Ndërlidhjet

Arrihet marrëveshja



Kanë përfunduar negociatat me kompaninë amerikano-turke “Bechtel & Enka”, për fillimin e punimeve për ndërtimin e autostradës Vërmicë – Merdar. Kjo është bërë e ditur në mbledhjen e së premtes të Qeverisë së Kosovës.

Autostrada, sipas përfaqësuesve të Komitetit Ndërministror, do të ndërtohet segment pas segmenti dhe do të fillojë të punohet në ndërtimin e segmentit të parë dhe të dytë, nga Vërmica deri në Qafë të Dulës.

Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ka shpjeguar më shumë detaje lidhur me marrëveshjen për fillimin e ndërtimit të autostradës Vërmicë-Merdar.

“Ne kemi arritur që kontratën me ‘Bechetl & Enka’ ta bëjmë segment pas segmenti, që nënkupton varësisht nga mundësitë tona financiare, varësisht nga mundësit tona teknike, për aq sa kemi para për aq e vazhdojmë projektin e rrugës deri në Qafë të Dulës”.

“Pastaj, Qeveria do të marrë vendim se a do të vazhdojë në rrugën në drejtim të Carralevës, apo do të gjejë rrugë tjetër alternative”
, ka thënë Limaj.

Autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se autostrada Vërmicë- Prishtinë - Merdar do të jetë autostradë hyrje-dalje, në gjerësi prej 28 metrash, ku do të jenë dy shirita qarkullues me nga 3.75 metra, një shirit ndihmës emergjent 2.5 metra dhe brezi i gjelbër në mes me gjerësi 3 deri në 4 metra.

Qeveria e Kosovës, gjithashtu, ka miratuar rekomandimet e Komitetit Ndërministror për ndërtimin e autostradës që autostrada të jetë me pagesë.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ka thënë se financimi i kësaj pjese të punimeve do të bëhet nga buxheti i Kosovës. Sipas tij, ndërtimi i autostradës, Kosovës do t’i kushtojë rreth 700 milionë euro.

“Do të angazhojmë financim nga të hyrat e rregullta, nga të hyrat e njëhershme gjatë procesit të privatizimit dhe formave të konsecionit, si dhe do të përpiqemi dhe jemi dakorduar për forma tjera mundësisht të buta nga sektorët financiarë ndërkombëtarë”,
ka shpjeguar Shala.

Ndërkaq, sa i përket fillimit të punimeve, ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ka theksuar se, sipas parashikimeve, autostrada në segmentin e parë dhe të dytë mund të fillojë të ndërtohet më së largu deri në maj të këtij viti, mirëpo ende asgjë nuk është përfundimtare.

“Teknikisht dhe financiarisht kompania është e zotuar që për 36 muaj do ta përfundojë ndërtimin e autostradës. Por, këto probleme nga ana jonë nuk janë fare të lehta. Do të jenë sfiduese, por besoj që me një punë të mirë ekipore do të arrijmë”
, është shprehur Limaj.

Ministri Limaj, po ashtu, ka bërë të ditur se gjatë katër vjetëve të ardhshëm, sa planifikohet të zgjasë ndërtimi i autostradës, do të punësohen rreth gjashtë mijë punëtorë, prej të cilëve katër mijë do të jenë vendës.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka autorizuar Komitetin Ndërministror që të bëjë nënshkrimin e kontratës me kompaninë “Bechtel & Enka”.
XS
SM
MD
LG