Ndërlidhjet

Ndërrimet në Qeveri shihen nga këndvështrime të ndryshme nga analistët kosovarë. Disa thonë se esenca e këtyre ndryshimeve është blerja e kohës, por ka të tjerë që thonë se ndryshimet janë një hap pozitiv për zhvillimet në Kosovë.



Disa i quajnë përpjekje për të blerë kohë, në mënyrë që t’i zgjatet jeta Qeverisë deri në fund të mandatit, ndërsa të tjerët si ndryshime që do t’u kontribuojnë zhvillimeve pozitive në vend.

Janë këto disa nga këndvështrimet e analistëve kosovarë mbi ndryshimet në Qeverinë e Kosovës, të bëra publike një ditë më parë nga kryeministri Hashim Thaçi.

Analisti Halil Matoshi i quan ndryshimet, siç shprehet, një pazar mes partnerëve të koalicionit, me kusht që ta zhvendosin vëmendjen e publikut nga problemet reale.

“Përmes zgjedhjeve lokale, Kosova humbi gjashtë muaj, edhe tre muaj me këtë riformatizim, riafirmim, rifreskim... Krejt lufta po bëhet që të shkohet deri në fund të mandatit me këtë qeverisje të keqe dhe që të mos ketë lëkundje serioze të pushtetit personal të klasës aktuale politike”.

“Ndërsa, vërtet, ata ministra që kanë dosje për korrupsion, nuk janë lëvizur, sepse, në këtë aspekt, zoti Thaçi as që ka fuqi politike që t’i lëvizë ministrat vërtet të korruptuar, por lëvizin ministrat që në partitë e tyre nuk kanë fuqi politike”,
thotë Matoshi.

Por, me një opinion të tillë nuk pajtohet analisti tjetër për çështje politike, Drtion Lajçi, i cili konsideron se me ndryshimet në Qeveri, janë përmbushur pak a shumë pritjet e qytetarëve.

Ndryshe nga Matoshi, Lajçi mendon se me ndryshimet është prekur edhe substanca dhe janë shkarkuar ata ministra, resorët e të cilëve, sipas tij, kanë çaluar.

“Konsideroj se janë bërë ndryshime adekuate. Është prekur edhe substanca, sidomos Ministria e Punëve të Brendshme, që ka qenë pika më diskutabile. Pika tjetër e kontestit ka qenë Ministria e Punëve të Jashtme dhe në këtë kuadër, formimi i Ministrisë së Integrimeve konsideroj se do të jetë hap komplementar, që do ta ndihmojë politikën e jashtme të Kosovës”.

“Dhe kështu, mbledh e zbrit, është një hap i vogël pozitiv drejt ngritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të performancave të Qeverisë“,
thotë Lajçi.

Kreu i Qeverisë ka ndërruar tre ministra të Partisë Demokratike të Kosovës dhe tre të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Opozita menjëherë ka thënë njëzëri se nuk kanë ikur ata që janë përfolur për afera korruptive dhe keqpërdorime.

Matoshi thotë se ministrat e shkarkuar nuk kanë qenë të shkëlqyeshëm në punën e tyre, por as nuk kanë shkaktuar skandale.

“E kuptoj se ata nuk kanë pasur performancë brilante, por as buxhet të madh; ndërsa, nuk kanë prodhuar skandale, ndonëse nuk kanë mundur të bëjnë reforma thelbësore në resorët që i kanë udhëhequr. Por, ata kanë qenë viktimat e këtij pazari politik mes zotit Thaçi dhe zotit Haziri”, thotë Matoshi.

Matoshi, madje, hedh tezën tjetër se PDK-ja dhe kryeministri Thaçi e kanë projektuar këtë ndryshim në radhët e Qeverisë edhe për ta goditur LDK-në.

“...sepse gjithnjë, duke krijuar të pakënaqur, krijon edhe pakënaqësi brenda partisë dhe, eventualisht, mund që t’i shkëputet edhe ndonjë grupacion ose fraksion politik”, shprehet Matoshi.

Por, me ndryshimet në Qeveri është pajtuar vetë kryesia e LDK-së. Kjo, sipas Lajçit, bën që kjo parti të mos tronditet nga ndonjë çarje tjetër.

“Nuk besoj se do të ketë ‘boom’ të madh brenda LDK-së. Ata janë deklaruar se do t’i respektojnë vendimet e Kryesisë së kësaj partie. I kanë shprehur ato rezervat, që historikisht janë dallimet mes PDK-së dhe LDK-së, pra ajo padurueshmëria ndaj njëra-tjetrës. Por, pakënaqësia nuk do të arrijë ta destabilizojë LDK-në. Ata janë deklaruar publikisht se i respektojnë vendimet e partisë së vet”, thotë Lajçi.

Ndryshimet në Qeveri, të njohura fillimisht me termin riformatizim, janë paralajmëruar që në muajin nëntor të vitit të kaluar. Ndërkohë, disa nga ministrat e shkarkuar kanë deklaruar se ndryshimet janë bërë për shkaqe politike dhe jo për mungesë të punës së ministrave.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG