Ndërlidhjet

logo-print

Zgjedhjet serbe - përgjigje kundër strategjisë (!)


Mitrovicë - Gjatë fushatës për zgjedhjet serbe të 11 majit, 2008.

Mitrovicë - Gjatë fushatës për zgjedhjet serbe të 11 majit, 2008.

Zgjedhjet lokale serbe, që pritet të mbahen më 30 maj në veriun e Mitrovicës, do të tregojnë se strategjia e ICO-së dhe Qeverisë së Kosovës për veriun është refuzuar nga serbët, thonë disa përfaqësues të këtyre të fundit.



Zgjedhjet lokale serbe në veriun e Mitrovicës, të cilat janë paralajmëruar për 30 maj, kanë qenë të planifikuara para publikimit të strategjisë së Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe Qeverisë së Kosovës për integrimin e veriut, thonë politikanë serbë të veriut të Kosovës.

Por, ata kanë mendime të ndryshme lidhur me çështjen se a do të futen këto zgjedhje në funksion të kundërshtimit të strategjisë për integrimin e veriut dhe zgjedhjeve lokale, të cilat planifikon t’i organizojë Qeveria e Kosovës në komunat e veriut të vendit.

Millan Ivanoviq, nga Këshilli Kombëtar Serb për veriun e Kosovës, thotë se, sidoqoftë, zgjedhjet serbe në veri të Mitrovicës do të jenë një argument i kundërshtimit ndaj strategjisë për integrim.

Zgjedhjet, mbajtja e të cilave është caktuar për muajin maj, në çfarëdo rasti do të tregojnë se strategjia e Feithit dhe e Thaçit për integrimin e veriut është refuzuar, jo vetëm nga shumica serbe, por edhe nga komunitetet tjera joshqiptare, të cilat në numër të madh jetojnë në Kosovën veriore dhe në veriun e Mitrovicës”.

“Pas daljes në votime të shumicës së serbëve për të votuar në kuadër të sistemit kushtetues të Serbisë, unë mendoj se do ta humbin kuptimin të gjitha idetë dhe përpjekjet e zotit Feith, që përmes serbëve të paguar dhe të korruptuar, të organizojë zgjedhje në Mitrovicë”, thotë Ivanoviq.

Por, mendim tjetër ka Dragisha Kërstoviq, politikan serb në veriun e Kosovës, i cili thotë se zgjedhjet serbe në asnjë mënyrë nuk do të organizohen si kundërpërgjigje ndaj strategjisë për integrimin e veriut.

Zgjedhjet serbe, të paralajmëruara për 30 maj në veri të Kosovës, sipas tij, janë vazhdimësi e procesit zgjedhor, të mbajtur dy vjet më parë. Ai thekson se Qeveria e Serbisë ka vënë masa të përkohshme për Mitrovicën, për shkak se kuvendi komunal i mëhershëm serb është shpërndarë, për arsye, të cilat, siç thotë ai, janë të parapara me ligj.

“Tash pritet mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe ato do të mbahen. Por, mendoj se kjo nuk është bërë me qëllim që të zhvleftësohen zgjedhjet, të cilat i ka parashikuar Qeveria e Kosovës, gjegjësisht institucionet e saj. Mendoj se, shikuar skajshmërisht, mbase edhe mund të ketë ndonjë lidhje me këtë, por jo edhe në këtë rast “, thotë Kërstoviq.

Në anën tjetër, vlerësimet e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe të Qeverisë së Kosovës se zgjedhjet serbe në Kosovë do të konsiderohen ilegale, Ivanoviq i kundërshton, duke i quajtuar ilegale zgjedhjet lokale që i planifikon Qeveria e Kosovës për komunat e veriut të vendit. Ndryshe, ai thotë se mbajtja e zgjedhjeve serbe nuk duhet të shërbejë si shkas për tensionimin e situatës në veri të Kosovës.

“Kjo nuk duhet të ndodhë. Deklarimi në mënyrë demokratike i qytetarëve dhe vullneti i tyre demokratik nuk nënkuptojnë asgjë të keqe”,
thekson Ivanoviq.

Ndryshe, Kërstoviq shpreh mendimin se, megjithatë, mbajtja e zgjedhjeve serbe në muajin maj, mund të ketë pasoja politike.

“Në çfarëdo rasti, do të ketë pasoja politike që do të jenë interesante. Çfarë do të jenë ato, nuk mund të parashikoj, por mendoj se ato institucione do të shpallen si paralele, nuk do të pranohen nga dikush që bën monitorim mbi Kosovën etj.”.

“Kështu që do të ketë kacafytje politike deri në një moment tjetër. Por, unë mendoj se faktorët politikë, të cilët merren me këto çështje, do të tregojnë mjaft urtësi, në mënyrë që të shmanget dhe të tejkalohet çdo tensionim i situatës”
, përfundon Kërstoviq.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG