Ndërlidhjet

S’ka ligj për konfiskim pasurie


 Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Në Kosovë ende nuk ka ndonjë ligj të posaçëm, me të cilin bëhet konfiskimi i pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme. Në gjë e tillë, sipas autoriteteve kompetente, rregullohet me Kodin Penal të Kosovës. Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike, thonë se në Kosovë ka raste të shumta të personave që pasurinë e tyre nuk e justifikojnë me të ardhurat e tyre.


Sipas Kodit Penal të Kosovës, konfiskimi i pasurisë së kundërligjshme, bëhet vetëm te personat që kanë kryer ndonjë vepër të rëndë penale, ndërkaq nuk ka mekanizëm ligjor, me anë të të cilit do t’i nënshtroheshin verifikimit të pasurisë të gjitha ata që nuk e justifikojnë atë pasuri me të ardhurat e tyre.

Në Kosovë ende nuk ekziston ndonjë ligj për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme, apo personave të përfshirë në krim të organizuar.

Kjo çështje, sipas autoriteteve kompetente, ende rregullohet me Kodin Penal të Kosovës.

Analistë të çështjeve ekonomike, megjithatë thonë se në Kosovë, ka numër të madh të personave, qofshin fizikë apo juridikë, që nuk e justifikojnë atë pasuri me të ardhurat e tyre.

Shpend Ahmeti, drejtor i Institutit për Hulumtime dhe Studime të Avancuara “GAP”, pohon se kjo dukuri është e pranishme edhe në Kosovë, sidomos kur merret parasysh, siç thotë ai, se një përqindje e madhe e ekonomisë kosovare është joligjore.

“Deri më tani nuk kemi parë ndonjë rast të madh, që është diskutuar për këto gjëra publikisht. Mirëpo, përfundimisht mund të ketë raste të tilla, kur e dimë që një pjesë e madhe e ekonomisë kosovare është ekonomi joformale, është jashtë institucioneve, jashtë procedurave formale dhe jashtë sistemit bankar
”, thotë Ahmeti.

Sipas Ahmetit, pasurimi i personave në mënyrë të kundërligjshme ndodh pothuajse në të gjitha shoqëritë poskonfliktuoze. Prandaj, shton ai, as Kosova nuk mund të jetë imune ndaj kësaj dukurie.

Megjithatë, Shpend Ahmeti thekson se për një të tillë, urgjentisht nevojitet krijimi i infrastrukturës ligjore, në mënyrë që të konfiskohet prona, apo pasuria e dyshimtë.

“Mendoj se drejtësia do të vijë për të gjithë, sepse kjo është mënyra e vetme për Kosovën që të ecë përpara. Mendoj se po t’i shikojmë të gjitha shtetet tjera në rajone, edhe dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet pas kanë ndodhur gjykimet”.

“Për shembull, në Kroaci tash kemi raste të sekuestrimit të pronave të zyrtarëve publikë, që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme në vitet e ‘90. Kjo është pjesë e tranzicionit; edhe në Kosovë do të ndodhë dhe nuk besoj se do të ketë amnisti për njerëzit që kanë vjedhur”
, shprehet Ahmeti.

Në anën tjetër, Bedri Bahtiri, nga Ministria e Drejtësisë, thotë se, pavarësisht që në Kosovë ende mungon Ligji për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, një gjë e tillë mund të ndodhë me Kodin Penal të Kosovës.

“Sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme, parashihet me Kodin Penal të Kosovës, ku përveçse shpallet dikush fajtor, bëhet edhe konfiskimi i pasurisë së fituar në vepër penale, si dënim plotësues apo masë plotësuese”.

“Kështu që nuk mund të themi se nuk ka ligj që e mbulon fushën e konfiskimit. Sidoqoftë, ne nuk kemi ligj të veçantë siç e kanë shtetet e tjera, apo siç është edhe Shqipëria që e ka Ligjin Anti-mafi”
, sqaron Bahtiri.

Edhe avokati Tomë Gashi pohon se konfiskimi i pasurisë së personave të dyshuar, bëhet përmes Kodit Penal të Kosovës. Gashi thotë se konfiskimi i pasurisë, mund të bëhet vetëm nëse dikush shpallet fajtor për çfarëdo vepre penale, me të cilën vërtetohet se ai ka pasur përfitim material.

“Vetëm gjykata kompetente mund të sjellë akt-gjykim të plotfuqishëm për konfiskimin e pasurisë së dikujt, nëse ai penalisht gjykohet, dënohet ose shpallet fajtor”.

“Nëse është e përfituar nga vepra penale, kjo është arsyeja e vetme, që mundet gjykata eventualisht të shpallë në akt-gjykim, apo akt-vendim të caktuar që të konfiskohet pasuria. Mënyrë tjetër ligjore nuk ka”
, thekson Gashi.

Edhe pse ende mungon ligji për sekuestrimin e pasurisë së kundërligjshme, Kuvendi i Kosovës tashmë ka miratuar Ligjin për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, i cili ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG