Ndërlidhjet

logo-print

Privatizimi i Postë-Telekomit të Kosovës (PTK), sipas ekspertëve për çështje ekonomike në Prishtinë, është i domosdoshëm për arsye se, siç thonë ata, krijon një rritje më të qëndrueshme ekonomike, si dhe përmirëson rolin e sektorit privat. Megjithatë, ekspertët sugjerojnë që para se të fillojë ky proces, duhet të krijohet një infrastrukturë më e mirë ligjore, e cila do të përcaktonte se ku do të përdoren fondet, të cilat do të krijohen nga privatizimi i kësaj ndërmarrjeje publike.



Dy ligjet ekzistuese, Ligji mbi ndërmarrjet publike dhe ai i partneritetit publiko-privat, nuk përcaktojnë saktësisht procedurën e shitjes së ndërmarrjeve publike.

Ekspertët e çështjeve ekonomike sugjerojnë autoritetet kosovare që të krijojnë një bazë më të mirë ligjore për privatizimin e ndërmarrjeve publike. Ata njëherësh kërkojnë ligj të veçantë për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës.

Eksperti i ekonomisë, Muhamet Mustafa, thotë se duhet të bëhet një studim i fizibilitetit, i cili do të tregonte nëse shitja e tashme e këtyre aseteve do të ketë efekte më të mëdha, sesa fitimi që merr aktualisht Qeveria nga puna e PTK-së.

“Nëse me këtë analizë tregohet se shuma e parave që e marrim me shitjen e PTK-së, që do të investohej qoftë në infrastrukturë, qoftë në edukim, qoftë në shëndetësi, qoftë në gjenerim të vendeve të punës, do të krijonte një interes më të madh publik, sesa fitimi që marrim vjet për vjet prej Postës, atëherë duhet të shkohet në privatizim”.

“Nëse nuk e kemi idenë se si do t’i përdorim ato mjete, është më mirë të mos e bëjmë për ngut dhe të krijojmë probleme dhe tensione në shoqëri”
, thotë Mustafa.

Se sa do të jetë i dobishëm privatizimi i PTK-së, Mustafa mendon se kjo do të varet nga transparenca e këtij procesi.

“Ne mendojmë se procedurat nuk janë shumë të qarta, se ekziston një pushtet shumë i madh i një grupi ndërministror dhe nuk ekzistojnë dispozita, të cilat sigurojnë që këto fonde, që krijohen nga privatizimi, do të përdoren në mënyrë transparente për interesat më vitale për zhvillimin ekonomik të Kosovës”,
deklaron Mustafa.

Ndërkaq, eksperti tjetër për çështje ekonomike, Milaim Abazi, thotë se, edhe pse PTK-ja është një kompani e suksesshme, ajo duhet të privatizohet, pasi që, sipas tij, ende nuk i është përshtatur konkurrencës dhe në të ka keqmenaxhim.

“Ne duhet të bëjmë përpjekje që t’i hartojmë metodat më të mira të ndërmarrjeve publike, siç janë: KEK-u (Korporata Energjetike e Kosovës), Aeropati dhe PTK-ja. Njëkohësisht, këto do të hapin rrugë për ardhjen e investitorëve të huaj. Kosova është vonuar në këtë çështje; Kosova është dashur para tre vjetëve ta fillojë këtë proces, para se të fillonte kriza ekonomike globale”,
vlerëson Abazi.

Privatizimi i ndërmarrjeve publike, sipas tij, do të kontribuonte në një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.

Në anën tjetër, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës tanimë kanë bërë të ditur qëndrimin e tyre mbi privatizimin e ndërmarrjeve publike, duke përfshirë këtu edhe Postë-Telekomin e Kosovës.

Përfaqësuesit e tyre, përmes një qëndrimi zyrtar, kanë thënë se rritja e pjesëmarrjes së kapitalit privat në ekonomi nëpërmjet procesit të privatizimit, do të ketë ndikime pozitive, e veçanërisht në rastet kur është e përcjellë me reforma plotësuese dhe bëhet sipas rregullave dhe normave të Bashkimit Evropian.

Ndryshe, ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka prezantuar Postë-Telekomin e Kosovës para investitorëve ndërkombëtarë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG