Ndërlidhjet

Bizneset pa ndikim në politikat qeveritare


Ndikimi i përfaqësuesve të bizneseve në Kosovë në politikat qeveritare për bizneset deri më tash ka qenë i pamjaftueshëm, vlerësojnë drejtues të asociacioneve që përfaqësojnë bizneset dhe ekspertë të ekonomisë.



Bizneset në Kosovë deri më tash nuk kanë pasur ndikim të mjaftueshëm në politikat qeveritare, të cilat kanë të bëjnë me vetë bizneset, por edhe me zhvillimin ekonomik në përgjithësi, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë për çështje të ekonomisë në Kosovë.

Agim Shahini, drejtues i Aleancës Kosovare të Bizneseve, thotë se bizneset nuk janë fare pa ndikim në politikat qeveritare për bizneset, por ky ndikim është i pamjaftueshëm për të krijuar një hapësirë dhe klimë të volitshme për zhvillimin e tyre.

“Nuk është e mjaftueshme, sepse përfaqësues tjerë të biznesit në vende të ndryshme kanë më shumë ndikim, ngaqë atje e kanë kuptuar rolin e asociacioneve të ndryshme, se ato punojnë për të mirë të biznesit, por në radhë të parë, të shtetit”.


“Bizneset në Kosovë kanë një ndikim, por jo të mjaftueshëm aq sa ato të ndikojnë në krijimin e një hapësire më të mirë për zhvillimin e aktiviteteve biznesore”
, thotë Shahini.

Mendim të ngjashëm ka edhe Berat Rukiqi, ekspert për çështje të ekonomisë në Odën Ekonomike të Kosovës, që gjithashtu përfaqëson komunitetin e bizneseve në Kosovë.

“Kjo është absolutisht e saktë dhe kjo qëndron, pasi që në ligjet që shpeshherë hartohen në grupe të vogla brenda Qeverisë, biznesi nuk e ka ndikimin e vet. Edhe nëse konsultohen, kjo ndodh vetëm sa për sy e faqe dhe në fund nuk reflektohen ato që janë vërejtje të kësaj strukture të rëndësishme të proceseve zhvillimore, nga të cilat ata preken drejtpërdrejt”
, pohon Rukiqi.

Në anën tjetër, Sejdi Osmani, po ashtu ekspert për çështje të ekonomisë në institutin “Riinvest”, vlerëson se përpjekjet e bizneseve për të ndikuar në politikat qeveritare kanë ekzistuar në vazhdimësi, por efektet kanë qenë, siç thotë ai, tejet modeste.

E gjithë kjo situatë, sipas tij, ka pasur parakushtet e veta.

“Specifikat që e kanë vënë shoqërinë kosovare para sfidave të zhvillimit, kanë qenë të nduar-nduarshme dhe Kosova nuk ka mundur të krijojë kushte të barabarta për zhvillimin e bizneseve dhe që bizneset kosovare me produktet e tyre të jenë konkurrentë me kolegët në rajon”
.

“Kështu që, ne sot kemi rezultate dhe tregues mjaft brengosës makroekonomikë, sa i përket eksportit, GJDP-së, punësimit etj. Do të thotë, këto janë pasojat e mungesës së një qasjeje më efikase në drejtim të krijimit të kushteve më të mira për zhvillimin e bizneseve në Kosovë”,
vlerëson Osmani.

Ndryshe, për të pasur mundësi më të mëdha ndikimi në politikat qeveritare për zhvillimin e bizneseve dhe ekonomisë në përgjithësi, zoti Shahini vlerëson se nevojitet përmirësim i infrastrukturës ligjore.

“Zakonisht, për të ndihmuar dhe mbështetur biznesin, duhet të krijohet infrastruktura ligjore. Infrastruktura ligjore në Kosovë ka mjaft hapësirë për t’u përmirësuar. Kjo nuk do të thotë se nuk është duke u punuar, por jo sa duhet”, thekson Shahini.

Ndërkaq, zoti Rukiqi shpreh mendimin se kultura institucionale në Kosovë e ka pasur të vështirë që ta kuptojë biznesin si një partner serioz dhe si hallkë të rëndësishme në ndërtimin e shtetit.

“Në disa aspekte kemi pasur suksese të rëndësishme, në prezantimin e atyre që janë ide dhe platforma të biznesit për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Sidomos, te çështja e reformës fiskale të vitit të kaluar, kur në paketë janë ndryshuar tatimet, duke krijuar favoret... Ndikimi i komunitetit të biznesit, përkatësisht Odës Ekonomike të Kosovës, ka qenë mjaft i madh”
, sqaron Rukiqi.

Por, zoti Osmani vlerëson se asociacionet e bizneseve duhet të këmbëngulin shumë më tepër që ta shtrijnë ndikimin e tyre në politikat qeveritare për ekonominë.

“Organizimi dhe strategjia e tyre nuk janë mjaft të zhvilluara dhe shkojnë ad-hoc, prej problemi në problem, duke mos pasur një strategji konsistente, afatgjate që me presionet legale që i kanë dhe që kanë të drejtë t’i bëjnë, të ushtrojnë ndikim te qeveria, në mënyrë që ajo të krijojë kushte më të mira për ta”
, përfundon Osmani.
XS
SM
MD
LG