Ndërlidhjet

logo-print

Kosovë: Të krishterët festojnë Pashkët


Vezë Pashkësh

Vezë Pashkësh

Besimtarët e krishterë në Kosovë po festojnë Pashkët. Urimeve të klerikëve katolikë dhe ortodoksë për Pashkët, u është bashkuar edhe presidenti Fatmir Sejdiu, i cili ka uruar që të ketë paqe mes të gjithë qytetarëve të Kosovës.


Besimtarët katolikë dhe ortodoksë të Kosovës kremtuan Pashkët, duke përçuar mesazhe urimi dhe paqeje për të gjithë.

Këtyre urimeve iu bashkua edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili vendosi që për Pashkët e sivjetme, që këtë vit u shënuan në të njëjtën ditë si nga katolikët ashtu edhe nga ortodoksët, të vizitojë një familje serbe të besimit ortodoks në Graçanicë.

Ai, në familjen e Millosh Maksimoviqit, theksoi se bashkëpunimi në paqe mes qytetarëve të Kosovës duhet të jetë themel i zhvillimit të gjithanshëm.

Ndryshe, kjo duket të jetë hera e parë që nga viti 1999, që dikush nga zyrtarët e lartë të Kosovës, në festat ortodokse viziton ndonjë familje serbe.

“Pata një kënaqësi të veçantë që ta vizitoj familjen Maksimoviq, bashkë me ministrin (Rashiq) dhe deputetin Petroviq, për t’iu uruar festën e Pashkëve, një festë që është festë e mesazheve të mira për të gjithë njerëzit dhe e mesazheve për paqe bashkëpunim, për njerëzi dhe humanizëm, atë që thuhet gjithmonë dhe të them gjithashtu se kujdesi i institucioneve të vendit do të jetë kujdes ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim etnie”, tha Sejdiu.

Megjithëse vizitë e karakterit fetar, as kësaj here, nuk munguan mesazhet politike. Presidenti Sejdiu, premtoi përkushtimin e institucioneve për komunitetin serb.

Është me rëndësi të veçantë që komuna re, e krijuar në Graçanicë, do të funksionojë normalisht sikurse komunat e tjera, në interes të të gjithë qytetarëve. Pjesëmarrja e rëndësishme e qytetarëve në procesin zgjedhor në mënyrë të qetë, tregon gatishmërinë e tyre për t’u marrë me problemet jetësore, si çdo njeri tjetër i Kosovës”.

“Prandaj, mbetet që kjo ditë feste që është edhe ditë e gëzimit familjar, të jetë një impuls i ri për zhvillime, punë dhe për bashkëpunim”,
theksoi presidenti Sejdiu, i cili uroi besimtarët serbë edhe në gjuhën e tyre amtare.

Milosh Maksimoviq falënderoi presidentin Sejdiu. Ndërsa, kreu i Partisë Liberale Serbe, Sllobodan Petroviq, tha se vizita e Sejdiut është edhe një motiv tjetër që serbët të jetojnë në këto hapësira.

“Një aktivitet sikur ky që pati sot presidenti i Kosovës, është domethënës, jo vetëm për familjen, por edhe për komunitetin serb. Unë shfrytëzoj rastin që të uroj të gjithë njerëzit në Kosovë, të cilët festojnë, në këtë ditë që është e veçantë, pasi sot festojnë edhe ortodoksët edhe katolikët. Kjo ndodh rrallë, dhe mund të jetë fillim i ri për të gjithë qytetarët e Kosovës", tha Petroviq.

Ndryshe, Kisha Katolike e Kosovës ka mbajtur meshën kryesore të ringjalljes, në Katedralen "Zoja Ndihmëtare", në Prizren. Mesha, që ishte ceremonia kryesore e festës, u drejtua nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Ndërkaq, në orët e mbrëmjes, imzot Dodë Gjergji, organizon një pritje solemne për të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare në Rezidencën e re të Ipeshkvisë së Kosovës, pranë katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë.
XS
SM
MD
LG