Ndërlidhjet

Premtimet për rezultate


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Ministrat e sapoemëruar premtojnë se do të kenë një angazhim të shtuar në përmbushjen e pritjeve për afirmim dhe energji të reja në ekzekutiv. Rezultate më të mëdha priten sidomos nga Ministria e Brendshme, ajo e Drejtësisë dhe Ministria e re e Integrimeve.



Ministrat e rinj në Qeverinë e Kosovës zotohen se janë të gatshëm të ballafaqohen me të gjitha sfidat që i presin. Në ditën e parë të punës si ministra të sapoemëruar, ata morën pjesë në seancën e Kuvendit.

Ish-kryeministri Bajram Rexhepi, tani ministër i Punëve të Brendshme, tha se do t’i qaset një reforme në këtë ministri. Ndërkaq, nga aspekti i sigurisë, ai përmendi bashkëpunimin me EULEX-in për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.

“Do të mundohemi që edhe me rishikim të buxhetit, të kemi mundësi të inkuadrojmë sa më tepër kuadro të shkolluara në profesione të caktuara, siç janë: hetuesia dhe forma të ndryshme të forenzikës, që policia të jetë shumë më efikase. Po ashtu, edhe pjesa e administratës që merret me lëshimin e letërnjoftimeve, pasaportave, në shumë qendra rajonale nuk ka objekte adekuate...”.

“Një nga prioritetet do të jetë që të kemi edhe komunikim më të rregullt me Policinë e Kosovës në pjesën veriore dhe bashkë me EULEX-in të synojmë që të vendoset rendi dhe ligji”,
tha Rexhepi.

Një ministri tjetër që besohet se ka para vetes shumë sfida, është ajo e Drejtësisë. Ministri i ri i Drejtësisë, Haki Demolli, shprehu besimin se mund të bëjë më shumë në përmirësimin e perceptimit negativ në lidhje me sistemin e drejtësisë në Kosovë, çka identifikohet si fushë me më shumë të meta edhe në raportet ndërkombëtare për Kosovën.

“Një prej shtyllave kryesore për funksionimin e një shteti është pikërisht sundimi i ligjit. Shikuar raportet e progresit dhe disa analiza që janë bërë në këto raporte, ka vërejtje sa i përket sundimit të ligjit në Kosovë, për të cilat mendoj se do të angazhohem maksimalisht, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të jenë më të kënaqur me shërbimet që u ofron sistemi gjyqësor dhe në njëfarë mënyre të mbizotërojë sundimi i ligjit në Kosovë”, tha Demolli.

Përveç ministrive ekzistuese, ndryshimet në Qeveri përfshijnë edhe krijimin e një ministrie të re, asaj të Integrimeve. Në krye të kësaj ministrie është emëruar ministri Besim Beqaj, kryetar i deritashëm i Odës Ekonomike të Kosovës.

Beqaj tha se vazhdimi i plotësimit të kritereve për integrim në BE dhe në NATO, si dhe bashkëpunimi rajonal, paraqesin disa nga përkushtimet kryesore në punën e tij.

“Integrimi është orientimi i të gjitha shteteve të rajonit. Është një sfidë e madhe dhe sigurisht që me energji dhe bashkëpunim, të cilin ne do ta vendosim me vendorë e ndërkombëtarë, do të mundësojmë që qytetarët e Kosovës të jenë më afër integrimit”
, tha Beqaj.

I cilësuar nga kryeministri si riformatizim i Qeverisë, si rezultat ka sjellë zëvendësimin e gjashtë ministrave, tre nga Partia Demokratike e Kosovës dhe po aq nga Lidhja Demokratike e Kosovës, si dhe formimin e një ministrie të re.

Këto ndryshime, sipas kryeministrit të Kosovës, janë afirmative dhe do të sjellin energji të reja në qeverisje. Ndërsa, opozita i ka cilësuar ato si blerje kohe dhe reflektim i ekzistimit të krizës brenda koalicionit dhe Qeverisë aktuale.
XS
SM
MD
LG