Ndërlidhjet

logo-print

Decentralizimi i pushtetit në Maqedoni është larg pritjeve të komunave. Drejtuesit e tyre akuzojnë pushtetin qendror për mungesë të gatishmërisë për dorëzimin e kompetencave, madje edhe për nevojat themelore të komunave. Këto vlerësime u dhanë në njëvjetorin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, periudhë kjo që, sipas pushtetit lokal, nuk e ka ndryshuar aspak gjendjen sa i përket decentralizimit.



Një vit pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Maqedoni, kryetarët e disa komunave thonë se asgjë nuk ka ndryshuar në drejtim të decentralizimit të mirëfilltë të pushtetit qendror.

Kryetari i komunës së Dibrës nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim në pushtet, Argëtim Fida, thotë se situata nuk ka ndryshuar aspak nga mandati i tij i parë si drejtues komune.

Pushteti qendror, thotë Fida, ende nuk ka shprehur gatishmëri për t'ia dorëzuar pushtetit lokal madje edhe kompetencat mbi tokën ndërtimore, ndërsa situatë e njëjtë është edhe me arsimin dhe institucionet kulturore, duke mos anashkaluar edhe gjendjen e rëndë në financa.

“Kompetencat nga Ministria e Ekonomisë, Transportit dhe Ministria e Bujqësisë duhet të kalojnë në nivel të pushtetit vendor. Gjithashtu, menaxhimi me qendrat e kulturës duhet të kalojë në kuadër të pushtetit vendor, normalisht bashkë me fondet që deri më tani i kanë ndarë ministritë që kanë menaxhuar me to”.

“Nuk duam që të na decentralizohen kompetencat, duke na u shkurtuar, siç ndodhi me arsimin, që u decentralizuan obligimet në arsim, por Qeveria për rreth 20 për qind i shkurtoi fondet për pushtetin vendor”
, thotë kryetari i komunës së Dibrës, Argëtim Fida.

Edhe Bastri Bajrami, kryetar i komunës së Haraçinës nga radhët e Demokracisë së Re në opozitë, thotë se në Maqedoni nuk mund të flitet për decentralizim të pushtetit, pasi me veprimet që bën, pushteti qendror dëshmon se punon për centralizimin e plotë të pushtetit në Maqedoni.

Bajrami thotë se komunat përballen me probleme të shumta si pasojë e mungesës së kompetencave për të menaxhuar edhe me ato pak institucione që veprojnë nëpër komuna. Ai shpreh pakënaqësinë edhe ndaj shkurtimit të fondeve për nevojat themelore të komunave.

“Më parë nuk ka pasur centralizim më të madh të pushtetit sesa që është tani. Kishim një fond prej 60-70 mijë eurosh në vit për mirëmbajtjen e rrugëve, por edhe atë na e shkurtuan. Po ashtu edhe për arsim i shkurtuan fondet, e kështu me radhë. Ka shumë për të biseduar, por unë mendoj dhe besoj se Qeveria do ta kthejë kokën pak nga qytetarët, se janë lënë në harresë”,
deklaron Bajrami.

Edhe drejtuesit e Lidhjes Socialdemokrate në opozitë shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj ngecjeve në procesin e decentralizimit.

“Decentralizimi në Maqedoni ka ndaluar ashtu siç ka ndaluar ora te stacion i vjetër hekurudhor, si pasojë e tërmetit të vitit 1963. Por, tërmeti i tanishëm është rezultat i tërmetit politik që ka shkaktuar VMRO-DPMNE-ja”.

“Në vend që të merret me zgjidhjen e problemeve sociale, me të cilat përballen qytetarët, drejtuesit lokalë, të zgjedhur nga radhët e VMRO-DPMNE-së, duartrokasin projektet e pushtetit qendror, siç është edhe ai për pamjen e Shkupit në vitin 2014, për të cilin janë paraparë të harxhohen 200 milionë euro”
, thotë nënkryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, njëherësh ish-kryetar i komunës së Strumicës.

Por, pretendimet e tij kundërshtohen nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Koce Trajanovski, që është edhe kryetar i qytetit të Shkupit.

“Decentralizimi aspak nuk është ngrirë. Përkundrazi, me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet dhe kryeministrit Nikolla Gruevski, nga viti 2006 e këndej decentralizimi filloi të zhvillohet me një temp më të përshpejtuar”
, deklaron Trajanovski, sipas të cilit, dëshmi se pushteti aktual ka punuar për procesin e decentralizimit janë zgjedhjet e para një viti, që lanë LSDM-së me vetëm katër kryetarë komunash nga 94 sa ka Maqedonia.
XS
SM
MD
LG