Ndërlidhjet

Qeverisje (jo)stabile


Ndryshimet në Qeverinë e Kosovës vazhdojnë të komentohen dhe vlerësohen në mënyra të ndryshme. Përderisa bartësit e riformatizimit i vlerësojnë lart emrat e rinj, përfaqësuesit e opozitës ndryshimet i cilësojnë të dëmshme për vendin, duke kërkuar zgjedhje të lira.



Ndryshimet në Qeverinë e Kosovës vazhdojnë të komentohen dhe vlerësohen në mënyra të ndryshme.

Përderisa kryeministri Hashim Thaçi mbajti sot mbledhjen e parë të Qeverisë edhe me shtatë ministrat e rinj, opozita jo vetëm se i kritikoi këto ndryshime, por i cilësoi edhe të dëmshme për vendin, duke kërkuar zgjedhje të lira.

Sidoqoftë, kryeministri Hashim Thaçi përsëriti se ndërrimet e ministrave do të sjellin afirmim dhe energji të reja.

Ai tha se nuk ka ndëshkuar dhe as shpërblyer askënd, por ka sjellë në Qeveri personalitete që mund të ballafaqohen me sfida të reja, duke përsëritur edhe zotimin e tij se kjo qeveri do ta çojë vendin kah integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO, duke luftuar edhe dukuritë e brendshme negative.

“Ndihem tepër mirë me integrimin e këtij formacioni të njerëzve me përvojë, kredibilë, me vizion të qartë dhe fuqizim të vizionit për shtet-ndërtim dhe integrim të Kosovës në NATO dhe BE
”, tha Thaçi.

Krejtësisht ndryshe nga kryeministri Thaçi vlerësoi lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai tha se me ndërrimet e fundit, Thaçi ka blerë kohën për shtyrjen e zgjedhjeve, duke i shkaktuar humbje të mëdha Kosovës.

“Këto ndërrime e vërtetojnë një lidhje të fortë mes lidershipit të PDK-së dhe LDK-së, për një agjendë të këtillë humbëse për vendin, një agjendë që veç i ka sjellë vendit shumë humbje”.

“Njëkohësisht, me zhvillimet e fundit blihet kohë për Qeverinë Thaçi, duke i vjedhur kohën Kosovës. Pra, bëhet fjalë për blerje kohe për Qeverinë Thaçi, kohë, të cilën e humb Kosova, një kohë shumë e shtrenjtë për proceset që janë shumë të ndjeshme për vendin”, theksoi lideri i AAK-së, Haradinaj.

Haradinaj tha se dalja nga kjo gjendje mund të kërkohet vetëm përmes zgjedhjeve të lira. Ndërkaq, përfshirjen e ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshi, në kompozimin e ri qeverisës, ai e cilësoi si blerje të njerëzve që kanë qenë kundërshtarë të Thaçit.

“Ndoshta me një fjalor tjetër, po vazhdon blerja e paqes, blerja e kohës, ndryshe edhe blerja e kundërshtarëve. Pra, ata që dikur kanë qenë zëra kritikë, sot, kuptohet, janë bërë pjesë e ekipit”.

“Mendoj se kjo është një kohë që u merret qytetarëve të vendit, sepse ndërrimet që kanë ndodhur, janë bërë për Qeverinë dhe jo qeverisjen dhe jo për vendin”
, tha Haradinaj.

Në anën tjetër, kryeministri Thaçi tha se nuk e ka shpërblyer asnjërin prej ministrave të rinj, porse beson në aftësitë e tyre. Ndërkaq, lidhur me ish-oponentin e tij politik, Bukoshin, Thaçi tha se ai është i përcaktuar për politikë që shikon kah e ardhmja dhe jo kah e kaluara.

“Kosova, kurrë ndonjëherë në historinë e saj politike, nuk ka qenë më stabile në kuptimin politik dhe institucional. Ndihem tepër mirë që, bashkë me partnerin e koalicionit, kemi gjetur zgjidhje për të punuar për të ardhmen dhe assesi të mos mbetemi në pozita të ngurta, duke shikuar kah e kaluara. Ky është vendim për afrimin e Kosovës sa më shpejt në NATO dhe BE”,
tha Thaçi.

Jo vetëm AAK-ja, por edhe partitë tjera opozitare i kanë cilësuar ndryshimet në Qeveri si kozmetike dhe blerje e kohës për vazhdimin e mandatit qeverisës. Kurse, partitë e koalicionit kanë mbështetur ndryshimet, duke i arsyetuar ato si nevojë për energji të reja.
XS
SM
MD
LG