpërdrejt, e ndiej një lehtësim, por thjesht dyshoj që ky është një veprim, të cilin Serbia e merr seriozisht, që dëshiron të distancohet nga krimi dhe kriminelët t’i vendosë para drejtësisë. Serbia nuk ka dhënë prova që kriminelët t’i vendosë para drejtësisë”
, thotë Çeku.

Njëri nga tre të mbijetuarit e masakrës në fshatin Qyshk, Hazir Berisha, lidhur me arrestimet e ish-paraushtarakëve në Serbi, të cilët akuzohen për vrasje në Kosovë, thotë:

“Unë e vlerësoj mirë nëse është e vërtetë që i kanë arrestuar, nëse ata janë të njëjtit. Megjithëse me vonesë, po më mirë vonë se kurrë”
.

Përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut në Kosovë dhe në Serbi, deklarojnë se arrestimi i nëntë ish-paraushtarakëve të akuzuar për vrasjen e rreth 200 shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë, është një lajm i mirë dhe një porosi për ata persona që kanë bërë krim se nuk mund të fshihen.

Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, thotë për Radion Evropa e Lirë, se është mirë që prokuroria në Beograd ka hapur çështjen e masakrës së fshatit Qyshk të Pejës.

Zonja Kandiq shpreh shpresën se lidhur me krimet që janë bërë gjatë luftës në Kosovë, do të arrestohen edhe persona të tjerë.

“Mendoj se është mirë që prokuroria ka hapur rastin e krimeve në Qyshk, të kryera nga policët serbë dhe anëtarët e formacioneve paramilitare. Nuk mund të quhet incident, është një ngjarje e madhe, sepse në të njëjtën kohë shqiptarët janë vrarë në Zahaq dhe Pavlan. Unë nuk e kam parë ende kërkesën e prokurorisë për arrestimet”.

“Por, shpresoj se zyra e prokurorisë ka lëshuar fletarrestime, jo vetëm për anëtarët e rëndomtë të grupeve paramilitare, por që në mesin e të arrestuarve të jetë edhe ndokush që ka mbajtur pozitë të lartë, meqë krimet në Qyshk, Zahaq dhe Pavlan janë krime të tmerrshme, sepse njerëzit janë vrarë, e pastaj u janë djegur trupat. Kanë qenë vrasje brutale”
, shprehet Kandiq.

Nga ana tjetër, edhe drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovës, Behxhet Shala, konsideron se deri më tash në Serbi nuk është bërë asgjë sa i takon përndjekjes së personave për krime lufte.

“Në Serbi, deri më tash, nuk është bërë asnjë veprim konkret për përndjekjen e përgjegjësve për krime lufte për ata, të cilët kanë urdhëruar dhe për ata që nuk janë penguar për krimet në Kosovë”.

“Tash, nën presionin ndërkombëtar, duket se e kanë atë kushtin e bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës. Serbia po i merr disa veprime duke i arrestuar në nivelin më të ulët ata, të cilët kanë qenë të involvuar në vrasjen e shqiptarëve. Ndërsa, ata që janë vërtet përgjegjës, e të cilët i kanë projektuar këto krime, në fakt po mbesin të pandëshkuar”
, vlerëson Shala.

Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, konsideron se në Serbi nuk ka një vullnet të duhur politik për t’i dënuar personat, të cilët kanë bërë krime.

Çeku thotë për Radion Evropa e Lirë se arrestimet e fundit nuk janë të një vullneti të mirë të sistemit të drejtësisë së Serbisë, për t’u ballafaquar me drejtësinë.

“Përderisa Serbia nuk merr vendim që të distancohet nga të gjitha ato krime dhe nga kriminelët, atëherë unë dyshoj që është kjo pjesë që buron nga vullneti politik. Por, thjesht është një veprim i motivuar politikisht që me një veprim të tillë, të mund ta ndihmojë Serbinë në një qëllim tjetër të tyre që mund ta kenë”
, shprehet Çeku.

Edhe Shala nga Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut shpreh mendimin se arrestime po ndodhin, por të akuzuarit nuk po e marrin dënimin e merituar.

“Ata po i arrestojnë, disa prej tyre po i lirojnë, e mandej po i dënojnë me disa dënime që më shumë po kanë karakter simbolik dhe, thjesht, ata nuk po e marrin dënimin e merituar”
, thekson Shala.

Sipas prokurorisë së Serbisë, për masakrën e ndodhur në Qyshk të Kosovës në maj të vitit 1999, janë të akuzuar gjithsej 26 persona, ndërsa janë arrestuar vetëm nëntë nga ta.

Ndryshe, në fshatin Qyshk me rrethinë, thuhet se janë të vrarë rreth 50 persona.
XS
SM
MD
LG