Ndërlidhjet

Prishtinë: Të vazhdojnë sigurimet sociale nga Zvicra


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe ata të sindikatës zvicerane "UNIA", në një konferencë për media, kërkuan nga autoritetet zvicerane që të vazhdojnë marrëveshjen për sigurime sociale. Ndryshe, kjo marrëveshje ishte nënshkruar në kohën e ish- Jugosllavisë, afati i së cilës ka skaduar të enjten.


Që nga e enjtja Qeveria e Zvicrës ndërpret marrëveshjen bilaterale për sigurimet sociale me Kosovën. Marrëveshja përfshin: pensionin e pleqërisë, sigurimin invalidor, sigurimin në raste fatkeqësie, sëmundje profesionale, si dhe shtesat familjare.

Këto sigurime mund t’i gëzojnë vetëm personat që mbesin të jetojnë në Zvicër, ndërsa nëse kthehen në Kosovë, e humbin të drejtën për pension, thotë Haxhi Arifaj, udhëheqës i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Sipas Arifajt, ky vendim prek rreth 170 mijë shtetas të Kosovës që punojnë dhe qëndrojnë në shtetin e Zvicrës. Ai këtë vendim e quan hap të nxituar dhe me pasoja të rënda.

Ndryshe, marrëveshja mbi sigurimet sociale me Zvicrën, ishte nënshkruar në kohën e ish-Jugosllavisë.

“Faktikisht, është një marrëveshje e nënshkruar me një shtet që tashmë ka vdekur dhe shteti zviceran, ka pritur dhe pret që atë marrëveshje ta bëjë me shtetin tonë, Kosovën”.

“Sigurisht se vështirësitë do të jenë të krijuar, sepse shteti ynë, gjegjësisht Ministria e Punëve të Jashtme është informuar ka një kohë të gjatë, dhe në këtë mënyrë ka pasur neglizhencë në këtë drejtim”,
shpjegon Arifaj.

Edhe Osman Osmani, përfaqësues i sindikatës më të madhe zvicerane "UNIA" thotë se prishja e marrëveshjes shkakton dëm të pariparueshëm, duke krijuar kështu raste të rënda, kur dihet se përfitimet e plota, siç shprehet Osmani, janë të mundshme vetëm nëse qytetarët nuk kthehen në vendlindje.

Duke theksuar se të gjithë duhet të kenë mundësinë e zgjedhjes së vendbanimit në moshën e pensionit, Osmani vlerëson se ky vendim është shkelje e rëndë e të drejtave të elementare të shtetasve nga Kosova.

Në emër të bashkatdhetarëve që jetojnë në Zvicër, Osmani kërkon nga autoritetet zvicerane që sa më parë të fillojnë bisedimet me Qeverinë e Kosovës, që ta ripërtërijë marrëveshjen dhe deri në nënshkrimin e saj, të vazhdohet marrëveshja ekzistuese.

“Qeveria zvicerane e arsyeton këtë vendim të saj, të padrejtë, me atë që shteti i Kosovës, i cili gjendet në ndërtim, has në disa vështirësi të caktuara”.


“Në një shkresë të ministrit përkatës të Qeverisë zvicerane, ndër arsyet që kjo marrëveshje nuk është vazhduar, ceket edhe mungesa e legjislacionit të sigurimeve sociale në Kosovë”
, sqaron Osmani.

Në anën tjetër, zyrtarë qeveritarë deklarojnë se tashmë kanë formuar një komision të posaçëm që të merret me këtë çështje.

Behxhet Gaxhiqi, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se kjo ministri tashmë ka kërkuar nga autoritetet zvicerane që të caktojnë ndonjë afat kohor, në mënyrë që të fillojnë negociatat për marrëveshje të reja.

“Në këtë aspekt ne presim vetëm konfirmimin nga shteti zviceran që të caktohen pikat kyçe. Ne i kemi caktuar të gjitha pikat që do t’i negociojmë për nënshkrimin e marrëveshjes së re”
, thotë Gaxhiqi.

Ndryshe, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës së bashku me sindikatën "UNIA", për këtë çështje, nga një prilli kanë filluar nënshkrimin e një peticioni në Kosovë dhe në Zvicër.
XS
SM
MD
LG