Ndërlidhjet

OJQ-të kritikojnë retorikën kërcënuese të Qeverisë


Prishtinë

Prishtinë

Organizatat joqeveritare prezantuan deklaratën e përbashkët rreth, siç thanë, retorikës kërcënuese të Qeverisë ndaj përfaqësuesve të shoqërisë civile. Por, përfaqësuesit e Qeverisë i mohojnë këto deklarata.



Një numër organizatash joqeveritare në Kosovë, nëpërmjet një deklarate për media, kanë shprehur shqetësimin e tyre për, siç thuhet, retorikën kërcënuese dhe linçuese të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, drejtuar shoqërisë civile.

Në deklaratën e organizatave joqeveritare, mes tjerash thuhet se retorika e zyrtarëve të Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj aktiviteteve të shoqërisë civile, ka shkuar aq larg, sa që ka marrë formën e thirrjeve publike për linçim.

Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv i Organizatës “FOL”, ka thënë se retorika kërcënuese dhe linçuese e manifestuar nga ekzekutivi i vendit, është e papranueshme për shoqërinë civile.

“Një nga problemet që kemi identifikuar në vazhdimësi ka qenë një retorikë kërcënuese, e ndonjëherë edhe linçues e zyrtarëve qeveritarë ndaj aktiviteteve të shoqërisë civile, përfshirë këtu edhe aktivitetin e mediave apo edhe gazetarëve”.

“Rasti i fundit ka qenë kur në një emision në një televizion të Kosovës, zëdhënësi i Qeverisë i krahason disa deklarata të përfaqësuesve të shoqërisë me gjërat që janë shënuar në aktpaditë ndaj Millosheviqit dhe Sheshelit. Një krahasim i tillë, për mendimin tonë, është një thirrje publike për linçim”
, është shprehur Ilazi.

Edhe drejtori i Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave “KIPRED”, Ilir Deda, ka marrë si shembull disa deklarata të përfaqësuesve të Qeverisë, të cilat, sipas tij, nuk mund të kuptohen ndryshe pos si thirrje publike për linçim.

“Nuk ka se si klasifikohet ndryshe përmendja e individëve me emër dhe mbiemër se janë armiq të shtetit, përpos si linçim publik dhe thirrje për linçim publik”.

“Ndoshta zyrtarët e Qeverisë së Kosovës nuk e kanë të qartë çka do të thotë kjo fjalë, megjithatë unë dua të përsëris se zëvendëskryeministri ka kërkuar falje në emër të Qeverisë dhe ky post është më i lartë sesa zëdhënësi, i cili vazhdon me deklaratat e tij
”, ka vlerësuar Deda.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, i ka mohuar deklaratat e përfaqësuesve të shoqërisë civile. Ai ka hedhur poshtë atë se zyrtarë të ekzekutivit përdorin fjalë të tilla, siç është thënë, për linçimin e njerëzve.

“Nuk është e vërtetë që kushdo prej Qeverisë, duke më përfshirë edhe mua, se kemi bërë ndonjë deklaratë kërcënuese, apo siç e quajnë ata, retorikë kërcënuese ndaj shoqërisë civile. Në fakt, është e kundërta, kjo deklaratë është një tendencë për një formë të linçimit publik dhe medial personalisht ndaj meje, por edhe ndaj punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës”
, është kundërpërgjigjur Krasniqi.

Krasniqi, gjithashtu ka thënë se përfaqësuesit e shoqërisë civile që shpeshherë tentojnë të mbrojnë lirinë e shprehjes, dalin me deklarata të tilla. Kjo, sipas tij, është absurde.

“Është absurde që përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët shpeshherë thirren se e mbrojnë lirinë e shprehjes, me këtë deklaratë, në një formë tentojnë ta shkelin lirinë e shprehjes së një zyrtari qeveritar, meqenëse liria e shprehjes vlen për të gjithë, qoftë në kapacitet personal apo zyrtar”
, ka thënë Krasniqi.

Por, Ramadan Iliazi nga Organizata “FOL”, ka shpjeguar se qëllimi i deklaratës është që sa më parë të ndalen deklaratat, siç i ka cilësuar ai, retorikë linçuese.

“Qëllimi ynë është që të ndërpritet kjo retorikë linçuese, e cila po vjen nga Qeveria e Kosovës”
, është shprehur Ilazi.

Përmes deklaratës së përbashkët, organizatat joqeveritare u kanë bërë thirrje presidentit dhe kryeministrit të Kosovës, që si garantues të funksionimit të institucioneve demokratike, t’i sigurojnë të gjithë qytetarët e Kosovës se autoritetet publike do ta respektojnë lirinë e shprehjes - liri kjo e garantuar me aktin më të lartë ligjor në vend, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG