Ndërlidhjet

Shkarkimi politik (?)


Prishtinë - Ministria e Kulturës

Prishtinë - Ministria e Kulturës

Ndërrimet në kuadër të riformatizimit të Qeverisë janë bërë për shkaqe politike, e jo për mungesë të punës së ministrave, tha ministri në largim i Kulturës, Valton Beqiri. Përfaqësues të komunitetit të artistëve, zëvendësimin e tij e komentuan në mënyra të ndryshme.


Ndryshimet në Qeverinë e Kosovës, në kuadër të riformatizimit të saj, kanë prekur edhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Drejtuesin e deridjeshëm të kësaj ministrie, Valton Beqirin, do ta zëvendësojë Lutfi Haziri, i cili, sikurse ministri paraprak, vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ministri në largim, Valton Beqiri, tha se zëvendësimi i tij është bërë për shkaqe politike dhe jo për mungesë të rezultateve gjatë punës së tij si ministër.

“Është me rëndësi që ky ndryshim në riformatizim nuk bëhet për shkak të performancës së ministrisë apo të punës së ministrave të ndryshëm. Bëhet vetëm për shkaqe politike. Ky është vetëm kalkulim politik, është çështje e marrëveshjes së partnerëve të koalicionit, prandaj të gjithë ne duhet ta respektojmë atë”.

“Nga ana ime nuk është kërkuar dorëheqja. Natyrisht, edhe po të ma kërkonin këtë, nuk do ta jepja, meqë dorëheqja do të nënkuptonte edhe pranim të ndonjë fajësie të punës së deritanishme. Përndryshe, çështja e vendimit të subjektit partiak për emërimin e ndonjë ministri tjetër është vendim i tyre”
, tha Beqiri.

Ai nuk deshi të flasë lidhur me çështjen se a do të vazhdojë të jetë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por tha se emërimi i tij për ministër të Kulturës, dy vjet më parë, ka qenë rezultat i punës së tij si krijues dhe artist.

“Pozita ime në LDK nuk ka qenë e fortë. Ndoshta njëra prej arsyeve që jam një ndër ministrat që largohet, është edhe për shkak të pozicionimit tim apo të forcës sime ndikuese në LDK. Megjithatë, unë mendoj se nuk është e rëndësishme çështja e aderimit apo e vazhdimit të angazhimit në parti”.

“Mendoj se më e rëndësishme është që ajo parti, e cila të ka zgjedhur, të të japë mundësi që ta kryesh funksionin si duhet. Është me rëndësi që ti ta përmbushësh obligimin si ministër dhe në qoftë se je i suksesshëm, e unë besoj që ministria jonë ka qenë e suksesshme gjatë këtyre viteve, i bën nder jo vetëm Qeverisë, por edhe partisë”
, u shpreh Beqiri.

Në anën tjetër, zëvendësimi i zotit Beqiri në postin e ministrit të Kulturës nga ana e Lutfi Hazirit, nga përfaqësuesit e komunitetit të artistëve u komentua në mënyra të ndryshme.

Regjisori Agim Sopi, punën e ish-ministrit Beqiri e vlerësoi si të dështuar, pavarësisht se emërimi i tij, dy vjet më parë, ishte mirëpritur nga komuniteti i artistëve.

“Fatkeqësisht, zoti Beqiri na ka zhgënjyer për të keq. Kultura, gjatë mandatit të zotit Beqiri, ka degraduar edhe më shumë, për të mos thënë se është bllokuar totalisht. Ai nuk ka arritur të krijojë një ambient kulturor, e aq më pak që të ketë ose të sajojë një politikë kulturore”.

“Shpresojmë që gjërat do të përmirësohen dhe do të ketë ndryshime pozitive, për vetë faktin se zoti Haziri është një personalitet afër kulturës, ka përvojë politike dhe përvojë menaxhuese”
, tha Sopi.

Por, ndryshe u shpreh Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, i cili e vlerësoi lart punën e deritashme të ministrit në largim, Valton Beqiri.

“Duhet të vlerësohet lart kontributi i tij në stabilizimin e gjendjes në Ministrinë e Kulturës, meqë nuk duhet harruar faktin se në kohën kur ministri Beqiri e ka marrë postin, situata në ministri nuk ka qenë aspak në rregull. Ministri Valton Beqiri, gjatë këtyre dy vjetëve, ka bërë shumë në konsolidimin e pothuajse të gjitha institucioneve”.

“Gjatë vitit 2009 janë bërë lëvizje shumë pozitive dhe po ashtu edhe fillimi i vitit 2010 ka qenë në këtë frymë. Shpresoj se edhe me këto ndërrime do të vazhdojë bashkëpunimi i Ministrisë së Kulturës me institucionet relevante kulturore, të cilat mbështeten nga kjo ministri”
, deklaroi Jashari.

Ndërkaq, regjisori Ekrem Kryeziu tha:

“Unë nuk e di se cili ka qenë shkaku që e kanë ndërruar ministrin Valton Beqiri. Por, me siguri se LDK-ja i ka ato planet e veta dhe uroj që Lutfi Haziri të ketë fat dhe jetë më të gjatë sesa që ka pasur profesor Valton Beqiri si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”.

“Nëse ministri i Kulturës nuk mbështetet nga kryeministri dhe Qeveria me fonde më të mëdha - Lutfi Haziri apo kushdo që të vijë në krye të kësaj ministrie – unë besoj se dështimi është i sigurt”
, përfundoi regjisori Kryeziu.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG