Ndërlidhjet

Lufta kundër korrupsionit në gjyqësi




Sistemi i drejtësisë në Kosovë është vënë disa herë në krye të raporteve vendore dhe ndërkombëtare si institucioni me nivelin më të lartë të korrupsionit.

Shkalla e korrupsionit, sipas njohësve të sistemit të drejtësisë, por edhe përfaqësuesve të këtij sistemi, do të mund të reduktohej po qe se, siç thuhet, bëhen disa përmirësime rrënjësore në këtë sistem.

Kryeprokurori i Kosovës, Ismet Kabashi, tha se përmirësimi i pozitës materiale, përfundimi i procesit të riemërimit të gjyqtarëve, si dhe nxjerrja e ligjeve për sistemin e drejtësisë, janë disa nga faktorët, të cilët do të ndihmonin që sistemi i drejtësisë të mos ndikohet nga korrupsioni.

“Të përfundojë procedura e riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ajo do të sigurojë përhershmërinë e tyre në funksionet e gjyqtarëve. Përhershmëria është një ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në krijimin e një gjyqësori të pavarur dhe të paanshëm”.

“Pastaj, është çështja e rregullimit të pozitës materiale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, me qëllim që në sistemin gjyqësor të vijnë juristët më të përkushtuar, më të mirë”
, u shpreh Kabashi.

Edhe ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Rexhep Haxhimusa, tha se pagat e ulëta të gjyqtarëve mund të jenë një nga faktorët që ndikojnë në korruptimin e tyre.

“Sa u përket pagave të gjyqtarëve, unë mendoj se ato duhet të jenë në nivelin e pagave, me të cilat ka mundësi një shtet për t’i paguar të gjithë bartësit që kanë të bëjnë me autorizime, çfarë është edhe funksioni i gjyqtarit”.

“Ne këtu në praktikë kemi një dallim të madh sa u takon pagave ose statusit të tyre financiar. Këto të gjitha ndikojnë në mënyrë direkte ose indirekte, apo në formën psikike, në funksionimin e gjyqësorit, për marrjen e vendimeve, për trajtimin e çështjeve”,
tha Haxhimusa.

Në nenin 102 të Kushtetutës së Kosovës thuhet se pushteti i gjyqësorit është unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm, si dhe siguron qasje të barabartë në gjykata.

Haxhimusa tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë do të mund të funksiononte drejt vetëm atëherë kur të përjashtohen të gjitha ndikimet e mundshme.

“Si sistem gjyqësor konsiderohet i pavarur kur e ka pavarësinë e plotë, pa ndikime nga jashtë dhe nga brenda - nga jashtë, do të thotë, nga faktorët e ndryshëm, ku përfshihet eventualisht edhe mundësia për ndikim të formave korruptive, ndërsa nga brenda - se si i trajton problemet në përditshmërinë e tij”.

“Gjyqësori duhet të ketë mundësi të veprojë pa pengesa, pa ndikim, presione, kërcënim, ndërhyrje direkte apo indirekte”,
tha Haxhimusa.

Ismet Kabashi, i cili, para pak kohe, me procesin e riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, mori postin e kryeprokurorit të Kosovës, tha se prioritet në punën e tij do të jetë luftimi i korrupsionit.

“Kemi vendosur që çështja e luftimit të korrupsionit të jetë primare në punën time, pasi që kam marrë këtë funksion. Ajo nënkupton që, së pari, duhet t’i pastrojmë çështjet në radhët tona, nëse ne kemi persona të tillë, të cilët ndiqen penalisht, për shkak të veprave penale”.

“Kemi vënë kontakte të përhershme dhe kemi formuar një grup punues me Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, me qellim të koordinimit të punëve”
, theksoi Kabashi.

Studimet e instituteve të ndryshme kanë treguar se sistemi i drejtësisë, jo vetëm që është i korruptuar, por ka edhe ngecje të shqyrtimit dhe zgjidhjes së lëndëve.

Në raportet e organizatave është thënë se prokurorët kosovarë i vonojnë lëndët edhe për shkak të interesave personale që kanë me njerëz të institucioneve të ndryshme, apo me persona që dyshohet të jenë të përfshirë në rastet korruptive.
XS
SM
MD
LG