Ndërlidhjet

Kacin: Në Serbi nuk pat guxim të thuhet gjenocid


Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, ka vlerësuar se Serbia, “në vend të ballafaqimit real me të kaluarën, me vendimin e Kuvendit për Deklaratën për Srebrenicën, e ka bërë një hap më tepër anash e jo përpara”.

Mëtutje, zoti Kacin i ka thënë gazetës sarajevase, Dnevni Avaz, se “ndër palët qeverisëse në Serbi nuk ka pasur guxim politik, që direkt ta thonë atë, që është esenca e të gjithave: se Srebrenica ishte krimi më i tmerrshëm dhe se ky ishte gjenocid”.

Në këtë aspekt, ai ka theksuar se “këso mesazhe të qarta, koalicioni në pushtet nuk mund t’i dërgoj opinionit të Serbisë, kështu që pastaj dërgohen mesazhe të paqarta për rajonin dhe për Bashkimin Evropian”.

Raportuesi i Parlamentit Evropain, Jelko Kacin, tha se, megjithatë procesi ka nisur dhe për këtë duhet të përshëndetet nisma e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq.

Por, sipas zotit Kacin, “është shqetësuese porosia se do të miratohet edhe rezoluta e dytë”, me ç’rast ai i është referuar propozim deklaratës për dënimin e krimeve ndaj serbëve në luftërat në Ballkan gjatë viteve të 90-ta.
XS
SM
MD
LG