Ndërlidhjet

logo-print

Çeku: Mbyllja e "Kosovës A", gabim i madh


Ethem Çeku, ish-ministër i Energjisë dhe Minierave

Ethem Çeku, ish-ministër i Energjisë dhe Minierave

"Mbyllja e termocentralit ‘Kosova A’, është ndër gabimet më të mëdha që po bëhen në fushën energjetike në Kosovë”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku.








RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Çeku, Qeveria e Kosovës ka vendosur që gjatë këtij viti të bëjë mbylljen e termocentralit “Kosova A”. Si e shihni ju këtë çështje?

ETHEM ÇEKU

Ai është gabimi më i madh për fushën energjetike të Kosovës. Vendin do ta lënë të varur nga kompanitë tregtare energjetike të rajonit dhe buxheti i Kosovës do të përballet me blerje tepër të shtrenjta të energjisë elektrike nga vende të ndryshme.

Analizat kanë treguar që “Kosova A”, me investime të mira, mund të rehabilitohet dhe mund të kemi blloqe të mira të prodhimit të energjisë elektrike. Problem të dytë do ta kemi elementin social. Me qindra e mijëra punëtorë do të përballen me ndërprerjen e vendeve të punës.

Prandaj, në këtë drejtim, mendoj se ekspertët që e kanë propozuar këtë, nuk e kanë pasur një pasqyrë të qartë se si duhet Kosova të mbulojë fushën deri në ndërtimin e blloqeve të reja. Do të thotë po i mbyllim të vjetrat, dhe ne duhet të blejmë rreth 150 - 200 milionë euro energji të vjetër derisa të ndërtohen blloqet e reja. Më duket se ky vizion është më tepër vizion tregtar sesa që është vizion, i cili i ndihmon zhvillimit ekonomik të vendit tonë.

RADIO EVROPA E LIRË

Ju theksuat se Qeveria e Kosovës nuk ka gjetur alternativa tjera dhe nuk ka pasur ndonjë strategji të duhur rreth kësaj çështjeje. Çfarë mendoni se do të duhej bërë?

ETHEM ÇEKU

Aty është dashur të investohet në blloqet e termocentralit “Kosova A”, nga kompanitë private, që t’i hedhin në treg ato blloqe, të testojnë tregun a ka investitorë të gatshëm për t’u marrë me rehabilitimin e blloqeve të “Kosovës A”, për të larguar problemin mjedisor dhe “Kosova A” të shërbejë në ato blloqe derisa të ndërtohen blloqet e reja.

“Kosova-A” të jetë vetëm si urë lidhëse mes ndërtimit të blloqeve të reja. Ky është gabimi kardinal që është bërë, që janë hequr nga tregu dhe është lënë që ato blloqe të vdesin gradualisht, e mos të investohet në to, dhe njëkohësisht të bëhen plane për të blerë energji elektrike.

Ne e dimë që qytetarët evropianë na kanë ndihmuar shumë me donacione, por ka përfunduar politika e donacioneve. Ne duhet të rikthehemi në konceptin e shfrytëzimit të resurseve natyrore, të shfrytëzimit të këtyre blloqeve në raport edhe me rregullat e mjedisit. Ky, them se është ai lëshimi i madh që po i bëhet, e që do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës rreth 150-200 milionë euro blerje e energjisë elektrike nga vende të ndryshme të rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Çeku, Kosova që nga paslufta ballafaqohet me reduktime të energjisë elektrike. Mbyllja e termocentralit “Kosova A” sa mendoni se do ta thellojë këtë krizë energjetike?

ETHEM ÇEKU

Tash i kemi vetëm 600 megavate prodhim nga blloqet e termocentralit “Kosova B”, do të thotë Kosovës i nevojiten në kushte të caktuara rreth 1200 megavate. Do të thotë, ne duhet të blejmë edhe 50 për qind të energjisë nga kompanitë e jashtme.

Dhe, kjo formë, që të mbyllet “Kosova A” jashtë tregut, jashtë logjikës së analizave pse duhet të mbyllet “Kosova A”, e çon vendin në varshmëri të plotë në blerjen e energjisë dhe do t’i godasë rëndë bizneset në Kosovë, sepse bizneset do të përballen me reduktime të mëdha të energjisë elektrike.

Ky është ai gabimi më i madh. Ne e dimë që “Kosova A” është ndotës, por është dashur që të kemi investime, të gjejmë investitorë dhe forma të ndryshme për ta rehabilituar derisa të ndërtohen blloqe të reja. Do të thotë “Kosova A” të shërbejë vetëm si urë kaluese deri të blloqet e reja.

Mbyllja e saj është koncept që ka për ta goditur ekonominë kosovare, shtetin e Kosovës, sepse po e mbyllim një elektranë, e cila, ndonëse ka qenë e vjetër, sado kudo ka qenë ndihmesë në furnizimin me energjinë elektrike.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG