Ndërlidhjet

Kosova koordinohet drejt BE-së


Koordinimi me ministritë e ndryshme në përmbushjen e kritereve teknike drejt BE-së, si dhe bashkëpunimi rajonal do të jenë ndër sfidat e Ministrisë për Integrime në Kosovë, thonë përfaqësues të kësaj ministrie. Megjithatë, rezultatet në këtë drejtim, sipas tyre, mund të priten diku pas një viti.



Bashkëpunimi me vendet e interesuara për integrimin evropian thuhet se do të jetë një nga çështjet që do të figurojnë në listën e prioriteteve të Ministrisë për Integrime në Kosovë.

Përveç përmbushjes së kritereve teknike në rrugën drejt Bashkimit Evropian, në kuadër të bashkëpunimit rajonal është kërkuar zgjidhja paralele e problemeve dypalëshe në mes të Kosovës dhe Serbisë me, siç thuhet, hapat drejt anëtarësimit.

Ministri për Integrime në Kosovë, Besim Beqaj, thotë se nuk pret ndonjë vështirësi në bashkëpunimin me shtetin serb, po qe se ky bashkëpunim mbetet në kuadër të sy shteteve të barabarta.

“Në fushën e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar ne nuk kemi aspak pengesa, përderisa flasim në nivelin e parterëve të barabartë - pra, si dy shtete, si dy qeveri, e në këtë rast, me ministritë tona të linjës brenda, por edhe jashtë. Sigurisht se nuk do të kemi problem të komunikojmë as me Serbinë”, thotë Beqaj.

Ai shton se përveç aspektit politik, e rëndësishme do të jetë përgatitja teknike e Kosovës drejt BE-së, sidomos në çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Andaj, siç thekson ish-koordinatori për Kosovën i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, do të jetë i nevojshëm një koordinim me të gjitha dikasteret ministrore në Qeverinë e Kosovës, të cilat kanë përgjegjësi të caktuara për përmbushjen e kritereve të tilla.

“Ministria e Punëve të Brendshme është një nga më të rëndësishmet në fushën e liberalizimit të vizave, me të cilën do të koordinohemi. Koordinim kërkohet në Ministrinë e Industrisë e të Tregtisë në fushën e marrëdhënieve tregtare, sepse ato i mbulon Ministria e Tregtisë”.

“Do të koordinohemi në aspektin politik me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pra, kërkohet një bashkërendim i aktiviteteve me synimin e vetëm që Kosova të përgatitet edhe teknikisht, edhe politikisht, që të trajtohet në mënyrë të rregullt si të gjitha shtetet e tjera të rajonit për integrimin në Unionin Evropian”, thekson Beqaj.

Ministri për Integrime në Kosovë u emërua javën e shkuar në kuadër të ndryshimeve të fundit që u bënë në ekzekutivin kosovar. Me vendimin për themelimin e kësaj ministrie, në të automatikisht është shkrirë Agjencia për Koordinime të Donacioneve, Zhvillim dhe Integrime Evropiane.

Kreu i kësaj agjencie, Edon Cana, e quan lehtësuese çështjen e ndarjes së punëve në rrafshin teknik dhe atë politik. Megjithatë, ai thotë se për suksese eventuale mund të flitet diku pas një viti.

“Disa qeveri, sikurse ajo e Maqedonisë dhe e Serbisë, preferojnë që të kenë agjenci apo sekretariate, ndërsa vendet si Shqipëria preferojnë ministri. Nuk mund të themi se njëri apo tjetri institucion është më i mirë, por besoj se kjo do të na lehtësojë punën dhe kjo mund të shihet besoj brenda një viti”, shprehet Cana.

Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë ka mirëpritur vendimin për themelimin e Ministrisë për Integrime në Kosovë.

“Ne mirëpresim të gjitha përpjekjet, të cilat e sjellin Kosovën më afër BE-së”, deklaron zëdhënësja e kësaj zyre, Julia Rueter.
XS
SM
MD
LG